Fat në fatkeqesi
Fati i bardhë të dërgoi tek unë?
Apo ishte thjesht një rastësi?!
S’di në më je vetë mrekullia
Apo je një fat, në fatkeqësi…
Eh, s’ka si të jetë ndryshe
Kjo situatë kaq e dyfishtë
Në një anë shoh “engjëllin mbrojtës”
Dhe në tjetrën, “djallin” si bishë!
Unë si e marrë shumë të desha
Dhe ti më doje po aq shumë.
Por ç’emër t’i vë unë këtij fati,
Kur natën lotët më derdhen lumë!?
Megjithatë, ishe gabimi më i bukur
Që kam bërë unë ndonjehere
Aty ku gjunjëzova egon
Dhe fatkeqësisë iu ula në prehër
Më mire mos të të kisha njohur
Se kështu s’do ndjeja dhimbje e lot.
Jo. Më mirë jo, se ndryshe s’do ta kuptoja
Që kjo për mua, ishte ndjenja më e bukur në botë! Vali Kalemi
I mungon Diellit në të gdhirë…
U thye një rreze dielli në sipërfaqe uji
dhe rrathë dhimbjesh hapi ngadalë
I dhembi diellit që rrezja iu thye
kokën fshehu pa folur fjalë.
A thua vallë t’i mungojë një rreze
që shkoi u thye pa lamtumirë.
Mbase çdokujt nuk i mungon
por i mungon diellit në të gdhirë. Auror’a CM
Sa më mungon fjala jote
Sa më mungon fjala jote, vetëm ajo më qetëson e s’më lë bosh,
Sa kam nevojë të më përqafosh, mërzinë time të ma largosh,
Sa shumë e ndjej vetminë, që ma kthen gëzimin në hidhërim,
Sa më mungon, sa më mungon, si do ta largoj këtë trishtim?
Thonë se dhe Hëna jeton vetëm, gjithashtu edhe Dielli,
Jo, nuk është e vërtetë, se janë bashkë në gjithësinë e qiellit
Yjet u sillen rrotull, duke i puthur ato në gushë, si jo më mirë,
Kurse unë e ti në dy botë të ndarë, unë krejt në shkretëtirë…
Ti në dritën parajsore, ndërsa unë në terr, lundrojmë të ndarë,
Ti në botën e drejtë, unë në të gënjeshtërt e pushtuar nga një zjarr,
Zjarri i dashurisë për ty, më djeg dëshirën të jetojmë të dy bashkë,
Nga kjo jetë gënjeshtërt të largohem, sa më parë të dal jashtë…
Lutjet e mia pse nuk i dëgjon, pse e bëre zemrën gur?!
Vallë, rrugën kush ta preu, që më le në pritje në këtë mur?
Zjarrin që ndezëm bashkë, përse e fike e më ke harruar?
Jo, jo, nuk më largon dot, se unë si krisje të kam pushtuar!
S’dua të thur gjithmonë vargje për ty, por mendja te ti më rri,
Dua mërzinë ta tret e diku tutje të ndez një zjarr krejt të ri,
Por, jo, jo, këtë nuk e bej dot, se zjarri yt nuk është shuar,
Është kthyer në vullkan e gjithë shpirtin tim e ka përvëluar… Luljeta Gj. Pashollari
E gjallë në zemër
Degdisa zemrën larg prej teje
Por ty të lashë në shpirt të saj
Dhe gjaku i etur nëpër deje
Të mbante gjallë ty, paskëtaj…
Të mbante gjallë në zemrën time
Si një kujtim, si brengë, si lot
Kur shkelja rëndë në meditime
Të ndjeja gjallë…, s’të prekja dot!
Të ndjesh të gjallë dikë në zemër
Edhe ta kesh imazh ndër sy
Të pëshpëritësh veç një emër
Të dukesh një, të ndjehesh dy!
