Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Nuk e durova dot rolin e njerkes

 

Unë që po ju shkruaj jam një ish-njerkë. Po jua them që në fillim se dua të kuptoni me të vërtetë atë që ndieva unë dhe besoj e ndiejnë edhe shumë gra të cilat supozohet se janë të lumtura, por në brendësi të zemrës së tyre ka vetëm dhimbje.

Unë u dashurova marrëzisht me një burrë rreth të pesëdhjetave. Ai kishte qenë i martuar më parë dhe kishte tre fëmijë, dy vajza dhe një djalë që jetonin me të ëmën dhe ai kalonte me ta vetëm fundjavat. I kishte të mëdhenj, por jo aq shumë sa të kuptonin atë që po përjetoja unë.

Advertisement

Unë u dashurova me të në punë, si shumica e lidhjeve. Pak vetë u kanë shpëtuar këtyre dashurive. Ai ishte në të njëjtin pozicion me mua, kështu që dihet se nuk u dashurova për interes. Unë kisha qenë e fejuar më parë dhe nuk pata fat të martohesha. Atëherë isha rreth 35-vjeçe. Kishim diferencë, siç e shihni, por kjo gjë nuk binte në sy aspak, për faktin se ai ishte shumë i mbajtur. Ishim një çift që kur na shihje, do të habiteshe se si mund të shkonin aq shumë dy njerëz.

Nejse, ne u fejuam e u martuam shumë shpejt se nuk kishim çfarë të prisnim. Jeta në çift ishte një nga gjërat më të bukura që mund të më ndodhte. Edhe pse ishim në punë bashkë, unë nuk jam tip xhelozeje, kështu që realisht lidhja jonë ishte e fortë dhe besonim se do t’i rezistonte kohës. Këtë e besonin edhe të gjithë ata që na shihnin dhe sidomos shoqëria jonë. Por, si gjithmonë, do të dalë një gjë që të ta bëjë jetën të vështirë. Hera e parë e takimit me fëmijët e tij ishte normale. Ai i kishte thirrur të tre dhe takimin e kishte lënë në një lokal.

– Po pse në lokal? – i thashë. – Mund të kisha përgatitur disa gjëra dhe do të rrinim rehat në shtëpi.

– Thashë mos të të shtoja emocionet e gatimit, plus atyre që ke për njohjen me ta.

– Sigurisht që kam emocione, por do të mundohesha që të dilja sa më mirë.

– Mos u shqetëso, rëndësi ka të krijohet një lidhje e bukur mes jush.

Në fakt, atëherë nuk e kuptova mirë se çfarë donte të thoshte, por tanimë e kuptoj se dhe ai e kishte patur shumë të vështirë të më njihte me ta dhe sidomos, që unë t’u lija përshtypje të mira. Ata erdhën me vonesë. I solli daja i tyre. Më dhanë dorën dhe unë, instinktivisht doja t’i puthja kur u dhashë dorën, por vajza e madhe më shtyu “me stil”, që të mos kuptohej.

U hutova pak, por nuk ia vura edhe shumë veshin dhe u dhashë vetëm dorën. Ata u ulën të tre afër njëri-tjetrit, duke futur në mes të atin. Nga pozicioni që kishin marrë, dukej sikur do ta mbronin nga unë. Këto gjëra i kuptoj tani, se atëherë nuk po i shikoja me këtë sy. Ishin të sjellshëm dhe flisnin aq bukur sa kishe dëshirë të madhe t’i dëgjoje.

– Qëkur babi është lidhur me ty, duket më i freskët, apo jo babi? – tha njëra nga vajzat.

– Po, zemër. E dija se ti do të më kuptoje e do ta merrje me sportivitet martesën time.

– Po si mund të mos e marr? Ne jemi të gjithë të kënaqur për lumturinë tënde. Apo jo? – i pyeti dy të tjerët të cilët, tani që i shoh gjërat më qartësi, më duken si dy ushtarët e saj. Ata i bindeshin për gjithçka që ajo thoshte.

– Dhe për më tepër, ti je kaq e bukur! – m’u drejtua mua. – Të faleminderit që erdhe në jetën e babit tonë.

Pra, kjo lloj bisede na shoqëroi gjatë takimit të parë. Disa herë ndjeja dyshime se mos ishte gjithçka fallso, por jo. E ndjeva veten me fat se si mund të kishte mundësi që këta fëmijë më deshën me herën e parë që më panë.

– Ia kaluam shumë mirë, zemër!

– Po shumë mirë. Je me fat që ke fëmijë të tillë. M’u duk vetja shumë rehat me ta. Më parë mendoja se do të ishin ndopak të inatosur me mua, por… – i thashë.

– Të inatosur me ty? E pse duhet të jenë?

– Po ja, që kam zënë vendin e nënës së tyre.

– Ata e kanë pritur shumë mirë divorcin, mos u merakos aspak. Unë e dija se ata do të të pëlqenin ashtu sikurse të pëlqeva unë.

Kështu mendova edhe unë. Takimi tjetër ishte në shtëpi. Ishte e diel dhe ne si zakonisht hanim në shtëpi. U mundova të gatuaja duke pyetur burrin se çfarë preferonin. Bëra të gjitha përgatitjet dhe mendova se do t’ia kalonim shkëlqyeshëm. Në fillim shkoi gjithçka mirë, por kur për një çast mbeta vetëm me vajzën e madhe, ajo më tha:

– Nuk e di si mund të rrish me babin ti!

– Pse? – e pyeta tërë kureshtje.

– Ai është ende i dashuruar me mamin, si mund të të dashurojë ty?!

