Dy lëvizje politike në Shqipëri kanë motivin “Dum Babën”: ajo e Haxhi Qamilit dhe kjo e Salianjit. Njëra në vitin e largët 1914 dhe tjetra sot në vitin 2025. Njëra me frymëzim tipik otoman dhe tjetra me prirje neotomane të moderuara dhe të kamufluara me petkun e demokracisë. E para disi e kaluar në kohë, ndërsa tjetra “e kohës”.
Zhurmën që po krijon lëvizja Salianji në PD, disa e quajnë si stuhi, të tjerë, më të kujdesshëm, e vlerësojnë si fllad vjeshte, ndërsa më romantikët e quajnë si një puhizë pranverore që veç se të shton dëshirën për gjumë.
Në fakt, lëvizja Salianji, nga mënyra si u prezantua, nga mjetet dhe mekanizmat që ka hedhur në fushën e lojës, nuk ka asnjë lidhje me ndonjë furtunë a tërmet politik brenda PD, madje as që mendohet të shkaktojë qoftë edhe ndonjë gërvishje brenda këtij subjekti politik. Edhe me Salianjin, kundërshtarin hipotetik të Berishës, PD do ta shikojmë në të njëjtin fund humnere si këtu e pesëmbëdhjet vjet radhazi.
“Ilaçet” që rekomandon Salijanji për “ripërtëritjen” e PD-së janë po kaq të skaduara sa edhe ato të doktorit pacient, Berishës. Pra, në të dy rastet, ilaçet që serviren janë më të këqia se vetë sëmundja. Sepse janë prodhuar në laboratorin e antidemokracisë.
Në kriza të tilla të thella ekzistenciale totale në të cilën ndodhet në këto pothuajse 15-vjet PD, dihet se ato do të pjellin edhe kriza të brëndëshme bija, copëtime dhe përçarje të nxitura nga ambicie, qejfmbetje, lakmi për më tepër pushtet e pasuri brenda partisë, se do të ketë rebelime edhe me zë të ulët. Fenomene të tilla të tipit Salianji janë prezente në formën e një lufte legale apo ilegale, si kundërshti institucionale elitash dhe strukturash partiake, si një lloj mosbindje e brendëshme në radhën e militantëve të saj. Në situata të tilla, klikat uzurpatore të partisë gjejnë rastin të bëjnë spastrime, të shpalli armiq e renegatë që minojnë nga brenda partinë, që artificialisht shpikin rrjete të reja agjenturore të drejtuara nga Edi Rama, etj. Në këtë luftë doli i freskët edhe sllogoni se kush është kundër Berishës është njëherazi edhe kundër PD. Pra, PD dhe Berisha janë një e të pandarë: kur themi Berisha, nënkuptojmë PD dhe kur themi PD nënkuptojmë Berishën!
Po veç këtyre sot, nga nismëtarët e tipit Salianji po përjetohen edhe aventura fëminore, kur deklarojnë se foltoren e tyre e kanë nisur si kundërshti ndaj asaj të Berishës, si provë force, por jo kundër Berishës. Edhe pse foltorja numur një ishte në opozitë me foltoren numur dy, çuditërisht nga opozitarët ligjërata e parë nisë me togfjalëshin: “Rroftë Sali Berisha” dhe se “foltorja e tyre nuk drejtohet ndaj njëshit të partisë, por ndaj atyre që e rrethojnë atë.” Deviacione të tilla tregojnë se brenda krizës së madhe të PD, secili nga liderat e kësaj partie ka krizën e vet, ka trillet dhe ambiceet e tij, por të gjitha këto zhvillohen nën hijen e çmendurisë, egërsisë dhe egocentrizmit të kryebajraktarit të partisë. Ai i menaxhon të gjitha krizat dhe lëvizjet e kësaj partie.
Deviacionet mendore që karakterizojnë lëvizjen Salianji shkojnë edhe më tej, ku nuk përputhet qëllimi i shpallur i lëvizjes me aksionin dhe mjetet e rekomanduara e zhurma nuk shkon paralel me rezultatin; ku ka një erozion mes fjalës dhe të vërtetës politike; të interesave vetiake të nismëtarëve me atë të përgjithëshme nga çfarë vuan kjo parti; mes seriozitetit dhe sharlatanizmit të drejtuesve; mes përgjegjësive politike dhe haxhiqamilizmit.
Më tepër se lëvizje politike alla Salianji, ajo është një aventurë fëmijësh që luftojnë me shashka e fishekzare, jo për t’iu kundërvënë kundërshtarit politik, por për ta argëtuar atë. Edhe kjo e ashtuquajtur “lëvizje” udhëhiqet nga filozofia që sundon në PD se babain politik ata nuk e vrasin, apo ta kryqëzojnë politikisht, qoftë edhe si mëkatar. Edhe të ashtuquajturit rebelë të tipit Salianist nuk kanë asnjë ndryshim nga Haxhiqamilistët që bërtisnin të njëjtën shprehje “Dum babën”. Salianistët kujdesen për babën e tyre politik më tepër se garda e vjetër e tipit Noka dhe Bardhi. Se gjithçka nga rebelët e kësaj lëvizjeje bëhet për pak më shumë lëmosha nga kryetari, për pak më shumë influenca dhe si një mënyrë faktorizimi. Siç duket, edhe periudha e burgut sikur e kishte vënë ca si në hije.
Një lëvizje në mjegull, pa programe politike, pa kundërshtarë politikë, pa oponencë, me organizime spontane të inspiruara jo nga alternativa politike e shpalosur nga organizatorët. Grumbullimi në foltoren e tyre u bë nga inercia e demokratëve të lodhur nga kriza e kësaj partie. Por, me sa duket, edhe këtë radhë, shpresat e demokratëve u shuan më shpejt se u ndezën. Salianji pozohet si rilindas i PD, por në përmbajtje nuk del dot nga kostumi i skllavërimit ndaj të shkuarës së kësaj partie. Me Berishën, ai më tepër se opozitar, dukej qejfmbetur se e kishte lënë në hije, ndërsa berishizmin e adhuron, pasi vetë ai është produkt i kësaj shkolle me “sakrifica” deri edhe burgun për falsifikimin e së vërtetës siç janë të gjitha të vërtetat e PD-së
Programet dhe aksionet e lëvizjeve të mëdha politike kërkojnë pjekuri dhe përgjegjshmëri. Me sa duket, Salianji me lëvizjen e tij mendoi t’i bënte një lloj kozmetike edhe PD-së, për ta bërë PD-në “të re”, ashtu siç i bëri vetes në burgun e Fierit, ku mbolli flokët dhe plotësoi boshllëqet trupore për t’u zbukuruar me silikon të cilësisë së lartë. Është jo thjesht e vështirë, por e pamundur që Salianji t’i bëjë kozmetikë PD-së: as nuk ia shkul, as nuk ia mbjell dot flokët, as mund ta zbukurojë me silikon. PD i nevoitet operacion radikal.
Salianji nuk e ka dot kredibilitetin e duhur as në PD dhe as në popull të rrëmbejë flamurin e reformave për transformime politike dhe shoqërore. Ai mbetet një figurë e konsumuar dhe pa vizion e besueshmëri, mbasi bashkë me “salianjët” e tjerë brenda PD, ka punuar për privatizimin dhe bunkerizimin e e PD nga klani Berisha dhe garda e tij.
Dy lëvizje që i ndan një shekull: Haxhi Qamili dhe Salianji. Por i bashkon një frymë: të dyja e shohin sundimtarin si shpëtimtar. Që do të thotë se nënshtrimi i tyre bëhet virtyt dhe liria faj.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here