Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Në shtratin e bashkëshortit, ëndërroj ish-të dashurin

Të nderuar lexues dhe ju gazetarë, ju lutem, mos më gjykoni! Së pari, dua t’ju përshëndes të gjithë juve që shkruani në këtë rubrikë të gazetës sepse duke lexuar historitë tuaja mora guximin të shkruaj edhe unë timen. Jam dyzet e një vjeçe dhe kam lindur në veri të Shqipërisë. Në familjen e prindërve të mi jemi tetë fëmijë. Dy motrat e mëdha i kam motra për baba, sepse gruaja e parë e babait tim vdiq ndërsa po lindte fëmijën e tretë. Ato mbetën jetime të vogla, motra e madhe ishte pesë vjeçe, ndërsa e dyta ishte tre vjeçe. Komshinjtë, më të vjetrit e lagjes, thonë se gruaja e parë e babait ka qenë grua e veçantë. Vitin e parë pas vdekjes së gruas së parë të babait, për vajzat u kujdes gjyshja ime e cila erdhi nga fshati ku ajo jetonte me xhaxhin tim e ndihmoi babain. Pas një viti, babai u martua me mamanë time. Ajo pranoi të merrte një burrë të martuar e me dy fëmijë sepse ishte topalle dhe ishte bërë njëzet e tetë vjeçe e askush nuk e kishte kërkuar. Kështu, i doli fati dhe u martua.

Martesa e tyre shkoi mirë për ta, edhe pse kishin vajzat në shtëpi. Ime më ishte topalle dhe kishte nevoje për ndihmën e dikujt për ca punë të vogla që duhen bërë çdo ditë në fshat dhe këto punë të vogla i bënin dy vajzat. Nuk është se i ka shfrytëzuar apo trajtuar keq, por gjyshja i kishte mësuar që bënin ndonjë punë. Duke e ditur që babai do martohej, që të mos bëheshin objekt grindjeje, ajo i kishte mësuar të punonin që të vogla. Motra e madhe ka qenë çobanesha e shtëpisë derisa u martua me një kapterr i cili pati fatin të vinte e të jetonte në Tiranë sapo u martua. Motra e dytë ka përkundur djepat e të gjashtë ne fëmijëve të tjerë. Na kanë dashur të dyja, edhe pse ishim motra përgjysëm. Të trija së bashku me nënën time kanë plotësuar njëra- tjetrën. Motra e dytë u martua në Lezhë. U njohën kur ai ishte ushtar në repartin afër fshatit tonë. Po shyqyr, të dyja jetimet patën fat e morën burra të mirë. Gjithmonë i mbaj mend që kanë ardhur me shumë dëshirë në t’pame, siç i themi ne nga veriu, edhe pse nuk gjenin nënën e tyre në shtëpi.

Nëna ime, fëmijën e parë e lindi djalë dhe sigurisht u llastua nga motrat e nga babai. Pastaj lindën tre motra, dy vëllezër dhe e fundit linda unë. Të gjithë mbaruan shkollën e mesme, ndërsa për mua patën pretendime që të vazhdoja shkollën e lartë se nuk më ngatërronin asnjëherë me punë.

Advertisement

– Mëso, të paktën të shkojë një nga tetë fëmijët në shkollë të lartë, – thoshte motra e madhe.

Me përkushtim, unë mbarova shumë mirë shkollën e mesme dhe më pas shkova në fakultet. Koha kur unë erdha në fakultet, ishte koha e ndryshimeve të mëdha, jo vetëm politike, por edhe ekonomike e mentaliteti e gjithçka. Të gjithë i kujtonin vitet 1994 e në vijim.

Në vitin 1994 unë isha në vitin e parë fakultet për Ekonomik. Isha më e vogla e shtëpisë, isha goxha simpatike, por për të qenë e sinqertë, shumë katunare. Kisha jetuar gjithmonë në fshat. Edhe pse shkollën e mesme e bëra në qytet, çdo ditë bëja dy orë rrugë, një orë në mëngjes për në shkollë e një orë në kthim për në shtëpi. Isha e lodhur nga rruga e s’ia kisha ngenë modës, edhe pse në shtëpi nuk më kanë penguar për asgjë.

