Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Lidhje të ndryshme...
Tryeza e festave sipas Alfios dhe Indritit
Krijimet tuaja...

Tryeza e festave sipas Alfios dhe Indritit

 

Çfarë duhet dhe çfarë nuk duhet të bëni për festa!

 

Advertisement

– Alfio dhe Indrit, edhe pas një viti ju gjej bashkë… Si është e mundur që dy shqiptarë të rrinë kaq shumë pa u zënë? Çfarë keni gjetur te njëri-tjetri?

Alfio: (Qeshin) – Mendoj se një nga arsyet është se kemi punuar për shumë vite në të njëjtën zonë të Italisë, në Venecia dhe kemi një stil thuajse të njëjtë kuzhine…

Indriti: – …por kemi gjetur edhe harmoninë, që është thelbësore. Imagjino, të punosh shumë orë siç punojmë ne dhe të jesh gjithnjë i qeshur e në formë.

– Me sa shoh, tani nuk jeni më vetëm ju të dy…

Indriti: – Jo, kemi krijuar një staf shumë të madh i cili tani po zgjerohet. Punojmë me kateringje, në restorantin Diplomat dhe nuk tolerojmë dot që gjërat të mos dalin siç duam ne. Jemi bërë me shtatë duar. (Qesh)

– Ju drejtoni punën, apo jo?

– Ne drejtojmë punën dhe punojmë më shumë se të gjithë sepse duhet të japim shembullin tonë.

Alfio: – Pastaj jemi të rrethuar nga çuna që i kemi zgjedhur dhe që janë si ne. Jemi një grup shumë i madh që punojmë bashkë dhe ndihemi shumë mirë me njëri-tjetrin.

Indriti: – Sigurisht, ka edhe momente që çalojmë pak, bërtasim e shajmë, po…

– Qenkeni bërë shefa të vërtetë tani!

Alfio: – (Qesh) Bërtasim sepse i duam, sepse duam që të mësojnë. Na duan shumë, prandaj ka një vit e ca që rrimë bashkë, shohim edhe filma bashkë, flasim për punën…

Indriti: – Si është ajo fjala, “kush të rreh të do”?! (Qesh) Ne kemi krijuar stilin familjar, jemi bërë si “mafia”, me pak fjalë. Qëllimi ynë është që t’i mbajmë të gjithë me ngrohtësi, t’u japim dashuri jashtë punës.

– Çfarë ju ka bërë përshtypje më së shumti në gjithë këtë kohë?

Indriti: – Që të rinjtë kanë më shumë vullnet sesa ekspertët…

Alfio: – Në Shqipëri mungojnë kuzhinierët e mirë, që e duan me të vërtetë punën. Këtu te ne punojnë shumë dhe mësojnë shumë, punojnë nga 13-15 orë në ditë dhe kur mbarojnë punë, që është pastruar kuzhina e të gjitha, rrimë e bëjmë gallatë.

– Si është për ju periudha e festave?

Indriti: – Shumë e ngarkuar sepse po organizojmë një Vit të Ri ndryshe, po zgjedhim produktet më cilësore, më të veçanta dhe nuk mund të lejojmë dot që fluksi të ndikojë te cilësia…

– Çfarë do të ketë ndryshe Viti juaj i Ri?

Alfio: – Po do të jetë një darkë më gourmet… të njëjtat produkte do të gatuhen në mënyrë më të sofistikuar. Për shembull, gjeli i detit do të jetë i mbushur me karkalecë. Do të dimë të gjejmë kombinimin, zgjedhjet dhe sasia nuk do të jetë e pakët në pjatë, në mënyrë që njerëzit të ngopen.

– Janë mësuar shqiptarët me kuzhinën tuaj?

Alfio: – E vërteta është se kemi patur konflikte me ca klientë, por shkojnë e provojnë në restorante të tjera dhe kthehen prapë këtu. Kjo është gjëja më e bukur. Synimi ynë, në fund të fundit, është që të jemi kuzhinierë të mirë. Kur erdhëm këtu te Diplomat u bë një investim i madh. Normalisht kemi dhënë edhe prova, sepse qëkur kemi ardhur ne është shtuar xhiroja, klientela, prenotimet vijnë tre ditë përpara…

– Cili është plani juaj në vazhdim?

