
Artisti Bekim Ibrahimi ka publikuar projektin muzikor “Unë jam Skënderbeu”, një vepër me ngarkesë të fortë simbolike dhe kombëtare, që përcjell mesazhin se Skënderbeu nuk është vetëm një figurë historike, por një identitet që jeton te çdo shqiptar, kudo që ndodhet.
Teksti i këngës mban firmën e Lindita & Jahe Fida, ndërsa muzika është realizuar nga vetë Bekim Ibrahimi. Aranzhimi dhe masterizimi janë punuar nga Edmond Zhulali, ndërsa realizimi teknik është bërë nga Artfabe Production.
Videoklipi është xhiruar në ambiente simbolike për historinë shqiptare, si Kalaja e Krujës, Memoriali i Skëndërbeut në Lezhë, Sheshi Skënderbeu në Tiranë dhe Sheshi Skënderbeu në Prishtinë, duke përforcuar idenë e unitetit kombëtar përtej kufijve.
Në video shfaqet edhe Ansambli “Haziz Ndreu”, me koreografi nga Avni Ndreu, ku një element i veçantë dhe domethënës është prania e një valltareje grua me shpatë, me kërkesë të veçantë të artistit për të qenë pjesë e klipit. Ky detaj nuk është rastësor, ai simbolizon faktin se çdo shqiptar me gjak shqiptari, në katër anët e botës, pa dallim feje, partie apo gjinie, është Skënderbe. Dhe se edhe gratë janë pjesë e kësaj force, historie dhe identiteti.
“Unë jam Skënderbeu” vjen si një thirrje për bashkim, vetëdije dhe krenari kombëtare, duke rikujtuar se figura e Skënderbeut jeton te secili prej nesh.