Në dhomë në konvikt kisha një vajzë nga Jugu i Shqipërisë e një nga Shqipëria e Mesme; vajza të mrekullueshme që më kanë ndihmuar t’i kaloj të gjitha komplekset e mia. Viti i parë i fakultetit kaloi i qetë me mendjen vetëm për të dalë mirë në provime. Doja të justifikoja paratë e prindërve e të vëllezërve. Pastaj, dega ime donte pak punë. Në provimet e vitit të parë dola mirë. Jo vetëm nuk lashë asnjë provim për vjeshtë, por i mora provimet teta e nënta dhe meqenëse babai u kënaq nga rezultatet, më çoi edhe në plazh në Sarandë.

Sigurisht që në Sarandë, në shoqërinë e vajzave të shkollës, “rrëshqitja” ishte më se e mundshme. Në ato dy javë në Sarandë, përveçse me shoqet e mia, u takuam edhe me shumë shokë e shoqe që i kishim në fakultet. Ca ishin me familje e ca ishin grupe shoqërie kështu që dalldisëm.

Një djalë në vitin e tretë në ekonomik, që ishte me familjen e tij, më rrinte më afër se pjesa tjetër e shoqërisë. Ishte djalë i mirë dhe filloi të më pëlqente. Qysh në plazh rashë kokë e këmbë në dashuri. Filluam të rrinim bashkë e ramë jo vetëm në sy të grupit, por edhe të familjes së tij. Pas disa ditësh, ai më prezantoi me ta se ne çadrat ngjitur i kishim.

– Kjo është D.-ja, studente në Ekonomik, që e kam parë gjthë vitin në shkollë, por që vetëm këtu në plazh po arrij t’i flas, – tha ai ndërsa më prezantoi me prindërit, dy motrat dhe vëllain e tij.

– Si je, bukuroshe? – më tha i ati dhe me zgjati dorën. U takova me të gjithë dhe ndenja për dy orë në çadrën e tyre. Pasi më pyetën se nga isha e për familjen time, bëmë edhe nja dy lojë letra dhe unë me F.-në, ikëm të grupi i shoqërisë. Gjithë grupi na u sul:

– Kur do ta shpallni, kur do vijmë të kërcejmë…, – e të tjera si këto.

– Po prisni more, ne sa u takuam. Pastaj, ç’të reja do të kemi gjatë vitit nëse i kalojmë këtu? – tha F.-ja.

E kështu, pak nga pak, pushuan ngacmimet e grupit dhe java tjetër e pushimeve kaloi sa hap e mbyll sytë. Unë u ktheva në shtëpi e relaksuar, e lumtur, gjithë shend e verë. Mezi po prisja të vinte vjeshta. Nëse ditëve të plazhit m’u dukën sikur koha vraponte, ditët në shtëpi sikur ishin ndalur e nuk iknin.

Gjithsesi, pushimet mbaruan dhe qysh ditën e parë të shkollës, F.-ja erdhi më gjeti dhe takimi ynë ishte një përqafim i gjatë në sy të të gjithëve. Më vuri në siklet se jo të gjithë e dinin që ne e kishim zgjatur muhabetin në plazh, por aq më bënte.

– Sa më mori malli, mezi po prisja të të shihja! – tha F.-ja. Ai më mori erë në flokë e më puthi fort kokën. – Më kish marrë malli për këtë aromë.

