– Përshëndetje! Desha t’ju bëja një pyetje: Burri im ka sëmundje epileptike, ndaj doja të dija, a ka problem, nëse unë ngelem shtatzënë? Jam merakosur shumë, mos vallë fëmija im më lind me probleme? A trashëgohet epilepsia? Ju lutem, më ktheni një përgjigje. Ju falënderoj për mirëkuptimin.
Dr. Agron Islamaj, neurolog: – Epilepsia, apo “sëmundja e tokës”, siç quhet në popull, është një sëmundje që ka shumë shkaqe, siç janë goditjet në kokë, infeksionet, dëmtimet e tjera, si për shembull zëniet, apo hemorragjitë në tru, ose pas operacioneve të bëra në tru në moshën fëminore, ose edhe më pas, gjatë jetës etj. Në qoftë se mungojnë këta shkaktarë, atëherë ajo mund të quhet e trashëguar dhe mund të transmetohet edhe te fëmijët. Në rast se prindi epileptik ka kriza të shpeshta (2-3 të tilla në ditë, ose në javë), si dhe është i degraduar (pra, me difekte intelektuale), nuk rekomandohet që këta bashkëshortë të kenë fëmijë, sepse nuk është vetëm problemi, por edhe turbullimet karakteriale që i bëjnë të dhunshëm e që ndikojnë në shëndetin dhe zhvillimin mendor të fëmijëve të ardhshëm.
– Në përfundim, do t’ju këshilloja që të konsutoheni me mjekun neuropsikiatër që ndjek bashkëshortin tuaj, i cili do t’jua japë me saktësi përgjigjen për shqetësimin, që ju keni, sepse ai di dhe vlerëson nga afër shëndetin dhe gjendjen e burrit tuaj.