Ishte një bombë që më ra. Pse duhet të m’i thoshte këto gjëra?! Ajo ishte e rritur që të bënte kësi lojërash me mua. Që herën e parë që e kisha takuar, kisha dyshuar te sjellja e saj kundrejt meje, por mendova të mos e zgjasja që të mos krijoja ndonjë zënkë.

– Eh, kështu është jeta, zemër!

– Unë të paralajmërova. Do të kujtohesh më vonë për këtë që të thashë!

U bashkova me pjesën tjetër të familjes që të mos e dëgjoja më tepër. Sapo më pa, burri më tha:

– Ç’ke? Nuk je mirë? Më dukesh si e zverdhur…

– Jo, shumë mirë jam. Nuk kam asgjë, ndoshta jam pak e lodhur, zemër! – kur i thashë “zemër”, m’u dridh pak zëri se kujtova fjalët e së bijës. E kapërdiva dhe vazhdova të sillesha si më parë. Kur ata ikën, i thashë burrit.

– A je i sigurt që më do më shumë se çdo femër tjetër?

– Zemër, ç’janë këto që thua? Nga të lindi kjo pyetje?

– Kam nevojë të dëgjoj një përgjigje nga ti.

– Ti je jeta ime! Të dua dhe kam për të të dashur gjatë gjithë jetës!

Këto fjalë më bënë ta kaloja pak shijen e hidhur të asaj që përjetova me të bijën, mirëpo në mendjen time po formohej një re e zezë dyshimi për këtë martesë. Sa herë që bashkoheshim me fëmijët e tij, më dukej sikur largohesha nga burri im. Nganjëherë bëja një hap prapa e i shikoja se sa bukur dukeshin të gjithë së bashku. Ata e rrethonin gjithmonë të atin sikur donin ta mbronin. Këto gjëra dhe shumë të tjera që në dukje ishin të vogla, më bënë që t’i shprehesha hapur burrit.

– Më duket se fëmijët e tu më urrejnë.

– Nga na doli kjo gjë?! – u habit ai së tepërmi. – Ata nuk të heqin nga goja asnjëherë.

– Për mirë apo për keq? – e pyeta.

– Si?! Po thua se fëmijët e mi flasin keq për ty? Ç’të ka gjetur ty, se nuk po të kuptoj?! Një e dy e flet me inat për fëmijët e mi.

– Unë?! Ti nuk e sheh atë që shoh unë…

– E çfarë sheh ti?! – ai po fliste me një gjuhë që nuk e kisha dëgjuar ta përdorte ndonjëherë, jo vetëm me mua, por me asnjë tjetër, madje as në punë.

– Shoh atë që ata më pandehin si një pengesë mes teje e ish-gruas tënde, nënës së tyre.

– Nuk e di se sa herë duhet të ta them që nuk kam asgjë me ish-gruan. Lidhja jonë përfundoi shumë kohë para se të të njihja ty.

– Por për ta takuar e takon ende, ama!

– Pse, sipas teje, duhet të mbyll sytë kur ta shoh?

– Po flet me një ton të tmerrshëm, – i thashë. – Unë po them ato që kam kohë që i bluaj në vetvete. Sa herë që takohemi me fëmijët e tu, ata mundohen të më ulin e të më bëjnë sikur nuk jam njeriu i duhur për ty. Kjo më vret shumë.

– Unë nuk e shoh diçka të tillë. Ndoshta ti që mendon gabim dhe sheh atë që do.

E mbylla bisedën se nuk po arrija në një përfundim. Biseda të tilla si kjo kishim shumë, aq sa unë u lodha së bëri “njerkën”, sepse kisha një jetë timen që mund ta shijoja në mënyra të ndryshme. Edhe pse mundohesha ta kapërdija sjelljen e tyre, për hir të dashurisë që kisha për burrin, erdhi një kohë kur nuk munda ta shtyja më.

– Është më mirë të ndahemi. Marrëdhënia jonë po komplikohet dhe nuk besoj se do të përmirësohet. – i thashë një ditë burrit kur po pinim kafen e mëngjesit.

Ai filloi të më thoshte që e kisha gabim e të fiste për dashurinë tonë, por nuk kishte mundësi të ma kthente mendjen. Nuk kisha arsye të duroja që ditët e pushimit t’i kaloja në një stres të tillë. Kështu, ndoshta plotësoja edhe dëshirën e fëmijëve të tij. Që në fillim, ata këtë synonin; që të më mërzitnin e ne të dy të ndaheshim. Dhe kështu vendosa edhe unë. U ndava, edhe pse e doja shumë dhe mendoja se do të jetoja gjatë me të, por nuk jam penduar aspak. Tani jam e lirë të jetoj si të dua e jo të vras mendjen në jam e duhura për të.

Po ta mendosh, gratë e divorcuara janë më të lira se burrat. Ato i mbajnë fëmijët gjatë javës kur shumicën e kohës janë në shkollë a në kopësht dhe në fundjavë, janë të lira, ndërsa burrat punojnë gjatë javës e nuk kanë kohë të shijojnë asgjë, ndërsa në fundjavë duhet të rrinë me fëmijët. Dhe ne, që martohemi me burra të divorcuar, kemi çdo fundjavë të përbashkët me fëmijët e tyre. Nëse ata të duan, gjë që është shumë e rrallë, je në rregull, por në shumicën e rasteve ti je një tabelë qitjeje për ta, ndaj nuk përballohet…

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
View Comments (1) View Comments (1)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Çfarë dokumentesh më duhen për bashkim familjar me babain?

Next Post

Krijimet tuaja...

Advertisement