– Edhe mua më kish marrë malli, – i thashë, ndërsa po e përqafoja. Kështu filluan takimet tona. Në mëngjes më priste para konviktit dhe shkonim bashkë në shkollë. Kur kishim orë pushim, merreshim vesh me njëri-tjetrin e rrinim bashkë. Isha në qiellin e shtatë. Pas disa kohësh që takoheshim kafeneve, ne vendosëm që lidhja jonë duhej të thellohej edhe më shumë. Ia fala zemrën e trupin F.-së me shumë dëshirë. Isha e dashuruar dhe ai dukej që më donte jashtë mase. Ishte lidhje shumë e bukur për dy vite. Ai, edhe pse mbaroi shkollën, filloi punë menjëherë pas fakultetit dhe ndërsa unë isha në vitin e tretë, ne sërish ishim bashkë. Kur mbaroi viti i tretë dhe mua më duhej të vija në shtëpi për pushime, ne e dinim që do të rrinim për afro dy muaj pa u takuar. Këtu do t’i vinte fundi lidhjes tonë. Kur unë erdha në Tiranë për të filluar vitin e katërt, F.-në e gjeta në krahët e një bjondeje. Shkova për ta takuar te puna e tij dhe e gjeta ndërsa po puthej e përqafohej me tjetrën. M’u duk sikur do vdisja, por jo. Nuk bëra asnjë skenë, thjesht iu afrova dhe i përshëndeta.

– Ouuu, – tha ai, – më fal, nuk të pashë.

– S’ka problem të pashë unë, – i thashë. – Mendoj se nuk duhet të të shoh më shumë se kaq.

– Më fal… ishte periudhë e gjatë të rrija vetëm për dy muaj, – tha ndërsa nuk dinte ku t’i mbante duart se përqafimi kishte mbaruar.

– Ju uroj fat, – iu thashë dhe ika me zemrën copë.

Viti i katërt i fakultetit kaloi sikur të isha në ferr. Në shkollë dola sërish mirë, por më kishte ikur gëzimi. Më kishte pushuar së qeni gjysma ime, për të mos thënë që isha si dru e gjitha. Shoqet e mia më thoshin “do kalojë, mos e çaj kokën për të, ai s’të ka merituar” e të tilla gjëra, por ndërsa përpiqesha të mos e jepja veten para tyre, për vete po vdisja pak nga pak.

Shkolla mbaroi dhe unë u ktheva në qytetin tim. Fillova punë dy muaj pas shkolle dhe sikur e largova pak mendjen nga F.-ja sepse po përpiqesha të zbatoja në praktikë ç’kisha mësuar në shkollë. Kolegia e zyrës më qëlloi një grua egoiste që s’më mësonte për asgjë, por kjo më bëri mirë, se i vihesha punës me mish e me shpirt. Por s’ishte e thënë të harroja sepse F.-ja u kthye tek unë sa për të më vrarë përfundimisht. Ai erdhi e më takoi në qytetin tim.

– Të lutem, më fal. E kam ndier mungesën tënde, edhe pse isha me një tjetër. Ty nuk të zëvendësoj dot me askënd. Të lutem, kthehu me mua, – tha dhe më hapi krahët.

Kaq desha dhe meqenëse akoma nuk e kisha zëvendësuar në zemrën time, pranova menjëherë. Ia fala, por bëra gabim. Pasi u takuam tre-katër herë në qytetin tim, ai vendosi të vinte në shtëpinë time me të atin dhe të më kërkonin dorën. Dita që kishim vendosur erdhi dhe ata erdhën të dy bashkë. Te puna ime kishte ardhur vëllai im sepse i kisha thënë se si qëndronte puna. Nuk mund të bëja një orë rrugë me të dy se helbete, po vinin për mua. Kështu, u bashkuam të katërt dhe u nisëm për në shtëpi. Darka shkoi shumë mirë. Prindërve të mi u pëlqeu menjëherë.

Pas dy javësh, ne shpallëm fejesën. Ne ndenjëm një vit të fejuar sa lart e poshtë, herë në shtëpinë e tij e herë në timen. Atë e hoqën nga puna dhe pasi ndenji katër muaj pa punë, më tha se do të ikte në Itali. I kishte premtuar një kushëriri i tij që ta ndihmonte, mjaftonte të shkonte deri atje.

