– Jam një zonjë 40 vjeçe, që sapo kam filluar plazhin. Më shqetëson shumë fakti se, sa herë shkoj në plazh, marr infeksione gjinekologjike. Ju lutem, më thoni si të veproj që të mos prekem nga këto infeksione sepse më shqetësojnë shumë…
Dr. Mehmet Rrodhe Patholog (Citolog): – Pyetja juaj është shumë e drejtë, shqetësim të cilin e kanë dhe shumë femra të tjera. Infeksionet gjinekologjike janë ndër sëmundjet më të zakonshme që hasen në praktikën e përditshme te gjinekologu. Këto infeksione kanë disa shkaktarë si: bakteret, myku, viruset e protozoaret. Nga infeksionet gjinekologjike, preken të gjitha grupmoshat te femrat duke mos bërë përjashtim edhe moshat e vogla, edhe ato që nuk kanë kryer asnjëherë marrëdhënie seksuale. Në periudhën e plazhit, këto infeksione gjinekologjike janë më të shpeshta. Plazhet kanë një popullaritet të shtuar ku jo çdo njeri ka një përkujdesje të veçantë të higjienës personale dhe asaj të ambientit. Kujdes i veçantë duhet treguar me higjienën personale, duke mundësuar ndërrimin e rrobave dy herë në ditë dhe të mos mbahen në trup të lagura gjatë sepse favorizojnë krijimin e mykut. Përdorimi i peshqirëve duhet të jetë personal sepse fshirja me peshqirin e tjetrit bëhet shkak për marrjen e viruseve që mund të gjenden në këta peshqirë. Rëndësi të veçantë duhet t’i kushtohet edhe shezlongut ku shtriheni. Ai duhet të fshihet para se të shtriheni në të e t’i vendoset sipër një peshqir i pastër. Edhe lagështirës së shezlongut duhet t’i kushtohet kujdes, nuk duhet të shtriheni në të nëse nuk është tharë. Ambienti përreth duhet të jetë i pastër nga hedhja e mbeturinave dhe shtrirja në rërë bëhet shkak për marrje të mikrobeve bakteriale. Futja në ujë deti të papastër ose në pishina të pakontrolluara janë shkak i marrjes së infeksionit. Kur nuk respektohen të gjitha këto, bëhen shkaqe që femrat të marrin një lloj infeksioni gjinekologjik si ai bakterial, mykotik, viral apo protozoare.
– Shenjat fillestare të një infeksioni gjinekologjik fillojnë me skuqje të organeve gjenitale, kruarje dhe sekrecione me aromë jo të mirë e ngjyrë si gri apo si e verdhë, deri edhe në krijimin e qelbit. Ndonjëherë shenja të para të infeksioneve gjinekologjike janë edhe shqetësimet urinare si: Shpejtimi i urinimit, djegie në urinim sepse nga lloji i mikrobit të marrë varet edhe ecuria e infeksionit. Nëse lihet pa mjekim, infeksioni shtohet e shenjat janë më dominante, si dhembje në fund të barkut. Ky infeksion mund të depërtojë edhe deri në mitwr, tuba e vezore.
– Këshilla e parë është higjiena personale te femrat e rritura dhe kujdes prindëror për vajzat e vogla. Kini kujdes nga ambientet, shezlongjet, uji dhe peshqirët të cilët duhet të jenë personalë. Në rast të shfaqjes së ndonjë shenje të infeksionit gjinekologjik, duhet të drejtoheni menjëherë te mjeku gjinekolog, t’i nënshtroheni vizitës gjinekologjike dhe bakteriologjisë virale duke bërë edhe Pap-testin. Asnjëherë nuk duhet të merrni medikamente pa vizitën mjekësore e sidomos, antibiotikët. Në shumicën e rasteve të tilla duhet të mjekohet edhe partneri i femrës e cila ka marrë infeksionin. Shumë infeksione gjinekologjike janë të kombinuara (bakteriale + mykotike, virale + bakteriale, virale + mykotike). Kujdes të madh duhet të kenë gratë shtatzëna (sepse kanë edhe një imunitet më të ulët e për rrjedhojë, infeksioni zhvillohet më lehtë). Duhet të bëni kontroll periodik te gjinekologu, aktivitet fizik dhe të keni regjim ushqimor të shëndetshëm.