Specialiste e Flebotomisë dhe Kanjulimit, si edhe shkencëtare Biomjekësore(Flebotomy and Cannulation Specialist/ Biomedical Scientist) në një nga spitalet më në zë atje!
Edmira Karajani është një nga ato gra që i japin kuptim fjalës “forcë”. Një shqiptare që ka arritur sukses në Londër, ku punon si Specialiste e Flebotomisë dhe Kanulimit, si edhe shkencëtare Biomjekësore(Flebotomy and Cannulation Specialist/ Biomedical Scientist) në një nga spitalet më në zë atje, është e specializuar në disa drejtime mjekësore, Edmira ka ndërtuar me përkushtim rrugën e saj profesionale dhe jetën familjare.
E rritur me vlera e tradita shqiptare, e shkolluar në Greqi dhe e vendosur prej vitesh në Londër, ajo ka ditur të mbajë gjithmonë të ndezur dritën e shpirtit të saj shqiptar. Nënë e dy fëmijëve, grua që punon me dashuri e qetësi, Edmira duket e lumtur me gjithçka ka dhe me gjithçka i ka dhënë Zoti.
-Shpesh thuhet se njeriu nuk e zgjedh profesionin, por profesioni e zgjedh atë. A ndodhi kështu edhe me ty dhe mjekësinë? Na trego diçka nga rrugëtimi yt profesional.
-Profesionin më zgjodhi mua, është diçka shumë e vërtetë. Unë linda nga një familje që pikërisht profesionin e kish zgjedhur, mami im me bluzën e bardhë që i ndriste dhe fytyrën që i qeshte, por edhe gjyshi im, një doktor që jepte shërbim dhe shëronte njerëz. Kur i takonim, ata njerëz na thonin “lum ju që e keni në shtëpi shkencëtarin shërues” dhe unë gjithnjë shikoja dritën e tij, apo nënën që u jepte ndihmë grave në lindje dhe e kërkonin çdo grua. Pra, profesioni ka ardhur përmes gjeneve tona.
-Nga Shqipëria në Greqi, e më pas në Londër, çfarë ke mësuar nga këto tre vende për mënyrën se si duhet dashur jeta dhe puna?
-Janë pikërisht këto që thashë më lart… Unë i mbaja në mendje, sepse familja ime nga mami, megjithëse e varfër materialisht, ashtu ishte koha në fakt, ishte e pasur në shpirt e moralisht nga puna. Thoja me vete: “A do bëhem dhe unë e tillë?”
-Cila është ajo ndjesi që të shoqëron çdo mëngjes përpara se të veshësh uniformën e punës?
-Ndjesia është virtyt i imi dhe gjithnjë i them Zotit faleminderit për mundësitë që më jep dhe familjes që më ka mbështetur për të qenë shërbyese e njerëzve në nevojë, për jetën.




-Cili ka qenë momenti më i vështirë profesionalisht që të ka bërë të kuptosh se je shumë më e fortë sesa mendoje?
Momente të vështira ndeshesh shumë, kur shikon njerëz të pamundur për ta mbajtur jetën dhe lotojnë. Më ligështon kjo dhe lotët më rrjedhin, por i jap forcë pacientit dhe vetes, sepse jeta duhet mbrojtur me guxim deri në fund.
-Mjekësia dhe Biomjekësia kërkojnë shumë forcë emocionale. Çfarë të ka mësuar ky profesion për njerëzit dhe për veten?
-Profesioni të mëson shumë, të jep praktika të çdo dite pune me raste të ndryshme. Unë marr nga këto atë zgjidhjen më ideale për të dhënë shpresë te njerëzit në nevojë. Kuptohet, sot të rejat shkencore i lexoj dhe i konsultoj me kolegë, por gjithashtu kujtoj dhe postulatet që fliste gjyshi im kur thoshte: “Shëndeti barazohet me atë që fut brenda në mullirin e bluarjes.” Ai e dinte se pamjaftueshmëria për t’u ushqyer, në atë kohë, i bënte njerëzit të dobët. Puna e parë e gjyshit me trajtimin ishte që mbushte recetën me vitamina, sepse thoshte: “Është ushqyer keq.”
-Në një profesion ku shpesh përballesh me dhimbjen e njerëzve, si arrin të mos e humbasësh dritën tënde të brendshme?
-Këtu del durimi, dhe thua: “Jeta është e shtrenjtë.” Ne jemi në një udhëtim, jo për gjithmonë, por këtë rrugë duhet ta bëjmë me guxim, ku lodhja është prezente. Por përsëri dal te gjyshi, kur thoshte se edhe kur hamë bukë, lodhet goja, sepse ushqimi duhet përtypur 33 herë, që të përpunohet mirë.
