Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Nëna u grind me nusen e iku nga shtëpia

– I nderuar psikolog, kam një problem dhe po ju shprehem me pak fjalë. Jam i martuar dhe pres fëmijë. Nëna ime nuk arriti të shkonte mirë me nusen dhe iku nga shtëpia. Vajti në shtëpi në fshat bashkë me plakun dhe tani, unë nuk di se kujt t’ia prish e kujt t’ia ndreq. Jam në një hall të madh e më duket sikur do të më shajë edhe opinioni. Si më këshilloni të veproj? Me respekt, Ismaili.

Dr. Jashar Demiri, psikolog klinicist: – I nderuar letërshkrues, edhe pse letra jote është e shkurtër, unë ta kuptoj hallin, pasi ti je në mes të dy njerëzve të dashur; nënës, e cila edhe sipas fesë vjen direkt pas Zotit dhe gruas, nuses tënde shtatzënë e cila sigurisht që është si gjysma jote, aq më tepër tani që ti pret fëmijë. Në këto kushte, as mentari apo politikani më i shquar i botës nuk do ta kishte të lehtë. Megjithatë, nëna jote, me siguri i ka kuptuar dilemat e mosmarrëveshjet dhe në pamundësi për ta “pranuar” njëra-tjetrën, ashtu siç janë ajo e ka gjetur vetë zgjidhjen duke ikur nga qyteti e duke vajtur të dy plak e plakë në fshat. Unë nuk e di se sa vjeç janë prindërit e tu, por mos harro se në një apartament ku ju banoni të gjithë së bashku, as jeni të lirshëm, por edhe ata ndihen si të mbyllur në një kafaz dhe në kushtet e ngushtësisë e të kotësisë, patjetër që sherre do të lindin me bollëk, sikur edhe nusja jote të ishte vajza e tyre. As nuk e di se çfarë “race” është nusja jote, pasi ka edhe pak raca “psikovampiresh” që vetëm gjejnë gjëra për të fajësuar të tjerët, për t’u qarë e për t’u mërzitur, pra, që nuk u gjendet karari. Disa e kanë si qejf që të “gërricen” e të trazojnë të tjerët dhe vetë të dalin si pa u “lagur”, veçse ta dinë këta se nëse nuk shkojnë mirë me njerëzit e shtëpisë, mbi 50 % të fajit duhet ta kërkojnë te vetja. Është i njohur sa vetë njerëzimi konflikti nuse-vjehrrë dhe të mos ia hyjmë këtij diskutimi sepse do të mbetemi “brenda”. Ajo që mund të bëjë djali në këtë mes është që të jetë fleksibël dhe “amortizator” i mirë, me qëllim që edhe nusja të mos ndjehet si e “huaj” në atë shtëpi, por edhe nëna të mos ndjehet si e “përjashtuar”, aq më tepër nëse është mësuar që të punojë shumë e të ndjehet si violinë e parë. Unë e shoh si ndonjë hata vajtjen e prindërve në fshat, atje ku është për ta puna dhe prodhimi i të mirave materiale, por do të ishte fatale nëse ju nuk u vini atyre në ndihmë atje ku janë, duke u vajtur e plotësuar nevojat po të jenë të pafuqishëm, deri duke u paguar një punonjëse shtëpiake, pra, duke i bërë që ata t’i marrë malli për ju e juve gjithashtu t’ju marrë malli për ta. Për ne psikologët, malli është treguesi i dashurisë dhe një matës i pagabueshëm i saj. Sa për opinionin, unë nuk dua t’ia di. Andej nga anët tuaja thonë se “fjalët e hallkut e vrimat e gardhit nuk mbyllen kurrë”. Unë kam nënën time 84 vjeçare të cilën e përshëndes sepse e dua shumë për gjithçka që ajo ka bërë, por edhe për faktin se te një shtëpi 3 katëshe që kemi në Fushë-Krujë, organizon çdo vit n punët e bahçes brenda avllisë rreth 3 dynymë dhe çdo vit ne mrekullohemi aty me frutat, perimet pa mbarim, si dhe me lulet lloj-lloj ngjyrash që gjen aty, aq sa ka krijuar aty një parajsë të vogël për të gjithë ne vëllezërit e motrat që mblidhen sidomos në muajt e verës, kur njerëzit vijnë nga emigracioni.

