U përleva me gjak
– Kam parë në ëndërr sikur shkova te tezja dhe ndërsa po ecja rrugës, pashë disa persona që po më ndiqnin dhe më zuri frika. Fillova të ikja me vrap dhe kisha shumë ankth. Ata më zunë dhe më qëlluan me çfarë gjetën. Gjaku më rrodhi nga të gjitha anët. E pashë veten të mbuluar me gjak dhe kisha pak dhimbje në kokë. Çfarë kuptimi ka, se jam bërë merak?
– Në përgjithësi, kur shikon gjak, ëndrra nuk merr shumë kuptim, fshihet dhe ajo çfarë ishte e thënë të ndodhte, por në rastin tuaj tregon që duhet të keni kujdes me shëndetin. Nuk ka lidhje fare me ndonjë sulm apo grindje, por drejtpërsëdrejti me ju. Nëse jeni në fillim të një gripi, ruajeni veten sepse mund të kalojë në ftohje apo ndonjë sinusit dhe të keni dhimbje koke të mëdha. Energjinë që keni brenda jush kushtojani përkujdesjes për veten, mos anashkaloni as dhimbjen me të vogël, por konsultohuni me mjekët sepse sulmi dhe gjaku tregojnë një siklet shëndetësor. Ju uroj shëndet.
Humbas avionin
– Më ndodh shpesh ta shoh veten në ëndërr sikur vrapoj pas një autobusi apo treni dhe gjithmonë e humbas. Para dy netësh pashë sikur do të shkoja te motra ime në Greqi dhe po merrja avionin. Kur shkova në aeroport, avioni im po nisej. Unë vrapova duke u zënë me gjithë policët që më dilnin përpara të më ndalonin, por përsëri më humbi. Nga sikleti, u zgjova nga gjumi.
– Ëndrra të tilla kanë shumë kuptime njëherësh, pastaj varet se ku e gjeni veten ju, sado që të gjitha janë të lidhura zinxhir me njëra-tjetrën. Këto ëndrra vijnë kur ju bëni një jetë shumë aktive, vraponi për gjithçka si në punë, si në jetën private, ose e keni fiksim korrektësinë. Gjithashtu, një ëndërr e tillë tregon mundësitë që ju janë dhënë në jetë dhe ju nuk i keni shfrytëzuar siç duhet. Si fillim, i keni marrë me shumë entuziazëm, por përsëri i keni humbur. Kjo ka qenë zgjedhja juaj dhe shkak ka qenë frika nga ndryshimet. Në të njëjtën kohë, ëndrra të tilla shfaqen kur keni për të marrë vendime të rëndësishme në jetë. Janë ëndrra të ngjashme me një test. Duhet ta pyesni veten nëse jeni gati për sfidat e radhës dhe të mundoheni të mos i humbni mundësitë e arta që ju jepen në jetë, përndryshe do të përfundoni gjithnjë vetëm, nëse nuk arrini të lëvizni siç duhet. Nuk duhet të vraponi, por thjesht, të ndryshoni mënyrën e të konceptuarit dhe të jeni më e vendosur në jetë. Ëndrra të tilla, aq më tepër kur i shikoni shpesh, kanë mesazhe shumë të rëndësishme për t’ju dhënë.