Anketa e fundvitit: Si ishte 2025 për ju dhe ç’prisni nga 2026?

ERMELINDA NDOJA/ GAZETARE, TV KLAN

Viti 2025 ishte një udhëtim i mbushur me sfida, por dhe me shumë momente që nuk do t’i harroj lehtë. Nga ana personale, mësova të dëgjoj më shumë veten, të respektoj ritmet e mia dhe të krijoj më shumë hapësirë për paqe dhe qetësi shpirtërore. Ishte viti ku ndjeshmëria dhe forca bashkëjetuan në mënyrën më të bukur. Si gazetare në programin “Shije Shtëpie” në televizionin kombëtar Klan, ditët janë të mbushura me dinamizëm, të ftuar, telefonata, punë që më përmbush çdo ditë e më shumë. Gazetaria më ka mësuar durimin për të përballuar presionin, dhe kënaqësinë që sjell ndriçimi i një realiteti përmes fjalës. Nuk ka ditë njësoj, dhe kjo e bën këtë profesion aq të gjallë.

Familja mbetet gjithmonë busulla ime. Mes gjithë zhurmës së ditës, telefonatat me prindërit, me motrat, nipërit, mbesat më rikujtojnë gjithnjë pse e dua kaq shumë jetën, pavarësisht lodhjes. Viti 2025 më solli një titull që gjithmonë më emocionon: teze. Për të 10-n herë! Dhe këtë herë, jo një, por dy nipër të vegjël erdhën në jetë, Brois dhe Dario, duke e bërë zemrën time të zgjerohet edhe më shumë.

Po tashmë të gjithë i kanë sytë nga unë, si për të më treguar që është radha ime, për mbarëvajtjen e zgjerimit të pemës familjare (qesh).

2025 ishte një vit i dashurisë së pjekur me doktorin e zemrës, dashurisë jo perfekte, por e ndërtuar mbi të vërtetën, komunikimin, bashkëpunimin dhe respektin për njëri-tjetrin.

Nga viti 2026 pres rritje, pres sfida që më shtyjnë përtej komfortit. Histori që më nxisin të kërkoj më thellë dhe momente që më kujtojnë pse zgjodha gazetarinë, bashkëpunime të reja dhe hapësira për të rritur zërin tim si gazetare. Në familje dua të shpenzoj më shumë kohë bashkë. Më shumë darka të qeta, biseda që nuk ndërpriten nga ritmi i vrullshëm i ditëve. Dua të ruaj thellësinë e lidhjeve familjare, të kujtoj se ata janë rrënja.

Për të gjithë lexuesit tuaj uroj Gëzuar Vitin e Ri 2026! Uroj shumë që ky vit të sjellë shëndet, dashuri të pastër, paqe dhe shumë gëzim në çdo ditë që vjen!

Shpresoj që 2026 të jetë një fillim i bukur, plot mundësi të reja, suksese dhe momente që mbahen mend gjatë. Të falim më shumë dashuri dhe të jemi më tolerantë me njëri-tjetrin.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here