Ka lindur në Belgjikë më 3 nëntor 1999 dhe në moshën tre-vjeçare ka ardhur të jetojë në Tiranë. Amanda Sejdinaj është kurorëzuar në Shkodër mbrëmjen e së shtunës si “Miss Adoleshenca Shqiptare 2015” mes 20 vajzave nga Shqipëria në spektaklin e organizuar nga Agjencia e Spektakleve “Jehona e Shkodrës”, e cila sivjet ka 15-vjetorin e saj. Zeshkania fotozhenike u përgjigjet lirisht pyetjeve për jetën e saj, pasionet, lidhjen e saj me Belgjikën, ku pret që të marrë pasaportën pas 2 vjetësh, kur të mbushë 18 vjeçe. Vajza e basketbollistes së Tiranës, Ornela Zekthi dhe nga i njëjti trung familjar me Mjeshtrin Besim Zekthi, Amanda rrëfen për ëndrrat e madje edhe vegimet e saj, si edhe për çapkënllëqet që ka bërë herë pas here me shoqërinë dhe familjarët. “S’dua që të më identifikojnë si një vajzë që e ka babain biznesmen sepse dua të çaj vetë në jetë, ashtu si rrugëtimi që bëra e vetme në këtë kompeticion. Kam edhe një ëndërr tjetër, të shkoj në Amerikë”, thotë mes të tjerash ajo. Në mbyllje, Amanda falënderon të gjithë stafin profesional të Agjencisë së Spektakleve “Jehona e Shkodrës”, regjisorin Zef Deda, aktorin e talentuar Ergys Bamçi, jurinë e kryesuar nga Julian Deda dhe në veçanti, Presidentin e kësaj agjencie, Xhelal Halili, për përkujdesjen dhe përkushtimin që treguan gjatë audicioneve disa javore në palestra, në provat gjenerale në skenën e teatrit “Migjeni”, si dhe në udhëtimet e vajzave konkurrente në disa nga resortet turistike më të njohura të Shqipërisë…
Arben Lagreta: – Amanda, si e morët vendimin për të marrë pjesë në “Mis Adoleshenca Shqiptare 2015”?
Amanda Sejdinaj: – Nuk ishte një vendim, ndodhi krejt rastësisht. Po kaloja pranë zyrës së “Mis Adoleshenca Shqiptare” te Stacionit i Trenit dhe njëra nga vajzat e stafit, Elisa, që më kishte parë nga larg, erdhi e më preku në sup. Ktheva kokën dhe ajo më pyeti për emrin, me çfarë merresha dhe pastaj më pyeti nëse dëshiroja të bëhesha modele. Unë iu përgjigja pozitivisht dhe e ndoqa, por pak me mosbesim. Pastaj vajzat e tjera të stafit në zyrë u morën me regjistrimin. Kur pashë tërë këtë angazhim vendosa po aty që të merrja pjesë. Ishte muaji prill, kur ia thashë mamasë se e kisha patur si vegim këtë që më ndodhi, pra, që dikush do të më vinte nga mbrapa dhe të më ofronte të bëhesha modele. Kjo ka qenë një ndër ëndrrat e mia. Mamaja më dëgjoi dhe pranoi pa hezitim që ta ndiqja parandjenjën time.
– Natën e spektaklit ishit e sigurt në vetvete dhe performuat bukur, pa u shqetësuar nga kamerat apo blicet e aparateve fotografike. Keni patur më përpara ndonjë eksperiencë të ngjashme në skenë?
– Po, para pak muajsh, kur te Cirku i Madh i Tiranës u organizua një konkurs bukurie nga shkolla jonë për klasat e 8-ta dhe të 9-ta. Kjo ka qenë eksperienca e vetme para publikut megjithëse nuk ishte skenë e mirëfilltë dhe aty nuk fitova. (Qesh)
– Mos ke patur ndonjë vegim edhe përsa i përket aktrimit?