Indriti: – Do të hapim një restorant në Bllok, gjithnjë në bashkëpunim me Diplomat. Do të jetë diçka shumë e thjeshtë, e stilit italian të tratorive, por tratori e vërtetë dhe jo si ato që janë hapur deri tani, që janë të shtrenjta, pa lidhje, pa shije… Projekti do të ketë surprizat e veta.

– Tratori në Bllok, në një zonë me çmime relativisht të larta? Sikur nuk më përkojnë të dyja…

– Jo, do të ketë çmime shumë të lira, do të jetë për shembull një pasta me 400 lek, një pjatë e dytë me 500 apo 700 lek. Në Itali, këto lloj restorantesh janë shumë të përhapura…

– Do t’ia dilni dot duke punuar edhe këtu edhe atje?

– Do të formojmë një staf. Do të jetë e vështirë, por duhet ta bëjmë dhe do ta bëjmë. Kemi filluar që tani të merremi me këtë punë.

 

Këshilla jonë për festat

Alfio: – Të mos konsumohet shumë mish sepse yndyra e tepërt nuk bën mirë. Shkencëtarët thonë tani se mishi krijon kancere dhe kjo është shumë e vërtetë. Të hahen më shumë perime dhe më shumë fruta.

Indriti: – Të ketë shumë fruta, sidomos të thata, që janë karakteristika e Vitit të Ri dhe ushqimi të jetë i lehtë, pa shumë yndyrë. Natën e Vitit të Ri të konsumohet vetëm një pjesë e gjelit të detit, jo i gjithi në tavolinë, siç e kemi zakon ne. Në pamje të parë ai mund të duket i bukur, por pastaj të lodh vetëm duke e parë. Të përdorin pjesën me më pak yndyrë, siç do të japim dhe recetën… Të mos mungojnë dekorimet e bukura të festave, që sjellin atmosferën. Edhe kjo ka shijen e saj dhe krijon kujtime që nuk i harron dot. Ama, jo tullumbace! (Qesh)

 

Çfarë nuk e këshillojmë

Alfio: – Tavolina të mos jetë e mbushur plot. Mund t’i servirësh të gjitha produktet nga pak. Mos kini “frikë” të çoheni nga tavolina pa u ngopur. Mbani pak dietë se vetëm shëndet fitoni. Mos hani vetëm mishin, hani peshk, fruta sepse proteinat e mishit që i shmangni, mund t’i merrni me frutat e thata. Edhe fasulet mund ta zëvendësojnë mishin.

Indriti: – Të mos përgatiten aq shumë ushqime sa të mbeten dhe tre ditë të hamë të njëjtën gjë, siç bënte mamaja ime dikur për Vit të Ri… (Qesh) Çdo ditë të hamë diçka ndryshe.

 

Urimi për veten

Alfio: – Puna dhe karriera janë të parat… Të eci përpara në profesionin tim dhe jam i sigurt se çdo dëshirë tjetër që kam, do të vijë vetë, pa e kërkuar…

Indriti: – Të kemi sa më shumë shëndet si familje, se kemi patur ca çalime në këtë fushë kohët e fundit, të bashkohemi të gjithë dhe të kemi shumë përparime në karrierë. Ne kemi ardhur nga Italia në Shqipëri, kemi ndryshuar vend, por pasionin e kemi përherë njësoj… Si është ajo shprehja, “bëj punën që do dhe nuk do të punosh kurrë në jetën tënde”…

 

Urimi për lexuesit

Indriti: – Një vit sa më të mbarë dhe ejani më shpesh te restoranti ku punojmë ne, te Diplomat sepse do t’ju suprizojmë akoma më shumë. Do të ndërrojmë edhe menunë për Shën Valentin dhe do t’ju presim me shumë dashuri.

