Dy dukuri shfaqen në realitetin politik të këtyre ditëve në Shqipëri: korrupsioni i madh dhe i sofistikuar i strukturave të shtetit, skenarët me të cilët janë realizuar do t’i kishte zili edhe Hollivudi dhe qëndrimi tërësisht anemik, pa frymë dhe fuqi veprimi i opozitës ndaj këtij realiteti.
Me korrupsionin e strukturave të shtetit po merret SPAK për t’i kthyer dyshimet në aktakuza. Po PD, si forcë kryesore e opozitës, pse nuk del dot nga kjo gjendje? Sigurisht që kriza e saj është edhe çështje organizative, shterim idesh e mungesë aksioni politik e luftë mes elitave dhe brezave brenda saj. Por, në radhë të parë, kjo krizë e saj lidhet sidomos me shkallën e thellë të korrupsionit dhe krimit në të cilën është gatuar e mbajtur në fuqi ky subjekt politik gjatë gjithë kohës së qeverisjes së saj.
Kaq shumë ndikon në radhët e saj e shkuara korruptive dhe kriminale, saqë sot e ka humbur plotësisht besimin në popull si opozitë. Nuk i del dot përballë popullit, ndaj edhe aksionin e saj politik e kryen si luftë guerrile në errësirën e natës. Të guxosh të drejtosh një lëvizje të tillë sot në shekullin e 21, kur janë të gjitha mjetet për një opozitarizëm të hapur, ballor e me mjete demokratike, do të thotë se, me ndërgjegje, po kryen një krim.
Natyrisht që PD, me këtë lloj lufte, duket se është kthyer në origjinën e saj të hershme, me të cilën lidhen krimet, korrupsioni dhe gjakosja e demokracisë kur ishte në pushtet. “Guerilasit e natës” nuk shpreh vetëm përmbajtjen e aksionit politik, por edhe atë ideor, propagandistik, moral e psikologjik.
Shikoni parullat politike që dalin nga goja e liderëve të kësaj partie: “T’i rrëzojmë nga pushteti këta hajdutë ordinerë”, “këta vjedhës primitivë e të rëndomtë”, “hajdutët e xhepave që kanë futur duart në varfërinë e popullit”. T’i ulësh kaq poshtë vjedhësit në pushtët, sa t’i quash hajdutë xhepash, është mbrojtja më e mirë që mund t’u bëhet. Por, PD nuk mund të ngrihet në nivelin e një lufte serioze dhe institucionale ndaj krimit dhe korrupsionit, as ta quajë këtë luftë me emrin që i takon, pasi kur ajo ishte në pushtet, korrupsioni dhe grabitja e pasurisë kombëtare lindën dhe u kthyen në art. Pra, kur PD i quan kundërshtarët politikë “hajdutë xhepash” e bën këtë sepse e di mirë se titullin e hajdutit profesionist e kanë pasaportën e tyre. Edhe kaq pak opozitarizëm që ata bëjnë, lidhet me ambiciet e tyre, jo se kundërshtari politik ka bërë korrupsion, por sepse ka qenë më i avancuar, ka përdorur metoda më të sofistikuara se ata, e ka përdorur më mirë shtetin në interes të korrupsionit. PD e ka përdorur shtetin në shërbim të korrupsionit dhe krimit në mënyrë primitive e vulgare, me dhunë e gjak, me grushte shteti.
Për të shpjeguar këtë gjendje ku kanë mbritur të dy forcat kryesore politike, vetëm fabula e famshme e hajdutëve mund të na vijë në ndihmë: “Një grup hajdutësh ordinerë vendosi të vidhte një bankë. Për këtë morën me vete varé, sharra, kazma e lopata. Kur ra errësira e natës, filluan punën duke prerë hekurat e portës e duke thyer muret. Zhurma tërhoqi vëmëndje e një grupi hajdutësh profesionistë, të cilët lajmëruan policinë se po vidhej banka. Nuk zgjati shumë dhe policia e arrestoi grupin e hajdutëve ordinerë. Ndërkohë, grupi hetimor mori në pyetje edhe denoncuesit për të mësuar se përse e bënë këtë akt. Për çështje rivaliteti, se u kishin shkelur zonën e influencës së tyre? Thjesht për xhelozi? Kapua i grupit iu përgjigj se asnjera prej këtyre arsyeve nuk qëndronte, duke shtuar se e bënë denoncimin për shkak të mënyrës tepër primitive dhe diletante si vidhte grupi i hajdutëve ordinerë. Pra, iu ishte poshtëruar profesioni i hajdutit.”