– Jo, por po ju tregoj dy histori për të qeshur ku kam aktruar live. Pas njërit prej provimeve, të gjithë shokët dhe shoqet po më prisnin. Unë isha bërë pak vonë dhe po më çonte babi me makinë bashkë me një shoqen time. Shoqja ime që ishte me mua në makinë më tha që t’i bënim një lojë njërë prej shoqeve që po na prisnin. “Shtiru sikur të ka ndodhur ndonjë gjë sepse e luan mirë pjesën”, më tha shoqja ime dhe ashtu bëra. I telefonova shoqes sime dhe bëra sikur po qaja, se nuk mund të shkoja. Shoqja ime u merakos shumë dhe më tha se mund të vinte të më merrte me taksi. Duke komunikuar me mua në telefon filloi të qante edhe ajo meqë unë nuk mund të flisja gjoja nga halli që kisha e që nuk po ia shpjegoja dot… Kurse aktrimin e dytë e bëra me vëllain e vogël në det. Po luanim dhe unë bëra sikur i ngela në dorë dhe u zhyta në ujë për disa sekonda. Vëllai u tremb shumë dhe tha: “Obobo si t’i them mamit tani” se në fakt mami po vinte, por ishte pak larg. Kur hapa sytë dhe u çova në këmbë, vëllai u zemërua e nuk më ka folur atë ditë, por mamit nuk i tha asgjë.
– Më thatë se sapo keni mbaruar shkollën 9-vjeçare te “Lidhja e Prizrenit” dhe se doni të vazhdoni studimet në shkollën “Harri Fultz”. Pse kjo zgjedhje?
– Më pëlqen “Harry Fultz” sepse aty mund të marr një zanat, kurse në shkollat e tjera studion, por nuk e di se si do të dalësh. Megjithëse kjo njihet si shkollë çunash, dua të regjistrohem te dega e elektronikës. Shkolla njihet në Evropë e në Amerikë, kështu që me kohë, nëse do të vendosem jashtë Shqipërisë për vazhdimin e studimeve të larta, do të hap atje një servis kompjuterash.
– Ky është një vendim i juaji apo këtu kanë ndikimin e tyre prindërit ose mësuesit?
– Mami e ka vënë re qëkur isha e vogël se jam e dhënë pas kompjuterave dhe pajisjeve dixhitale dhe ka edhe ajo ndikimin e saj në këtë vendim.
– Na flisni pak për familjen tuaj, përbërjen e saj…
– Babi është inxhinier elektronik dhe ka një fabrikë të lëndëve plastike, është një ndër aksionerët e saj, kurse mami, Ornela Zekthi, ka qenë basketbolliste, një herë me Partizanin e pastaj me Tiranën. Unë kam lindur në Belgjikë dhe sapo të mbush 18 vjeçe, do të marr pasaportën atje. Kam edhe një vëlla më të vogël. Jam rritur me idenë se megjithëse familje biznesmenësh, gjërat duhet t’i arrij vetë e jo t’i marr gati nga prindërit.
– Mbiemri Zekthi më kujton kërcimtarin e famshëm të Ansamblit të Shtetit, Besim Zekthin…
– Po, mamaja është në një trung familjar me Besim Zekthin, lidhet nga gjyshi…
– Sa kohë keni jetuar në Belgjikë?
– Në Belgjikë kam lindur e jam bërë 3 vjeçe, por pastaj u kthyem. Këtu ndikoi mamaja. Për herë të fundit atje kam qenë vjet, me pushime. Babi donte të punonte atje dhe të investonte këtu në Shqipëri, ashtu si bëri. I pëlqen akoma të shkojë të jetojë në Belgjikë, edhe sikur të mos e ketë më fabrikën. Siç e përshkruan babi, Belgjika është një vend përrallor.
– Gjatë intervistës që dhatë në spektakël ju thatë se një ndër hobitë tuaja është piktura. Përse zgjodhët elektronikën përpara pikturës?
