Anketa e fundvitit Si ishte 2025 për ju dhe ç’prisni nga 2026?
Greta Topjana/ Moderatore, Euronews Albania
Viti 2025, për mua, ishte viti i surprizave, një vit ku pothuajse asgjë nuk shkoi sipas planeve të mia. Ishte një vit që më mësoi se në jetë, kontrolli është ndonjëherë një lloj iluzioni dhe se përshtatja është çelësi. Unë punoj në media prej disa vitesh tashmë dhe më duhet ta them se është një punë sfiduese, sepse nuk ka qetësi.
Gazetaria është një profesion që nuk njeh orare, të kërkon të jesh i pranishëm edhe kur je i lodhur, të flasësh qartë edhe kur je nën stres, të ruash profesionalizmin edhe në momentet e presionit të lartë, të pyesësh pa hezitim. Në punën që bëj, fjalët peshojnë, keqkuptohen, shtrembërohen dhe gjykohesh! Përpos kësaj, çdo gabim mund të të kushtojë shumë, mund të të dëmtojë imazhin që ke krijuar, brenda natës madje!
Sa i përket objektivave që kisha për vitin 2025 ato ishin të shumta se unë jam ëndërrimtare por ajo që kërkoja ishte qetësia, doja ta frenoja vrapin tim të shpejtë, në 2025 kërkoja ndryshime profesionale ndoshta të eksperimentoja në një fushë të re, por Zoti, mesa duket, kishte plane të tjera për mua. Në 2025 mu propozua drejtimi i “Review”, një emision prime time në fundjavë, që më ndryshoi rutinën dhe që më sfidoi në një moment kur nuk e dija se isha gati. ë fillim kisha shumë emocione, sa frikësohesha se nuk do t’i menaxhoja dot para shikuesve. Të drejtosh një emision LIVE është adrenalinë e pastër dhe ju nuk e kuptoni dot pa e përjetuar magjinë e studios dhe kamerave!
Sidoqoftë unë isha gati që në momentin që thashë “PO”, isha e bindur që nuk ishte një nisje e lehtë duke e ditur se gara në media është e ashpër dhe është e rrallë të të mbështesin apo duartrokasin në fillimet e tua. Nuk ishte e lehtë për mua, si një gazetare e re me një projekt më të madh se vetja, por sot që kthej kokën pas, jam mirënjohëse dhe shumë krenare me veten, përtej modestisë, se bota i takon guximtarëve apo jo?!
Ndërsa angazhimi në emision vazhdonte, rrugëtimi im profesional u shtri paralelisht edhe në fushën akademike sepse nisa doktoraturën, vijova punën si pedagoge dhe pata privilegjin të drejtoj konferenca e trajnime me përfaqësues ndërkombëtarë.
Kam shumë për të treguar por ndoshta një ditë tjetër mund të ndalem më gjatë, kur të jem gati se rrëfimet janë të vështira dhe unë flas më bukur se sa shkruaj (qesh). Ndërkohë, sot që më pyesni se çfarë pres nga 2026, jam pak në siklet për t’u përgjigjur. Por një gjë është e sigurt: pres më shumë nga vetja, por as nuk e fsheh dot që do të doja pak më shumë qetësi dhe më shumë udhëtime. Kurse urimi im për lexuesit është i thjeshtë, që në vitin 2026 të keni shëndet, ta keni zemrën të mbushur me dashuri dhe të mos e humbni kurrë shpresën për jetën! Gëzuar 2026!