Është ironia dhe përçmimi i çdo vlere morale kur flamurin e luftës ndaj korrupsionit dhe kundër Belinda Ballukut e ka rrëmbyer Sali Berisha. Nëse Balluku deri tani ka statusin e të dyshuarës për korrupsion, Sali Berisha ka disa dosje të përfunduara nga prokuroria dhe është në proces gjykimi. Nëse Balluku ka një dosje, Saliu ka disa të tilla dhe çdo ditë dorëzohen në institucion dosje të reja për dyshime në krime vrasjesh, genocid dhe korrupsion, si i lidhur me grupe kriminale, etj. Belinda Balluku, si e dyshuar për korrupsion, duket se e ka bërë rrëmujë edhe këtë pandehmë, ndërsa Sali Berisha ka qenë tepër institucional, i mirëorganizuar dhe i vendosur në vjedhjen dhe tjetërsimin e pasurisë kombëtare shqiptare, duke arritur deri atje sa thuhet se ka përgatitur vendime qeverie vetëm për persona të veçantë brenda rrethit të tij familjar. Belinda Balluku, për aq sa materiale hetimore ka përhapur në ajër vetë SPAK pa “dashje”, e shumta mund të dënohet nga Këshilli i Etikës së lagjes me thyerje të notës në sjellje për përdorimin e fjalorit jo etik gjatë komunikimit me vartësit e dikasterit dhe kaq, pasi në pikpamje ligjore, deri sa të provohen akuzat, duket se do të jetë një rrugë e gjatë dhe e vështirë për hetuesit. Ndërsa Sali Berisha, nëse nuk do të ishte nën mburojën e “Drejtësisë së Re”, e ka të përcaktuar masën e dënimit, sa që do t’i duheshin disa jetë ta shlyente atë. Betohet Sali Berisha se do t’ia heqë imunitetin Belinda Ballukut për korrupsion, ndërkohë që imuniteti i tij kullon gjak dhe korrupsion së bashku.
Diferenca mes krimeve dhe kriminelëve, duke i dhënë “drejtësisë së re” natyrë politike më tepër sesa institucion drejtësie, po shfaqet hapur. Ndërsa sovrani duket i trembur dhe i përgjumur. Si mund të lejojë Sovrani që disa nga të përzënët nga sistemi i drejtësisë, që nuk justifikonin pasuritë e grabitura, të lejohen të bëhen deputetë? A nuk tregon kjo për ngritjen e këtyre hajdutëve në përgjegjësi? Po mungesa e zbatimit të standardeve nga SPAK, bërja më tepër politikë sesa drejtësi, kapërximi i kompetencave nga ana e tij dhe ndërhyrja në të drejtat e pushteteve të tjera, janë jashtë fokusit të punës së Sovranit? A ka bërë Sovrani bilance të efektivitetit të punës së SPAK, të rregullsisë së metodave të ndalimit të të dyshuarve, të respektimit të të drejtave të ndaluarve, se ka pasur tejkalim në dhunën fizike dhe psikologjike dhe se a u lejohet të gjithë vuajtësve të dënimit në burgjet e Shqipërisë të shkojnë në studjot jashtë burgjeve të mbjellin flokët, të bëjnë operacione kozmetike, të bëjnë orgjira?
Dhe, nëse këto çështje serioze Sovrani nuk i ka mbajtur në konsideratë, të paktën t’i thotë publikut se a e njeh SPAK-un si sovranin e tij? Nëse jo, atëherë përse Sovrani nuk merr rolin që i takon për të hartuar dhe zbatuar politikat penale dhe strategjinë për goditjen e krimit dhe korrupsionit? Përse lejon që SPAK të instalojë një shtet brenda shtetit dhe, madje, një shtet mbi shtetin?
Kështu siç po hedhin vallen e hajdutit të dy forcat kryesore politike dhe kur SPAK-ut i kanë dhënë pushtet mbi shtetin, Shqipëria ndodhet në një rrugëkryq të madh zbrazëtie demokratike.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here