Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Albi Nako: Njëri ka fjalën, ndërsa tjetri, trupin…

Këtë sezon të ri televiziv, një nga programet që ka arritur të na gozhdojë përpara ekranit, është edhe “Dance vvith me”, një garë për më të mirin e çdo të hëne në mbrëmje, ku anëtar jurie është edhe Albi Nako, i cili e ka vulosur tashmë fjalën e vet në balet sepse në karrierën e tij, çdo pikë ka ditur ta vendosë mbi “i”. Teksa po prisja të takoja Albin, në kokë kisha krijuar imazhin e djalit serioz dhe strikt që shihja në ekran, por gjatë bisedës zbulova se Albi ishte krejt ndryshe… Ai e bënte bisedën edhe më interesante me batutat të cilat nuk mungonin asnjë moment. Jemi në edicionin e dytë të “Dance vvith me” dhe, ashtu siç e thotë edhe vetë Albi, këtë herë ky spektakël ka nisur më me vrull dhe energji. Për të mësuar edhe më shumë? Lexoni intervistën më poshtë…

 

Mia Buci: – Albi, si ka nisur për ty ky sezon i “Dance vvith Me”?

Advertisement

Albi Nako: – Ky është një format artistik me të cilin udhëtojmë së bashku, japim dhe marim me njëri-tjetrin. Është rrugëtim i vështirë dhe pikërisht pse është i tillë, është edhe i bukur. Jemi në edicionin e dytë, çka do të thotë se nuk ecim në rrugë të pashkelur. Kjo nuk do të thotë që gjithçka rrëshqet si në gjalpë, pasi nuk ecim në rrugë të asfaltuar dhe të drejtuar me telekomandë. Po të ishte kështu, nuk do të ishte as e bukur. E rëndësishme është që ky edicion ka nisur me vrull e me energji, duke qenë më të qartë dhe më të vetëdijshëm për gjithçka bëjmë.

– Çfarë të veçante ka kasti i konkurrentëve këtë herë?

Në çdo rast, konkurrentët do të vijnë me të veçantat e tyre dhe kjo ndodh edhe nga përzgjedhja, por edhe nga veçoritë specifike që karakterizojnë çdo individ. Përzgjedhja është shumë e rëndësishme pasi imazhi që ka regjisori apo koreografi, është një mozaik në të cilin, çdo konkurrent vjen me ngjyrën e vet. Kjo e bën spektaklin shumëngjyrësh dhe jo njëngjyrësh.

– Çfarë ka më të vështirë një kryetar jurie në këtë spektakël, në prova, në juri dhe në marrëdhënie me konkurrentët?

Nuk duhet të harroni që edhe arti ka hierarkinë e vet sikundër, fjala vjen, ushtria. Në ushtri ka ushtarë, oficerë dhe komandantë. Për ta konkretizuar: Te “Dance vvith me”, ushtarët janë vetë konkurrentët; ata e bëjnë “luftën”. Në sallë unë jam oficer që udhëheq operacionet artistike, ndërsa në panel, jam komandant i një forumi kolegjial, si të thuash, komandant i një shtabi artistik. Puna dhe roli më i vështirë është studioja. Nëse në fushën e kulinarisë thuhet që “ne jemi çka hamë”, në rastin tonë, “ne jemi çka përgatitemi”. Në gjithë këtë proces, roli i koreografit është përcaktues.

Çfarë përpiqesh të bësh për ta mbajtur këtë vend “nderi” që ke zënë në balet?

– Çdo krijues, në çdo fushë që lëvron, përpiqet të sjellë gjëra të bukura në krijimtarinë e tij. Është tjetër gjë sesa ia arrin, sa u përgjigjet shijeve të publikut dhe sa depërton te ky publik. Është një fjalë goje ta quash veten koreograf, të cilët janë shtuar dhe po konkurrojnë titujt akademikë të pafund të “Profesor”, “Doktorëve”. Këta të fundit nuk i kemi dëgjuar të prodhojnë shkencë, sikundër edhe koreografët, të prodhojnë krijimtari artistike. Të qënurit koreograf, unë nuk do quaja thjesht status, por përgjegjësi ndaj ndërgjegjes sime artistike dhe ndaj publikut që më ndjek. Gjithçka tjetër nuk ka nevojë për koment.

