– Jam një zonjë 57 vjeçe. Prej një viti, kam shumë sekrecione. Jam vizituar në sanatorium, jam mjekuar gati çdo muaj me shurup e ilaçe pluhur, kam bërë edhe grafi, edhe spirometrinë, kam marrë edhe pompë dhe përsëri s’kam përmirësim. Unë nuk pi as duhan, as alkool. Theksoj se sapo të fus diçka në gojë më krijohen sekrecione dhe i nxjerr me shumë vështirësi. Jam shumë në siklet, prandaj më thoni ju lutem, si mund të shërohem nga kjo sëmundje.
Dr. Mira Xhixha, alergologe: – E dashur zonjë! E kuptoj shumë mirë shqetësimin tuaj, aq më tepër që keni bërë gjithë këto vizita, keni marrë edhe mjekime dhe përsëri nuk keni gjetur shërim. Në këtë rast, për t’ju ndihmuar në gjendjen tuaj do të ishte mirë të bënit një konsultë, sepse kështu nuk mund të përcaktojmë asgjë konkrete dhe aq më tepër të japim mjekime pa bërë analizat e nevojshme. Prandaj kur të keni mundësi jeni e mirëpritur të më kontaktoni në poliklinikë. Vetëm pas një vizitë të detajuar dhe bërjes së analizave të nevojshme do të arrijmë në një konkluzion dhe të japim mjekimin e duhur.