“Vetëm 25 minuta ecje e shpejtë në ditë mund t’ju shtojnë deri në 7 vite jetë”, thonë ekspertët e shëndetit…
Studimet e paraqitura para disa kohësh në Kongresin e Shoqatës Evropiane të Kardiologjisë (ESC) tregojnë se bërja rregullisht e ushtrimeve fizike mund të reduktojë plakjen dhe të shtojë jetëgjatësinë e njeriut. Sanxhaj Sharma, profesor i një universiteti londinez, tha se fizkultura e moderuar përgjysmon rrezikun e vdekjes nga infarkti te personat në të 50-tat dhe 60-tat. “Ky studim është shumë domethënës. Ai tregon se njerëzit që stërviten rregullisht, janë të aftë ta vonojnë procesin e plakjes, tha ai. Ne nuk mund ta evitojmë këtë proces (plakjen), por mund ta vonojmë atë. Kështu, ne mund të dukemi më të rinj kur të jemi në të 70-tat dhe të jetojmë deri në të 90-tat. Ushtrimet na shtojnë 3-7 vite jetë. Ato luftojnë depresionin, përmirësojnë funksionet tona trupore dhe tani tregojnë se vonojnë edhe simptomat e dementias (budallallepsjes), që ndodh te pleqtë”.
Ai tha se të gjithë duhet të bëjnë të paktën 20-25 minuta ecje të shpejtë, ose vrap të ngadaltë në ditë. “Nëse do të shkoni në një vend që është 20 minuta larg me këmbë, atëherë bëjeni atë distancë me këmbë, në vend që të merrni autobusin”, shtoi ai. “Njerëzit që vuajnë nga zemra, nuk duhet të vrapojnë, por të ecin me një shpejtësi që duhet t’u lejojë atyre të flasin, por jo të këndojnë. Ndjekja e këtyre këshillave të thjeshta është thelbësore, duke pasur parasysh jetën sedentare që bëjmë”. Ai gjithashtu shtoi se ushtrimet sjellin efekte pozitive, pavarësisht moshës, apo gjendjes shëndetësore.
Njerëzit që i fillojnë ushtrimet në moshën 70 vjeçare, ose më parë, rrezikohen më pak nga fibrilacioni arterial, një problem me ritmin e rrahjes së zemrës, që prek afro 10% të njerëzve mbi të 80-tat. Studimet janë kryer nga një ekip i universitetit të Saarlandit, në Gjermani, të cilët vunë një grupi njerëzish që normalisht nuk bënin fizkulturë, por që ishin të shëndetshëm dhe nuk pinin duhan të bënin një seri ushtrimesh fizkulturore. Ata treguan se ushtrimet aerobike, ato të forcës dhe ato me intensitet të lartë kishin një ndikim pozitiv te shenjat e plakjes. Autorët e studimit vunë re se ushtrimet e rezistencës dhe ato me intensitet të lartë mund të ishin më efikase sesa thjesht ngritja e peshave, sepse ato shtojnë aktivitetin telomerazë, që me kalimin e moshës, ndihmon në riparimin e ADN-së. Ata thanë se duke matur shtimin e aktivitetit telomerazë dhe uljen e aktivitetit të senescencës (që të dy tregues të plakjes së qelizave në gjak), gjatë një periudhe 6 mujore, doktorët qenë të aftë të tregonin se bërja rregullisht e ushtrimeve kishte nxitur procesin kundër plakjes.
“Studimi tregon pak më shumë gjëra se pse aktiviteti fizik ka këtë efekt. Ai na ndihmon të kuptojmë procesin e plakjes së qelizave, çfarë e shkakton trupin dhe organet tona të plaken dhe efektet që kanë ushtrimet fizike në nivelin qelizor”, tha Kristi Diston, profesoreshë në universitetin e Kembrixhit. “Pavarësisht se kur filloni, sa më aktivë të jeni, aq më shumë përfitime do të keni. Ne i këshillojmë njerëzit që kanë sëmundje kardiovaskulare, ose kanë pësuar infarkt të miokardit, të jenë aktivë fizikisht, sepse kjo u bën mirë për shëndetin. Nisur nga kjo, nuk ka asnjë arsye pse njerëzit e shëndetshëm të mos bëjnë fizkulturë”, përfundoi ajo.