Për cilën prej pjesëve të baletit të ka marrë malli dhe do të doje ta riktheje në skenë?

Në çdo pjesë jam përpjekur të derdh mund dhe dashuri. Malli është aromë që diku ndjehet më shumë e diku më pak, por gjithsesi, është i shpërndarë gjithandej. E kam të vështirë të ndaj, pavarësisht nga vlerat që mbartin ato.

– Sa “erotizëm” mbart kërcimi, nëse i referohemi gjuhës së trupit?

– Erotizëm? Varet se për çfarë erotizmi flet. Artikulimi i gjuhës, përcjell fjalën dhe fjala shkakton reagim në të cilin emocioni është një element. Gjuha e trupit e shkurton një hallkë, reagimin dhe e përcjell emocionin drejtpërdrejt. Embrioni i emocionit është ndjeshmëria dhe këtu bulëzon erosi. Nuk është thjesht instinkt, përkundrazi, është art. Gjuha e trupit është gjuhë e kodifikuar, sa abstrakte, aq edhe konkrete. Këtë gjuhë e kuptojnë ata që zotërojnë kode. Të tjerët, marrin impaktin vizual i cili ka gjithashtu rëndësinë e vet, megjithëse është i pjesshëm.

– Do të të emociononte më tepër një pjesë baleti apo një tango?

Është përafërsisht sikur të thuash: Çfarë të pëlqen, poema apo epigrami? Ajo që do të më pëlqente mua, do të varej nga ngarkesa emocionale që mbart dhe nga forma artistike që do ta përcillte.

– Mund të jetë “dehës” një kërcim, po aq sa një bisedë e ngrohtë apo një gotë verë e mirë?

– Përgjigjja vjen me një kundërpyetje: “A mund të dehet një njeri vetëm duke parë dikë se si e shijon një gotë verë?”. (Buzëqesh)

– Publiku kërkon emocion. Ti, çfarë kërkon?

– Emocion dhe vetëm emocion. Nuk ka art jashtë emocionit. Gjithçka tjetër është propagandë, retorikë e thatë që i bën hije artit të vërtetë.

Madhështia dhe talenti shkojnë gjithnjë bashkë?

– Është e vështirë të kapësh këtë kategori sepse shkon në kufijtë e së pamundurës. Nëse Kadareja do ta kishte ndërtuar gjithë karrierën e tij në Shqipëri, nuk do ta kishte madhështinë që ka sepse ndryshojnë shumë gjëra. Nuk është e thënë që talenti të prodhojë madhështi. Yjet duan qiell që të shkëlqejnë.

Çfarë do të kishte ndodhur nëse jeta do ta kishte sjellë të ishe një aktor dhe jo një balerin?

Asgjë e veçantë! Shumë shumë, do të isha një aktor që në një galeri të pafund rolesh, do të kisha spikatur me pak prej tyre ose do të isha fare i harruar. Megjithatë, të mos harrojmë që baleti, ashtu si edhe teatri, kanë të përbashkët skenën, qëllimin; ndryshojnë vetëm mjetet shprehëse. Njëri ka fjalën, ndërsa tjetri, trupin. Teatri modern bashkëkohor si edhe baleti modern, po i zgjerojnë gjithnjë e më shumë përmasat e misioneve që kanë.

Çfarë thuhet për balerinët?

– Në aspektin profesional, kjo gjini arti po bëhet gjithmonë e më e pranishme në jetën shpirtërore të popullit tonë sepse çdo ditë po ndryshojnë shumë gjëra dhe në metodikat e punës, ka një përmbysje konceptuale për formimin profesional dhe misionin artistik.

– Si e kalon Albi kohën jashtë “Dance vvith me”?

