– I nderuar Dr. Demiri jam nga një qytet ku humorin e kanë si ushqimin, pra, jam nga Shkodra. Më kanë treguar për një ndodhi interesante që në fillim nuk e besova: një roje spitali e kanë trembuar 4-5 të njohur njëri pas tjetrit duke i thënë se “je i sëmurë, ç‘je bërë kështu, qenke zverdhur etj. etj.” dhe ai, i ndikuar prej tyre, përfundoi në urgjencë, pa pasur asnjë sëmundje. Unë e njoh këtë person dhe ai ma konfirmoi vetë që kjo ka ndodhur, pasi njëri i kish thënë “je bërë dyllë i verdhë”, tjetri i kish thënë “hapi sytë të të shoh se diçka ke”, tjetri i kish thënë “më dukesh sikur u ke ikur vorraxhinjve nga duart” etj. etj. dhe ai përfundoi në urgjencë duke iu lutur doktorëve për ndihmë… Unë jam vetë një njeri “merakli” për shëndetin dhe lexoj shumë, por se si ka “evoluar” kjo gjendja e tij, këtë nuk e kuptoj, ndaj jua thashë historinë që të ma tregoni ju se çfarë i ka ndodhur këtij njeriu. A të sëmurin fjalët? Sadja.
Dr. Jashar Demiri, psikolog klinicist: – I nderuar Sade, këtë letrën tuaj ia lexova edhe studiuesit E. Kanaj, i cili ka njohuri specifike për çrregullimet psikosomatike dhe ne nuk çuditemi sepse e dimë shumë mirë se truri ynë ka një ndikim të madh mbi trupin tonë. Kështu, një njeri i “manipuluar” me dizinformacion, i trembur dhe i alarmuar për diçka, aq më tepër që e ka merak shëndetin e që “rrezikun” ia kanë “pohuar” 4-5 të njohur njëri pas tjetrit, është normale të jetë futur në panik e të ketë përfunduar në urgjencë. Kjo ndodh në jo pak raste me ata që ndaj frikërave për shëndetin reagojnë me atake paniku pasi gjatë stresit, te hipertensivët, sistemi nervor shpie në ngritje të mprehta të presionit të gjakut e më pas, ai zbret në kufijtë normalë. Ja se si mund të ketë ndodhur kjo përafërsisht… Ta zëmë se i ka thënë i pari se “të shoh si të verdhur, ti s’je mirë, çfarë ke kështu?!”… Ndoshta ai nuk u ka kushtuar rëndësi fjalëve të tij, por nga ana tjetër, ne i kemi të “regjistruara” në pavetëdije të gjitha “modelet” e ngjarjeve ose mundësitë e frikshme në lidhje me rreziqet që u ndodhin njerëzve. Duek qenë edhe roje spitali, ky person ka parë e dëgjuar për raste të panumërta sëmundjesh e rreziqesh, ka parë edhe të vdekur dhe këto të gjitha, të akumuluara, si pa vënë re nuk kalojnë pa lënë gjurmë. Kështu, nëse ai i pari vërtet nuk ka zgjuar tek ai ndonjë sinjal alarmi, të paktën një “se mos jam vërtet i sëmurë”, e ka menduar… Direkt pas kësaj i ka ardhur tjetri i cili ka bërë sikur është habitur ose trembur nga pamja e tij, pikërisht duke e pyetur: “Çfarë ke kështu?! Ti sje hiç mirë” etj. etj. Këtu, atij i ka filluar t’i zbehet arsyeja dhe sinjali i alarmit ka filluar të bjerë më shumë. Pastaj i treti që i paska thënë: “Prit të të shoh pak sytë” (me demek si doktor) i katërti i ka thënë “je bërë dyllë i verdhë”, i pesti “u paske ikur vorraxhinjve nga duart!” etj. etj. Vetëkuptohet se nga ky lloj informacioni, ai me mendjen e tij e ka vendosur se është në rrezik dhe ka filluar të mendojë se çfarë ka, duke ua hapur rrugën sulmeve të pavetëdijes (siç thotë populli “djallit” apo “shejtanit”).
