Skeleti i një burri, me moshë afro 25 vjeç para 14 mijë vjetëve, zbuluar në Italinë e Veriut, vazhdon të shërbejë si burim informacioni për shkencëtarët, edhe 20 vjet pas zbulimit të tij. I fundit zbulim është ai i njërit prej dhëmbëve të tij, gjysmë i prishur, që është “trajtuar” me sileks (gur silici me majë të mprehtë që përdorej si armë). Ju duket tmerr vajtja te dentisti, me gjilpërat e tij mpirëse dhe veglat që përdor? Imagjinojeni pak veten në lashtësi, me një tufë dhëmbësh të prishur! Një ekip paleoantropologësh ka botuar një artikull ku ka shkruar përfundimet e studimit të tij. Sipas tyre, prerjet e bëra në dhëmb janë fryt i goditjes me një gur me majë. Përfundimi: Dikush, në atë kohë, është përpjekur të lehtësojë vuajtjet e dhëmballës së prishur të burrit, duke përdorur një sileks. Sipas “Uashington Post”, kjo është kirurgjia dentare më e lashtë e botës. Sipas njëri prej autorëve të artikullit: “Vendi i infektuar është hequr nga brenda dhëmbit me një vegël me majë prej guri. Kjo tregon se njerëzit e epokës së paleolitit të vonshëm i njihnin efektet e dëmshme të karieve dhe dinin t’i hiqnin qafe ato… dhe të duronin dhimbjen, që imagjinojmë se duhet të ketë qenë shumë e fortë!”. Megjithatë, për mbushjen e parë, duhet pritur 7000 vjet më vonë. Ajo është vrojtuar te dhëmbi i një njeriu të gjetur në Slloveni dhe ka qenë prej dylli blete.
Advertisement