– Koha jashtë spektaklit pothuajse nuk ekziston sepse danci është një humnerë artistike, nga e cila nuk del dot. Edhe nëse del paksa fizikisht, zemra dhe mendja mbeten peng aty, te humnera. (Buzëqesh) Pra, përgjatë gjithë kohës që je i angazhuar, mbetesh totalisht i pushtuar dhe shpirtërisht, i robëruar. Por, është një robëri me të cilën ke bërë pakt, je i dorëzuar, ngaqë të pëlqen. (Buzëqesh)

– Çfarë ke të nevojshme të bësh përpara çdo mbrëmjeje të spektaklit?

– Janë orë përgjithësisht më të qeta. Puna jote është në këmbët e kastit dhe nën gjykimin e publikut. Publiku është paneli real. Ne të tre, mbetemi pjesë e shout.

– Bën një jetë të disiplinuar, ashtu siç e kërkon baleti?

– Natyrisht. Çdo abuzim është në kurriz të profesionit dhe profesioni nuk të fal. Ai të flak pa mëshirë në kazanet e harrimit.

– Cilën nga këshillat e babit për baletin e zbaton ende edhe sot?

Im atë, sikundër edhe shumë të tjerë të brezit të tij, janë shembull i mirë jo vetëm për mua, por për të gjithë brezin tim dhe jo vetëm… Po marr vetëm një tregues: Im atë mbushi 70 vjeç dhe vazhdon të punojë, duke bërë një jetë shumë aktive. Do të doja edhe unë që të udhëtoja kaq gjatë në profesion.

Çfarë nuk do të ndryshojë kurrë për ty në këtë botë vazhdimisht në ndryshim?

– Duke qenë në ndryshim të vazhdueshëm bota, kështu do t’i ketë edhe banorët e saj. Unë nuk harroj një parim që më udhëheq në jetë: Të bëj gjëra që më lartësojnë si njeri e artist dhe që puna ime t’u shërbejë sadopak shoqëruesve me të cilët jetoj.

– Çfarë të mungon?

– Jam nga ata njerëz që e mbaj kokën përpara, andej nga është e ardhmja. Nuk para shikoj pas, madje edhe kur jam i detyruar, bëj atë që bën shoferi në timon; shikoj pas nëpërmjet pasqyrës, duke udhëtuar para. Në këtë kuptim, nuk kam asnjë merak sepse kam bërë atë që kam dashur. Askush nuk ma dhuroi emrin, atë e fitova me shumë sakrificë dhe do ta mbaj me punë.

Një tjetër arsye e lumturisë tënde është edhe Klaudia dhe sukseset e saj…

– Pa dyshim. Edhe udhëtimi i saj në fushën e artit ka qenë i vështirë, por puna ta shpërblen dhe të lumturon. Ne ndajmë gjithçka me njëri-tjetrin dhe aktualisht, po shijojmë nektarin e lumturisë. Nuk besoj të na dehë sepse te dehja përgjon edhe ndëshkimi.

Nëse do t’i kërkonin Klaudias të vendosej në Itali për të jetuar, do ta kishe të vështirë ta lije Shqipërinë apo Shqipëria për ty është aty ku është Klaudia?

– As njëra dhe as tjetra. Pavarësisht se Klaudia aktualisht është në Itali për shkak të angazhimeve, jeta jonë familjare dhe artistike është një. Midis Shqipërisë dhe Italisë ne do ngremë një urë bashkëpunimi artistik sipas ofertave që do të na afrohen. Një gjë është themelore: Qendrën e gravitetit e kemi këtu, në vendin tonë.

Çfarë kanë ndryshe ditët e tua tani, nga koha kur ishe beqar?

– Asgjë të veçantë, përveç ndryshimit të statusit.

– Është femra ajo që zgjedh mashkullin apo e kundërta?

– Edhe tenderat zhvillohen me rregulla, ndërsa kur vjen fjala për marrëdhëniet në çift, nuk ka zgjedhje, por marrëveshje dhe kjo është shpirtërore.

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Shpjegimi i endrrave tuaja...

Next Post

Devis Muka: Ka momente kur nuk jam i çmendur...

Advertisement