Me thinja
– Përshëndetje! Kam ëndërruar veten time duke u treguar thinjat disa personave që nuk ua shihja fytyrën, por nga ndjesia, ishin të njohur, persona të familjes. Në ëndërr isha shumë e shqetësuar për këto thinja pasi kisha shumë dhe thoja: “Si ka mundësi? Unë jam e re në moshë!”.
– E nderuar lexuese, nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. Ëndrra ka lidhje me mendimet tuaja; shpesh ju duket vetja më e madhe seç jeni në të vërtetë. Duket sikur nuk po e jetoni jetën ashtu siç i përket një vajze të moshës suaj. Është një lloj sikleti që ju besoj tashmë e keni kaluar, janë mendime me vetveten. Nëse ëndrra ka lidhje me mungesën nga ana e ndjenjave, nuk duhet të shqetësoheni sepse nëse do të keni një lidhje, kjo do të ndodhë në kohën e duhur dhe me personin e duhur.
Ziheshin dy qen
– Kam parë në ëndërr dy qen të mëdhenj të zinj që po ziheshin me njëri-tjetrin. Unë i shikoja nga ballkoni. Çfarë kuptimi ka, ju lutem?
– Një ëndërr e tillë tregon që do të ndodheni në një situatë në të cilën nuk duhet të jeni shumë të butë, por duhet të reagoni me ashpërsi, përsa u përket mendimeve tuaja. Nëse tregoheni shumë të urtë, ka mundësi të lëndoheni. Nuk po themi të rriheni, por të tregoni karakter të fortë, sepse ashtu e do situata në të cilën ndodheni.