Kjo pra qenka dashuria…
Që dhe gjininë e ka femër
Zemrën mban larg nga disa njerëz
Por përjetësisht i ke në zemër! Bledi Ylli
Të jesh Nënë…
Do zgjohesh edhe pse nuk vure gjumë në sy
edhe kur trupin e lodhur dhimbja e bluan.
Dhe kur e ndjen shpirtin e vdekur, s’i mban dot zi
Do t’i këndosh dashurisë, edhe kur s’të duan.
Duhet të qeshësh edhe kur loti përpëlitet nën qepallë
Do të durosh me ngulm, mllefin e botës që të kapërdin
Do t’i ndjesh lumenjtë e përkripur të djersës mbi ballë
e në çdo fushë-betejë të jetës luftë, do jesh Heroinë…
Do thuash gjithmonë më të bukurën fjalë
Edhe pse bota shumë herë kërkon ta pështysh.
Do t’i dalësh zjarrit edhe plumbit përballë
Dhe malet shekullore me duar pëgjakur do t’i shtysh.
Sepse je Nënë dhe duhet të jesh e plotfuqishme.
As dhimbje, as trokitje e vdekjes nuk të mposht dot
As lodhje, as trishtim, as vuajtje e përditshme.
Sepse TI rrit fëmijë, je Nënë, je Zot mbi Zot… Angjelina Ndoj
Shiu i verës
Ky shi i lehtë vere sot nuk më lag
Heshtjen time aspak s’ma prish
Zëra të pakuptueshëm vijnë nga larg
Qetësinë s’ka gjë të ma gërvishtë.
Ka diçka të veçantë shiu i verës
Aromën e tokës si asnjë tjetër
Qindra ylberë që pas reve fshihen
Njëri do të më buzëqeshë patjetër.
E adhuroj pa fund shiun e verës
Prekjen, aromën, muzikën e tij
Por më shumë i adhuroj ylberët
Se në mes tyre kam ylberin tim. Aida Previzi
E harrova zërin tënd
Mos prit me kohën që të shërohesh
Nga plagë shpirti që s’rrjedhin gjak
Me dhimbjen e tyre do t’mësohesh
Por s’do t’shërohesh jo, aspak…
U krenove si pa dashje ti te mua
Në zemrën time hyjnë e dalin shumë, më the
Ndërsa unë atje mbaj ata që dua
Sepse zemra s’është hotel e as muze.
E më the që dashuria vjen e ikën
Nuk vë shpirtin kurrë më the, në dashuri
Kujt në trup më the, i ngulin thikën
Do të ketë një jetë hemorragji!
I harrova ato britma kënaqësie
Ato klithma në kujtime nuk kanë vend
Le të ishin copëza dashurie
Dua të them që e harrova zërin tënd. Bledi Ylli
Miqtë dhe mikeshat e gjuetarit
Një rosë e egër zevzeke, që shtegton pafundësisht.
Një thëllëzë nazike, që këndon me nota ëmbëlsisht.
Një shapkë, që të dhimbset, kur befas trembet,
Një çafkë uji, që ndjek cironkat në buzëmbrëmje.
Një shkurte, që rri me të vegjlit deri në agim.
Një bajzë dembele sikur thotë, ky është pellgu im!
Një patë e egër, që ku e zë dita, s’e zë nata;
Një Pelikan, që i ka si shtylla këmbët e gjata.
Një mjelmë e paqme, si grua e kolme perëndeshë.
Një lejlek në fole, vështron tek pi ujë një laureshë.
Një derr i egër, që gërmon me feçkë në pyll.
Një turtull syshkruar, që ngjan në horizont si yll!
Një dhelpër bishtgjatë, që hilet kurrë s’i harron;
Një pupëz, veshur me ngjyra ylberi, që të verbon.
Një lepur i egër, që kërcen pupthi mbi fijet e barit;
Këto krijesa janë miqtë dhe mikeshat e gjuetarit… Flamur Cepele