– Në momentin e marrjes së sinjalit “rrezik”(!) Sistemi Nervor Simpatik ka vepruar duke aktivizuar të gjitha organet të cilat kanë si “komandant” trurin, sikur ky rrezik të ishte i vërtetë. Me shpejtësi, në gjendrrat adrenale (mbiveshkore) është derdhur adrenalinë me shumicë, si “karburanti” për të vepruar e për të ndaluar pasojat dhe njëkohësisht noradrenalinë, e cila është hormoni i zemërimit, inatit, trishtimit etj. Në rastet e ndonjë rreziku të vërtetë, si dikur me njeriun primitiv, këto dy substanca do të ishin djegur duke luftuar, duke vrapuar, duke u mbrojtur etj. kurse në rastin tonë, “vrapi” i tij ka qenë vetëm deri tek urgjenca aty afër, pasi në këtë kohë ai, për shkak të grumbullimit të gjakut te truri dhe mosfurnizimit të tij me oksigjen, ka ndjerë simptomat e marrjes së mendve, errësimit të syve, mosmbushjes me frymë, këputjes, shtim të rrahjeve të zemrës etj. Të gjitha këto kanë ndodhur për shkakun se adrenalina dhe noradrenalina, të derdhura në trup, duhen djegur dhe djegien e tyre trupi e bën duke shtuar më shumë qarkullimin e gjakut (shtohen rrahjet) dhe njëkohësisht duhet jo vetëm gjak, por edhe oksigjen. Mirëpo njeriu i trembur, bën të kundërtën: në vend që të qetësohet, shqetësohet, në vend që të mbushet thellë me frymë e ta mbajë gjatë, pra, të “ventilohet” madje “hiperventilohet” e mban frymën dhe kështu, të gjitha simptomat të cilat në fakt nuk janë simptoma sëmundjes, përjetohen si tmerr si shenja rreziku, sikur vdekja apo çmendja janë të pashmangshme, edhe pse personi i viktimizuar nga thëniet teatrale, mund ta dijë se nuk vuan nga ndonjë sëmundje. Ai ndjen këputje, errësim të syve, palpitacione, bllokim të frymëmarrjes ose një si gjendje “ngrirjeje”, djegësirë në stomak, ndjenja të shkëputjes nga realiteti (ide “derealizimi”) etj. Në këto momente veprojnë edhe çrregullimet psikosomatike si peudodhimbje, ose imitime dhimbjesh dhe kësisoj, ende pa u djegur ajo sasi adrenaline dhe noradrenaline që ishte, “shtypet” ai “butoni” i panikut dhe prodhohet sasia tjetër. Ky prodhimi tjetër shton edhe më shumë simptoma të tjera, simptomat shtojnë frikërat, frikërat kimikate të tjera dhe ja, te ky roja i gjorë është futur në atë që quhet rreth vicioz. Në këtë mënyrë, fjalët e të tjerëve duke e siguruar se është keq, janë shndërruar në kimikate ashtu si na shndërrohet në pështymë, mendimi për një ëmbëlsirë apo për një peshk të pjekur të spërkatur me limon. E keni dëgjuar atë shprehjen “mendja bën kalanë dhe mendja bën hatanë”? Tani, ky person, nëse nuk merr një informacion të saktë e të mos ketë frikë nga simptomat, ka rrezik që kjo t’i regjistrohet në kujtesë si “ngjarje” e t’i shërbejë si sinjal “alarmi”, si kurth paniku dhe, ose tenton që t’i bëhet kronike, ose të prodhojë frikëra të tjera derisa t’i zhvillojë në ndonjë fobi. Asnjë lloj rreziku nuk ka kjo gjendje, veçse atë të futjes në fobi, të cilat i heq vetëm psikoterapia.
Advertisement