– I nderuar doktor, jam një vajzë 24 vjeçe që prej një viti kam dhimbje në krahun e djathtë. Dhimbja më fillon në kokën e supit, në shpatull dhe në gjoksin e djathtë. Jam bërë shumë merak se mos kam ndonjë gjë në gjoks, por nga jashtë, lëkura e gjoksit nuk ka asnjë ndryshim nga gjoksi tjetër vetëm se ndonjëherë përveç dhimbjes kam ndonjë si shpim. Dhimbja nuk është aq e madhe vetëm se dua që dikush të më bëjë masazh në shpatull, gjoks dhe ndonjëherë, edhe nën sqetull. Doja të dija: Mos vjen kjo dhimbje nga muskujt e lodhur, sepse dora e djathtë përdoret gjithnjë më shumë se e majta dhe se rri shumë kohë në kompjuter duke lëvizur krahun, apo mos është ndonjë gjë tjetër? Theksoj se, në qoftë se e shtrydh fort, nga gjoksi më rrjedh një si tip lëngu dhe ky gjoks më ka ngelur më i madh se tjetri e më i ndjeshëm, që para 5 vjetësh që e kam patur djalin në gji. Djali ka pirë vetëm dy muaj sepse më iku qumështi, sado që pak qumësht kisha. Edhe pas këtyre viteve dhe tani që e shtrydh, del pak si lëng. Ju lutem, më ktheni një përgjigje. Ju faleminderit.
Dr. Agron Islamaj, neurolog: – Nga të dhënat tuaja, mendoj se ju keni nevojë të konsultoheni me një mjek gjinekolog, pasi ankesat që keni mund të lidhen me mbetjet e disa kisteve që formohen në gjëndrat e qumështit, në periudhën që keni patur fëmijën në gjoks. Përpara konsultës, për të përjashtuar një problem të kolonës në nivelin e qafës e rruazave të gjoksit, është mirë të bëni (në dy pozicione) një grafi në këto nivele (në qafë e rruazat e gjoksit në dy pozicione), si dhe të bëni gjithashtu një mamografi të gjoksit. Vetëm atëherë mund të thuhet shkaku e më pas t’i nënshtroheni një mjekimi të caktuar, për t’u kthyer sa më parë në normalitet. Ju uroj shëndet e shërim të shpejtë!