Në muajin korrik pati disa raste sëmundjesh me leprozë në Florida dhe, megjithëse ende nuk janë vërtetuar, ekzistojnë dyshime se një rol të rëndësishëm në përhapjen e saj e kanë luajtur kafshët. E dinit se kafshët mund të na transmetojnë shumë sëmundje? Jo? Ja, disa prej të cilave duhet të ruheni…
1. Murtaja. Vjen nga minjtë
Pleshtat e minjve dhe të brejtësve të tjerë kalojnë te njerëzit kur brejtësit ngordhin. Kur këta pleshta pickojnë njeriun, bakteria Yersinia pestis transmetohet te njeriu dhe shkakton sëmundjen. Simptomat e murtajës janë: temperaturë e lartë, të dridhura, dhimbje muskujsh, gangrenë në gishtat e këmbëve, duarve dhe në majën e hundës.
2. Malarja. Vjen nga mushkonjat
Mushkonjat kanë sjellë vdekjen e më shumë njerëzve sesa gjithë luftërat në historinë njerëzore. Malarja është një sëmundje që transmetohet nga mushkonjat, shkaktohet nga organizma njëqelizore parazite dhe vazhdon të jetë fatale për shumë njerëz në gjithë botën. Sëmundja transmetohet nga mushkonjat femra të infektuara që i përkasin grupit të Anofeleve, të cilat, me pickimet e tyre i transmetojnë njeriut organizmat parazitare. Këto të fundit shkojnë në mëlçi, ku edhe shumohen.
3. Turbekulozi që vjen nga gjedhët
Sëmundja shkaktohet nga mikrobi që quhet Mycobacterium bovis, të cilin e mbartin lopët, drerët dhe bizonët. Ai transmetohet nëpërmjet konsumimit të produkteve të qumështit të papasterizuar nga kafshët e sëmura. Simptomat më të zakonshme ngjajnë me ato të tuberkulozit të zakonshëm, por ky prek më shumë mushkëritë, gjëndrat limfatike dhe pjesë të tjera të trupit.
4. Psitakoza. Vjen nga papagajtë
Psitakoza quhet ndryshe edhe sëmundja e papagajve dhe prek papagajtë e specieve parakeet dhe macau, pa paraqitur simptoma. Te njerëzit, simptomat mund të jenë: temperaturë, ethe, pneumoni dhe dhimbje koke. Sëmundja transmetohet te njeriu me anë të bakteries Chlamydophila nëpërmjet thithjes së ajrit në kontakt me feçet e thara të zogjve të infektuar.
5. Lepra që vjen nga armadilët
Disa lloje armadilësh mbartin leprën. Megjithëse është pak e mundur që kjo sëmundje t’u ngjitet njerëzve, përsëri kërcënimi ekziston. Saktësisht, në Florida u shfaqën sivjet disa raste lepre dhe për këtë arsye, specialistët i këshilluan banorët të mos u afrohen armadilëve. Kjo sëmundje u shkakton njerëzve deformime të rënda dhe dëmtime neurologjike në gjymtyrë.
6. Bruceloza. Vjen nga bagëtitë
Kjo sëmundje bakteriale i transmetohet njeriut nëpërmjet konsumimit të nënprodukteve të qumështit të papasterizuar. Ata që punojnë në kombinate mishi dhe kasapët rrezikohen ta marrin atë nëpërmjet ajrit. Sëmundja është shumë ngjitëse dhe simptomat janë dhimbja e muskujve dhe djersitja e madhe.
7. Cisterkoza. Vjen nga derrat
Cisterkoza është në të vërtetë një sëmundje parazitare e indeve që shkaktohet nga larvat e krimbit Taenia solium, por njerëzit mund të infektohen prej saj duke konsumuar mish të papjekur mirë. Cisterkoza mund të transmetohet nga një njeri te tjetri nëpërmjet feçeve, kur nuk zbatohen rregullat e higjienës në përgatitjen e ushqimit. Sëmundja shkakton kriza epileptike te të rriturit në vendet e pazhvilluara, ku konsumohet shumë mishi i derrit.
8. Elefantizmi. Vjen nga krimbat
Askaridet (krimbat e zorrëve) mund të shkaktojnë elefantizmin, një sëmundje që prek sistemin limfatik dhe shkakton zmadhim kryesisht të gjymtyrëve të poshtme. Sëmundja shkakton dhimbje të forta dhe paralizë. Parazitët kalojnë te njerëzit nëpërmjet pickimit të mushkonjave, sidomos në vendet ku ka shumë të tilla.
9. Sëmundja e gjumit. Vjen nga miza ce-ce
Tripanosomiaza afrikane, ose sëmundja e gjumit shkaktohet nga organizmat njëqelizore Trypanosoma brucei. Këta parazitë u transmetohen njerëzve nëpërmjet pickimit të mizës ce-ce. Simptomat e para të sëmundjes janë temperatura, dhimbja e kokës, kruajtjet dhe dhimbjet në kyçe.