– Piktura është thjesht një hobi që e kam pasur që e vogël, por zgjedhja më e mirë, e përsëris se është elektronika.
– Po kërcimi, ju ka tërhequr ndonjëherë?
– Jo sa për ta quajtur hobi. Preferoj valsin dhe dansin, por edhe këto, më tepër që t’i shikoj në televizion apo t’i dëgjoj, deri këtu.
– Cilin aktor apo aktore keni idhull?
– Kam idhull Robert Patinsonin, që është aktor, model, muzikat dhe producent. Në filmin “Tvvilight”, “Tvvilight Saga” etj. ishte hera e parë që e kam parë dhe u dashurova me mënyrën se si ai aktronte, me shikimin e tij. Në këtë film ai luante rolin e një vampiri dhe ishte mënyra se si luante që më tërhoqi shumë.
– Jeta është treguar dorëlëshuar me ju sepse nuk ju mungon asgjë…
– Dakord, por jeta më ka forcuar shumë. Këtu në Miss Adoleshenca erdha vetëm, bëra një rrugëtim vetëm, por edhe mbështetje nga prindërit. Disa vajza këtu shoqëroheshin nga mami e babi, ndërsa unë nuk e doja këtë lloj përkujdesjeje. Nuk kam folur me asnjë nga vajzat për pozicionin e prindërve të mi, nuk më pëlqen të shes mend. Edhe mbrëmë sapo u mbyll spektakli dhe shkuam për darkë, e hoqa kurorën sepse doja që të isha si vajzat e tjera e të mos tërhiqja vëmendjen.
– Pas 2 muajsh ju mbushni 16 vjeçe dhe sapo u shpallët Miss Adoleshenca 2015. A keni të dashur?
– Jo. Si çdo vajzë adoleshente, mund të kem ndonjë pëlqim, por tani më kërkohet shumë llogari në shtëpi. Jo enkas për këtë temën e të dashurit, por edhe unë vetë dua që të jem e përqendruar. Nuk kam kohë sepse merrem me shumë gjëra. Që prej një viti, përveç shkollës, merrem me stërvitje në palestër, me shtanga etj. Jam veçuar disa herë edhe nga shoqëria ime për këtë arsye. Ata e dinë se jam shumë e zënë dhe se nuk mund të kaloj dot aq kohë me ta sa ata me njëri-tjetrin. Për shembull, rreth orës 8 e gjysëm të mbrëmjes kur ata kthehen nga xhiroja në Bllok, unë jam e zënë me stërvitjen, kursin e anglishtes, shto këtu edhe provat për në Miss Adoleshenca, kohët e fundit… Me fjalë të tjera, nuk jam akoma gati për të patur të dashur.
– Cilat mendoni se janë pikat më të forta në paraqitjen tuaj fizike?
– Si gjatësi dhe konstrukt ndjehem shumë mirë me veten, më ka ndihmuar edhe stërvitja që bëj rregullisht prej një viti, por ndoshta jam pak më mirë me këmbët dhe shpatullat e gjera.
– Ndonjë ëndërr tjetër që keni në sirtar dhe nuk ma keni thënë?
– E kam një synim, një ëndërr: të shkoj në Amerikë.
– Pse ju pëlqen Amerika?
– Nuk e di, është diçka që më tërheq më shumë në Amerikë në raport me Evropën. Evropa ka qytete simbol të bukurisë si Parisi, Brukseli. Po ashtu në Gjermani ka qytete të bukura dhe të veçanta, ndërsa Amerika, nuk e di as vetë që t’ju jap një përgjigje specifike se përse më pëlqen kaq shumë.
– Mos ndoshta ngaqë njerëzit atje janë më praktikë dhe jashtë rregullave strikte dhe burokratike deri në mërzi që i gjen në Evropë?
– Ndoshta po.
– Në mbyllje, urojmë t’ju realizohen ambiciet dhe planet që keni…
– Ju falënderoj edhe juve për intervistën.