– Do shkoj unë i pari të bëj dokumentet e pastaj të të marr edhe ty, – më tha atë natë në shtëpinë time.

Babit tim s’i pëlqeu shumë ideja, por këto ishin kushtet. Kush ishte jashtë Shqipërisë, ishte si princi i kaltër për çdo vajzë. E kështu, ai iku me skaf në Itali. Sapo mbërriti, më mori në telefon në zyrë dhe sigurisht, u qetësova që kaloi shëndoshë e mirë. Pas gjashtë muajsh qëndrimi në Itali, F.-ja vendosi të ikte në Gjermani. Atje kishin djalin e tezes dhe ai i kishte premtuar ta ndihmonte me dokumente e punë. Në fakt, sapo iku në Gjermani, ai filloi punë dhe pronari gjerman ku ai punonte u mor seriozisht me dokumentet që i duheshin. Për të marrë dokumentet pritja dukej akoma më e gjatë. Kishte një vit e gjysëm që kishte ikur e ne flisnim në telefon vazhdimisht. Nuk kisha dyshuar asnjëherë për asgjë, por një ditë ai ma tha copë:

– Më fal D., e kuptoj që nuk është normale, sa herë largohem nga ti unë zë të dashur tjetër. Por… kam tetë muaj që jam lidhur me një vajzë gjermane dhe më pëlqen shumë. Nuk dua të tregohem i pasinqertë me ty. Të lutem, mos më prit, vazhdo jetën tënde, – tha dhe i ndjeva frymëmarrjen në telefon. E kuptova që po priste përgjigjen time.

– Të vazhdoj jetën time the? Mos the gjë kështu? – e pyeta ndërsa zemra m’u drodh.

– Po, nuk mund të presësh, sepse unë edhe nëse vij, nuk do të vij për ty, – m’u përgjigj.

– Cilën jetë timen po thua ti të vazhdoj, këtë që ma shkatërrove ti? Ku mendon ti se jetoj unë, në Nju Jork, ku nuk të paragjykon askush? Harrove se ku më le? Pse dreqin u ktheve sërish kur e dije që do të ikje? Pastaj, pse mendon se pranova të fejohem me ty për sytë e bukur apo se të kam dashur? – i thashë dhe lotët filluan të më rridhnin faqeve.

Ai nuk u përgjigj, priti derisa e mbylla unë telefonin dhe nuk më mori më. Jeta ime u kthye në një ferr të dytë. Tashmë isha ish-e fejuar në një qytet të vogël, ku po të jesh kështu, të quajnë kurvë. Por, me gjithë dhimbjen time, përpiqesha të mos e jepja veten në sytë e të tjerëve. Pas një viti që isha ndarë nga i fejuari, një djalë nga qyteti im më ndali një ditë në rrugë dhe më tha se i pëlqeja dhe se donte të njihej me mua.

– Po ti e di që kam qenë një herë e fejuar? – ishte gjëja e parë që i thashë, me një urrejtje që s’e kuptoj se kujt i drejtohej, vetes apo ish-it tim.

– E di, por njeriu përballet me situata të mira e të këqia në jetë. Unë nuk dua të flas fare për atë kohë tënden… Ti, je dakord që të njihemi bashkë, apo jo? – tha dhe ndërsa më zgjati dorën që të thoshte “mirupafshim” shtoi: – Të lutem, mendoje, do të të marr në telefon në zyrë dhe të të pyes.

Kështu u njoha me burrin me të cilin u martova pas një viti fejesë. Sot kemi tre fëmijë. Burri im është burrë shembullor, por unë kur shtrihem në shtrat përkrah tij, shumë shpesh ëndërroj për F.-në, edhe pse ai ma nxiu rininë time…

 

D.

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
View Comments (1) View Comments (1)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

10 sekrete që nuk duhet t’ia thoni kurrë shpirtit tuaj binjak

Next Post

Krijimet tuaja...

Advertisement