Të reja
Mos t’ju gënjejë klima e butë e këtyre ditëve. Gripi është afër dhe ka prekur tashmë me miliona njerëz nëpër Evropë. Sipas të dhënave të Ministrisë të Shëndetësisë së këtij vendi, vetëm në Itali janë sëmurur prej tij afro 100 mijë vetë. Kështu, pas një vere shumë të nxehtë, kemi të bëjmë me ditë me diell, të alternuara me mbrëmje të lagështa dhe më të freskëta që na bëjnë të pësojmë ndryshime të njëpasnjëshme të temperaturës. Sipas të dhënave, moshat më të prekura janë fëmijët deri në 4 vjeç, me 2.24 raste në një mijë, ndërkohë që në moshat e tjera, prekshmëria është 0.7 vetë në një mijë. Piku i gripit parashikohet në janar, kur në Itali parashikohen të sëmuren 1 milion vetë.
“Ditët e bukura duhen shfrytëzuar për të bërë aktivitet fizik, për të forcuar organizmin dhe për ta përgatitur atë për muajt e ftohtë”, thotë një specialist virolog italian. “Megjithatë, duhet të përgatitemi për të përballuar uljen e papritur të temperaturave”.
Disa metoda natyrale kundër gripit
Cilat janë metodat natyrale për të luftuar virusin sezonal të gripit? Së pari, për të evituar gripin, është mirë t’i lani duart vazhdimisht; pasi keni udhëtuar me transportet publike, pasi keni prekur doreza dyersh dhe i keni dhënë dorën dikujt. Gjithashtu, përpiquni ta mbani gjithmonë ajrin e pastër, duke ajrosur shpesh vendin ku rrini, evitoni ndryshimet e befta të temperaturës, pini shpesh çajra të ngrohta dhe në fund, merrni sasi të vogla propoli dhe echinacee, ndihmës natyralë kundër inflamacioneve dhe gripit.
Në tavolinë mos hani ushqim as shumë të ftohtë, as shumë të nxehtë. Dieta, sidomos në muajt e ftohtë të dimrit, duhet t’ju ofrojë sidomos ujë, kripëra minerale, karbohidrate dhe proteina. Furnizojeni trupin me vitamina duke konsumuar agrume, mollë dhe kivi. Gripi pakëson rezervat e vitaminave të trupit, prandaj pini lëng frutash, si portokallesh, mollësh, etj., sepse vitamina C stimulon mbrojtjen e trupit. Nëse nuk keni oreks, mund të pini komposto frutash, të hani mish të bardhë, peshk ose perime.