– Është e habitshme se çfarë e motivon nënën time e cila mezi pret të kalojë dimri te shtëpitë tona në kryeqytet ose te vëllezërit në Itali dhe të vijë bashkë me pranverën si ato dallëndyshet e t’ia hyjë punës me shumë zell, aq sa çuditet edhe lagjja e fshatit Hasan në Fushë-Krujë, aq sa edhe e kanë quajtur “Nëna e të gjithëve”. Po të shihni se si varen rrushtë nëpër pemë, kungujt, kastravecat, lulet e gjithçka deri në katin e tretë të shtëpisë, nuk do ta besoni që ato i bën çdo vit një 84 vjeçare që nuk do t’ia dijë as për pleqërinë, as për moshataret e saj të cilat të “squllura” nga papunësia, prej vitesh flenë mbi divane ose atje në “botën tjetër”. Do të doja që ta nxirrja në një televizion nënën time Selvie Demirin e cila me ato që bën, do të çudiste shumë njerëz që i mbajnë tokat djerrë e shtëpitë bosh. Të njëjtën frazë falënderuese kam edhe për prindërit tuaj, i nderuar letërshkrues, nëse ata kanë shkuar në fshat për dy të mira: edhe për të mos ndezur më tej shkëndija inati e zemërimi, por edhe për të prodhuar të mira materiale. Jam i bindur se shëndeti dhe jetëgjatësia e nënës sime lidhet me punën, pasi tani në Amerikë edhe për të sëmurët me depresion po aplikohet ajo që quhet “kura e gjelbër”, pra, punë me bimët nëpër fusha apo në ferma. Nuk ka si toka, ajo pastron dhe shëron gjithçka, tek ajo gjenden të gjitha ato që i duhen jetës njerëzore. Prometeu e humbi fuqinë vetëm kur ia shkëputën thembrat nga toka. Tani, i nderuar letërshkrues, mos harro parimin e diplomacisë, sipas Napoleonit: Edhe nëna me disa fëmijë, kur blen një pastë, e ndan atë në mënyrë të barabartë, por e rrotullon dhe ua jep fëmijëve në atë mënyrë që t’i duket sikur atij i dha më të madhen e më të mirën. Mos u çudit, “diplomacia” deri këtu futet dhe në qoftë se nusen ti e ke zemër, edhe ajo e di këtë. Edhe nënën, ti e ke shpirt dhe ajo duhet që ta dijë këtë. Tani, më lër t’i jap ca këshilla nuses tënde e cila si e re që është, më kupton më mirë, ndërkohë që “druri i vjetër” mundet që nuk ha fort “pykë”. Do të doja t’i kujtoja asaj nja 10 këshilla që i ka dhënë për gratë familjare Karmen Silva, Mbretëresha e Rumanisë (1843-1916).

Advertisement

  1. Mos hap grindje edhe sikur të të jepet papritur shkak, ruaj qetësinë se do të dalësh më e fituar.
  2. Mos harro se je martuar te Njeriu e jo te Perëndia, prandaj mos u habit me huqet njerëzore.
  3. Mos kërko nga të tjerët më tepër se sa kanë ata fuqinë.
  4. Rruga për te zemra kalon nga barku, stomaku, prandaj gatuaj mirë se do t’ia zaptosh burrit zemrën.
  5. Jepi rëndësi burrit, kujdesu që të shkojë mendimi i tij dhe kjo të lartëson edhe ty e nuk të dëmton.
  6. Lexo çdo gjë tërheqëse për familjen dhe jo vetëm romancat e skandalit, mëso nga pësimi i të tjerëve.
  7. Edhe në grindjen më të rreptë, s’duhet të lëndosh tët shoq e njerëzit e tij as me fjalë.
  8. Gjithnjë bëja qejfin burrit dhe i thuaj se s’ka një tjetër burrë si ai. Po ashtu, poho se ti mund të kesh të meta.
  9. Në qoftë se yt shoq është i zgjuar, bëhu shoqe e tij. Po të jetë i pamend, të jesh mike dhe këshilltare e tij.
  10. Nderoje sidomos nënën e burrit, mos harro se ai, atë ka dashur më parë. Besoj se u kuptuam… Tani, ju uroj lindje të lehtë të bebit dhe ribashkim festiv me prindërit tuaj, kur të vijë në jetë pasardhësi.

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

7 pjesë të trupit që nuk duhet t’i prekni me duar

Next Post

Të kam lënduar, të lutem kthehu tek unë!

Advertisement