Vrava tre persona
– Kam parë në ëndërr sikur vrava tre vetë që nuk i njihja. Kur dola në cepin e shtëpisë, pashë babain që po rregullonte një derë. Nuk i kam folur e as nuk më foli. Kalova në oborrin e shtëpisë së kushëririt tim ku ishin fëmijët e tij. Pastaj pashë një tufë bagëtish fluturova sipër një lisi që është shekullor dhe aty u zgjova. Jam shumë në merak.
– Ëndrra juaj nuk ishte shumë e qartë nga ajo çfarë lexova dhe unë, po ta shikoni, nuk e kam shkruar gjithë tekstin tuaj, sepse nuk e kuptoja. Por gjithsesi, të vrasësh dikë në ëndërr, do të thotë që më në fund do të çliroheni nga ato mendime apo probleme që ju shqetësonin. Do t’i përkasin së kaluarës dhe do të ndiheni si të rilindur. Edhe të fluturuarit po atë kuptim ka; do të ndiheni sërish të lirë dhe gati për ta rifilluar gjithçka nga e para. Ju uroj fat.
Më kërcënoi me thikë
– Në ëndërr pashë sikur shoku i një djali që njoh më kërcënonte me thikë dhe donte të bënte dashuri me mua. Nuk më kujtohet nëse bëra apo jo dashuri, por më kujtohet se kur dola nga dera, u ndesha me mamin dhe ajo më pyeti: “Hë, moj bijë, të bëri gjë?”. Unë i thashë “jo”. Çfarë kuptimi ka, ju lutem? Aleksja.
– E dashur Aleksja, ëndrra ka lidhje me ju vetë. Ju dëshironi të keni një lidhje të fortë, të plotë dhe intime, por i trembeni shumë kësaj gjëje, diçka brenda jush ju ndalon, ose jeni rritur me një kulturë familjare të tillë që ju ka bërë të mbylleni në vetvete. Keni nevojë të ndiheni më e pavarur dhe ta jetoni jetën, por nuk e bëni dot, për arsye të cilat i dini vetëm ju. Pra, ëndrra nuk parashikon ndonjë ngjarje në veçanti, janë thjesht dëshirat tuaja për një jetë më aktive. Kjo është e gjitha.