Alfio: – Unë kam edhe një urim tjetër… Të mos kënaqen me çfarë kanë dhe të kërkojnë më shumë nga jeta, që të ecim përpara, kush në zanat, kush në dashuri dhe atë që duan të bëjnë, ta bëjnë me dashuri.

 

Receta e Indritit

Gjoks i gjelit të detit me krem curry

Gjoksin e gjelit të detit e bëjmë fileto, e hapim si fletë. E rëndësishme është të pritet në mënyrën e duhur dhe nuk është shumë e nevojshme të rrihet, ose duhet rrahur me delikatesë, duke i vënë lart një letër kuzhine, sepse mund të çahet.

Bëhet një mbushje e bukur me spinaq, pak fruta të thata, pak spek ose pançetë. I hedhim edhe erëza, rozmarinë, trumzë dhe e bëjmë role. E futim rolenë në fletë alumini dhe zihet në ujë për dhjetë minuta. Pastaj hiqet alumini dhe bëhet një pjekje në tigan për pesë minuta me pak vaj, për të krijuar kore të bukur të thekur. Ja ku iku ajo 1 orë e gjysma që na duhet për gjelin e detit! (Qesh)

Që ta bëjmë pak më ndryshe, siç e kam qejf unë (qesh) do dalim tek erëzat ekzotike dhe do ta shoqërojmë me një krem curry të lehtë. Kremi përgatitet me pak domate e kos me aciditetin e duhur, disa domate kubike të vogla, me pak pana për të krijuar kremozitet dhe me pak brodo. Roleja pritet në mënyrë të bukur me feta dhe vendoset mbi kremin e përgatitur. Mund të shoqërohet shumë mirë me pak kuskus me perime.

 

Receta e Alfios

Fileto koce me krem speci dhe perime turshi

Unë do t’ju tregoj një recetë që e bëjmë këtu në restorant. Nëse njerëzit nuk janë të aftë të filetojnë peshk, mund ta kërkojnë filetimin në dyqanet e peshkut. Peshku do vetëm një marinim me një erëz shumë të mirë që është trumza, vaj ulliri, kripë e piper. Mjafton dhjetë minuta marinim sepse peshku është shumë delikat. Në një tigan qeramike që nuk ngjit, nxehet mirë pak vaj dhe skuqim fileton. Fillimisht skuqet nga ana e lëkurës që të bëhet kërce dhe pastaj kalohet nga ana e brendshme. Kaq dhe me peshkun kemi mbaruar punë.

Kremi i specit: Me speca të kuq bëhet shumë i mirë, por mund të bëhet edhe me speca të verdhë. E rëndësishme është që speci të jetë i një ngjyre që kremi të dalë uniform. Skuqet pak qepë e hudhër dhe hidhen specat e prerë me kubikë të vegjël. Skuqen pak, hidhet pak ujë dhe zihen avash-avash me temperaturë të ulët. Masa grihet me blender, filtrohet dhe kremi është gati.

Perimet turshi: Merret çdo lloj perimeje sipas dëshirës (për shembull karotë, selino, kungull lakër e kuqe) dhe pritet në kubikë shumë të vegjël. Në një tenxhere hedhim ujë, uthull, kripë dhe erëza sipas dëshirës, për shembull piper kokërr e të tjera, si dhe pak sheqer. Perimet hidhen një nga një dhe zihen sipas dëshirës, kush e lë më të fortë, kush më të butë. Kullohen të gjitha në një letër. Përgatisim vaj ulliri, hudhër e pak majdanoz e përzihen. Lihen në frigorifer të paktën 2-3 ditë që të marrin aromën.

Përgatitja e pjatës: Shtrohet kremi i specit dhe mbi të, perimet turshi (sipas dëshirës mund të shtoni sallatë, spinaq), filetoja sipër dhe pjata është e mbyllur… Është diçka shumë e shpejtë sepse kremin e sallatën mund t’i përgatisni më parë e t’i mbani në frigorifer dhe nëse ju vijnë miq papritur në shtëpi, filetoja bëhet për dhjetë minuta…

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Lidhje të ndryshme...

Next Post

Krijimet tuaja...

Advertisement