10. Esherishia koli e gripi që vijnë nga kafshët e kopshtit zoologjik, etj.
Jashtë ka kopshte zoologjike që mbajnë kafshë shtëpiake, ose të egra, të cilat vizitorët mund t’i prekin dhe ushqejnë. Megjithëse si ide është e mirë, sepse afron njerëzit e veçanërisht fëmijët me kafshët, kjo gjë fsheh disa rreziqe, sepse me anë të saj transmetohet e. Coli dhe gripi. Simptomat më të zakonshme të së parës janë diarreja, por ajo mund të shkaktojë edhe dëmtime të veshkave dhe vdekjen.
11. Voreliosi, ose sëmundja e Lymes. Vjen nga këpushat e drerit
Sëmundja e Lymes prek kyçet, lëkurën, zëmrën e sistemin nervor dhe transmetohet nga këpushat e drerëve. Sëmundja në fillim shfaqet me një shenjë të kuqe rrotull vendit që është pickuar nga këpusha. Sëmundja prek më shumë moshat 5-14 vjeç dhe 40-50 vjeç. Nuk është ngjitëse.
12. Toksokarioza. Vjen nga qentë
Qeni është miku më i mirë i njeriut, por nganjëherë është mbartës i disa sëmundjeve, si toksokarioza. Simptomat e sëmundjes janë: temperaturë, dhimbje barku dhe ndryshime në sjellje. Përhapet me anë të vezëve të parazitëve (krimbave) që gjenden te qentë.
13. Temperaturë dhe dhimbje muskujsh. Vijnë nga hamsterët
Hamsterët janë mbartës së mikrobit Lymphocytic Choriomeningitis (LCMV), megjithatë, nuk sëmuren të gjithë njerëzit që ekspozohen ndaj tij. Disa njerëz paraqesin simptoma të tilla si temperaturë, ngurtësi të qafës, lodhje, anoreksi, dhimbje muskujsh, koke, marrje mendsh dhe të vjella. Mikrobi transmetohet me atë të urinës, pështymës, apo prekjes së folesë së këtyre brejtësve.
14. Leptospiroza. Vjen nga bagëtitë
Kjo sëmundje mund të shkaktojë dëmtime në veshka dhe mëlçi, bile edhe vdekjen. Bakteri transmetohet nga urina në ujë e tokë dhe qëndron aty për muaj të tërë.
15. Salmonela. Vjen nga hardhuca me kreshtë
Hardhucat me kreshtë (Rhacodactylus ciliatus) mund t’u transmetojnë njerëzve salmonelën, siç është vënë re edhe në SHBA. Simptomat përfshijnë të vjella, diarre, temperaturë dhe dhimbje barku. Studimet kanë treguar se edhe hardhucat që janë në dukje të shëndetshme mund të jenë mbartëse së saj, prandaj këshillohet të bëni shumë kujdes nëse mbani një hardhucë të tillë si kafshë shtëpiake.
16. Ethet Q. Vjen nga bagëtitë, etj.
Sëmundja shkaktohet nga bakteria Coxiella burneti që gjendet te lopët, dhentë dhe dhitë. Te njerëzit transmetohet me anë të qumështit, urinës, ose jashtëqitjes së kafshëve të sëmura. Simptomat përfshijnë temperaturë të lartë, dridhje, diarre, marrje mendsh dhe të vjella, dhimbje në gjoks dhe në bark.
17. Tërbimi. Vjen nga qentë, lakuriqët e natës, rakunët, kastorët
Tërbimi kalon te njeriu nga kafshimi apo gërvishtja e ndonjë kafshe. Shumica e vdekjeve nga tërbimi shkaktohen nga kafshimi i qenve të sëmurë, por edhe rakunët, lakuriqët e natës dhe kastorët gjithashtu mund ta transmetojnë atë. Mikrobi prek sistemin nervor dhe shkakton frikë ndaj ujit, hiperaktivitet, haluçinacione dhe shtim të madh të sekretimit të pështymës.
18. Ethja e lëndinës së Riftit (RVF). Vjen nga gjedhët
Kjo sëmundje që shkakton temperaturë, haset më shpesh te gjedhët. Ajo shkaktohet nga mirobi RVF dhe transmetohet te njerëzit qoftë nëpërmjet mushkonjave, qoftë në kontakt me lëngjet e kafshëve të sëmura gjatë therjes dhe ndaj trajtimeve të tjera veterinare.
19. Trikinoza. Vjen nga krimbat e derrave
Trikinoza shkaktohet nga larvat e krimbit Trichinella ring që zakonisht ndodhet te derrat. Te njerëzit kalon nëpërmjet konsumimit të mishit të derrit të pagatuar mirë të kafshës së infektuar. Simptomat përfshijnë marrje mendsh, diarre, të vjella dhe dhimbje barku.
20. Sëmundjet nga gërvishtjet e maces
Sëmundja transmetohet nëpërmjet lëpirjeve dhe gërvishtjeve të maceve. Mikrobi quhet Bartonella henselae dhe shkakton enjtje të gjëndrave limfatike te njerëzit.
21. Salmonela që vjen nga breshkat e ujit
Një breshkë, në pamje të parë e padëmshme, mund të jetë bartëse e bakteres së salmonelës. Këto kafshë mund të duken fare të shëndetshme dhe përsëri të jenë bartëse. Shumica e njerëzve sëmuren nga uji në të cilin jetojnë breshkat.