I mungon Diellit në të gdhirë…
U thye një rreze dielli në sipërfaqe uji
dhe rrathë dhimbjesh hapi ngadalë
I dhembi diellit që rrezja iu thye
kokën fshehu pa folur fjalë.
A thua vallë t’i mungojë një rreze
që shkoi u thye pa lamtumirë.
Mbase çdokujt nuk i mungon
por i mungon diellit në të gdhirë. Auror’a CM
E gjallë në zemër
Degdisa zemrën larg prej teje
Por ty të lashë në shpirt të saj
Dhe gjaku i etur nëpër deje
Të mbante gjallë ty, paskëtaj…
Të mbante gjallë në zemrën time
Si një kujtim, si brengë, si lot
Kur shkelja rëndë në meditime
Të ndjeja gjallë…, s’të prekja dot!
Të ndjesh të gjallë dikë në zemër
Edhe ta kesh imazh ndër sy
Të pëshpëritësh veç një emër
Të dukesh një, të ndjehesh dy!
Kjo pra qenka dashuria…
Që dhe gjininë e ka femër
Zemrën mban larg nga disa njerëz
Por përjetësisht i ke në zemër! Bledi Ylli
Të jesh Nënë…
Do zgjohesh edhe pse nuk vure gjumë në sy
edhe kur trupin e lodhur dhimbja e bluan.
Dhe kur e ndjen shpirtin e vdekur, s’i mban dot zi
Do t’i këndosh dashurisë, edhe kur s’të duan.
Duhet të qeshësh edhe kur loti përpëlitet nën qepallë
Do të durosh me ngulm, mllefin e botës që të kapërdin
Do t’i ndjesh lumenjtë e përkripur të djersës mbi ballë
e në çdo fushë-betejë të jetës luftë, do jesh Heroinë…
Do thuash gjithmonë më të bukurën fjalë
Edhe pse bota shumë herë kërkon ta pështysh.
Do t’i dalësh zjarrit edhe plumbit përballë
Dhe malet shekullore me duar pëgjakur do t’i shtysh.
Sepse je Nënë dhe duhet të jesh e plotfuqishme.
As dhimbje, as trokitje e vdekjes nuk të mposht dot
As lodhje, as trishtim, as vuajtje e përditshme.
Sepse TI rrit fëmijë, je Nënë, je Zot mbi Zot… Angjelina Ndoj
Shiu i verës
Ky shi i lehtë vere sot nuk më lag
Heshtjen time aspak s’ma prish
Zëra të pakuptueshëm vijnë nga larg
Qetësinë s’ka gjë të ma gërvishtë.
Ka diçka të veçantë shiu i verës
Aromën e tokës si asnjë tjetër
Qindra ylberë që pas reve fshihen
Njëri do të më buzëqeshë patjetër.
E adhuroj pa fund shiun e verës
Prekjen, aromën, muzikën e tij
Por më shumë i adhuroj ylberët
Se në mes tyre kam ylberin tim. Aida Previzi
E harrova zërin tënd
Mos prit me kohën që të shërohesh
Nga plagë shpirti që s’rrjedhin gjak
Me dhimbjen e tyre do t’mësohesh
Por s’do t’shërohesh jo, aspak…
U krenove si pa dashje ti te mua
Në zemrën time hyjnë e dalin shumë, më the
Ndërsa unë atje mbaj ata që dua
Sepse zemra s’është hotel e as muze.
E më the që dashuria vjen e ikën
Nuk vë shpirtin kurrë më the, në dashuri
Kujt në trup më the, i ngulin thikën
Do të ketë një jetë hemorragji!
I harrova ato britma kënaqësie
Ato klithma në kujtime nuk kanë vend
Le të ishin copëza dashurie
Dua të them që e harrova zërin tënd. Bledi Ylli
Miqtë dhe mikeshat e gjuetarit
Një rosë e egër zevzeke, që shtegton pafundësisht.
Një thëllëzë nazike, që këndon me nota ëmbëlsisht.
Një shapkë, që të dhimbset, kur befas trembet,
Një çafkë uji, që ndjek cironkat në buzëmbrëmje.
Një shkurte, që rri me të vegjlit deri në agim.
Një bajzë dembele sikur thotë, ky është pellgu im!
Një patë e egër, që ku e zë dita, s’e zë nata;
Një Pelikan, që i ka si shtylla këmbët e gjata.
Një mjelmë e paqme, si grua e kolme perëndeshë.
Një lejlek në fole, vështron tek pi ujë një laureshë.
Një derr i egër, që gërmon me feçkë në pyll.
Një turtull syshkruar, që ngjan në horizont si yll!
Një dhelpër bishtgjatë, që hilet kurrë s’i harron;
Një pupëz, veshur me ngjyra ylberi, që të verbon.
Një lepur i egër, që kërcen pupthi mbi fijet e barit;
Këto krijesa janë miqtë dhe mikeshat e gjuetarit… Flamur Cepele
Zemra
(Kadri Roshi për peshkatarët e Divjakës)
– I tha sorkadhit, sorkadhja,
Bukuroshja, zemërmadhja:
– I dashur, të dua shumë,
Po ti, a më do sa unë?
– Të dua, moj shtatlastare
Mos e vër në dyshim fare…
Moj e hirshme, shpirt o xhan
Në zemër të zemrës të kam! Izet S. Çulli
Si ta shpreh pasthirrmën time
Ah, kjo rrugë e jetës më zhgënjeu
Sa kryeneçe varfëria
Se ëndrrat mbetën kaq të gjata
Dhe invalide lumturia
Mos vdisni o ju, njerëzit e mi të dashur
Mos vdisni
Është kohë e keqe, ters e dreq
Pas jush borxhi do të më hajë
Në këtë botë, ç‘djall e ndreq. Sh. Qendro.
Ta kisha me vete
Vetminë, hijen do t’ia zhdukja
Malit, lartësinë do t’ia sheshoja
Erës, freskinë do t’ia merrja,
Lumit, nxitimin do ia ndaloja
Qiellit, yllin e vetëm do t’ia grabisja
Maskën e heshtjes, nga fytyra e mërzitjes do ta grisja!
Me zjarrin e fshehtë të ndjenjës,
Akullin e pritjes do ta shkrija
Zogut, krahët do t’ia këpusja,
Me to do të fluturoja nëpër dete,
Ylberin e shikimit të syçkave të tua,
Ta kisha, ta kisha kudo me vete. Alban Arapi