-Si të ka ndihmuar të qenit grua në një fushë që shpesh kërkon forcë, durim dhe sakrificë?
-Durimi dhe forca janë pjesë e natyrës sime. Ndoshta pikërisht të qenit grua më ka bërë të jem më e ndjeshme, por edhe më e qëndrueshme në profesion.
-A ka ndonjë kujtim nga një pacient që e mban ende në zemër, diçka që të ka prekur thellë?
Momente me pacientët ka shumë. Marr vlerësime prej tyre, që kur i prek më thonë: “Je e ngrohtë,” apo “e ke dorën e lehtë”. Konsultat me ta reflektojnë jetën për mirë dhe kjo më gëzon shumë. Por sot, në një trend zhvillimi ku jeta ecën shpejt, mundohem të jap më të mirën time. Gjithnjë e kthej kokën pas, te gjyshi, kur njerëzit në hall, që s’merrnin përgjigje të mirë nga doktorët, i drejtoheshin atij. Kishte raste që njerëzit e sëmurë i nxirrnin nga spitali vetëm që gjyshi im t’u mbante jetën. Ishte një rast që ma tregonte vetë një i mbijetuar: ishte djegur në gropë gëlqereje në vitet 1967, ku trupi i fashuar nuk rigjeneronte. Gjyshi, me një kafaz elektrik me llampa, pa fashim plage, bëri që për një javë plaga të rigjenerohej, të fitonte jetë. Fjala e gjyshit ishte: “Çdo plagë do oksigjen.” Kjo më ka mbetur në mendje dhe sot teknologjia e ka motivim.

-Çfarë e bën, sipas teje, një grua të fortë, titujt që mban apo mënyra si përballet me jetën?
Edhe titujt të japin satisfaksion për punën dhe vlerësim, por më e domosdoshmja është që ta kapësh jetën për dore, me hedhjen e hapave çdo ditë e më të sigurt. Ku vendos këmbën, të kem familjen, fëmijët e shëndetshëm dhe të jem gjithnjë vetvetja. Të jem në betejën për të udhëtuar sa më shumë në ditë, muaj e vite. Sot konsumatori më i madh për jetën është koha, dhe këtë dua ta shfrytëzoj në maksimum, për t’i marrë asaj forcën, dijen, përkushtimin, mirënjohjen, buzëqeshjen, që të gjitha këto ta bëjnë jetën të bukur dhe udhëtimin që të fal Zoti, me mirësi, për veten në radhë të parë dhe për njerëzit e shoqërinë.
-Nëse do t’i shkruaje një letër vetes tënde së dikurshme, vajzës që nisi udhëtimin nga Shqipëria, çfarë do t’i thoje?
-Po, do t’i thoja: “O vajzë e vogël që linde në një vend të vogël, me plot dashuri familjare, aty ku hodhe hapin e parë, ku fole për herë të parë, ku luajte në oborrin e pallatit, ku mësove A, B, C – gjuhën shqipe të atdheut… Të gjitha këto janë thesaret e mia.
Më bënë të largohem nga ty për jetën, sepse ti, vendi im, deri këtu më dhe mundësi. Bota ku ringrita udhëtimin tim kishte porta të hapura për mundësi sipas meritokracisë, e jo sipas mikut.”
-Si nënë e dy fëmijëve, cili është mësimi më i rëndësishëm që dëshiron t’u mësosh atyre?
-Fëmijëve të mi, që i dua shumë dhe që sot janë ende të vegjël e i kam nën ombrellën time, u flas për jetën, sepse rruga që kanë përpara është e vështirë, nuk është e gatshme për ta.
Por u them gjithnjë të kenë “shpatë të firtë” për ta pastruar atë, që të mos rrëzohen. U mësoj të duan jetën, të luftojnë për të, dhe të mos jenë kopja ime, por të jenë vetvetja.
-Cilat janë tre gjëra për të cilat falënderon Zotin çdo ditë?
-Jam besimtare dhe Zotin gjithnjë e adhuroj për veten, familjen dhe gjithçka.
Jam falënderuese çdo natë dhe i them:
“Zot, më jep shëndet për familjen.
Mos më ngjit shumë lart, sepse lartësia të humb ekuilibrat dhe rrezohesh, thyen qafën.
Bëj që të jem gjithnjë mirësia për të tjerët dhe për familjen.” Çdo gjë e kërkoj me ndihmën e Zotit.
-Nëse jeta jote do të ishte një film, cila do të ishte skena që do të doje të shfaqej në trailer?
-Nëse do të luhej një film për mua, do të mjaftonte të kishte në sfond muzikën “Valsi i lumturisë”. Kjo do ta bënte shikueshmërinë dominante.
-Dhe në fund… çfarë do të dëshiroje që njerëzit të ndjenin kur të njohin si Edmira, jo si profesioniste, por si njeri?
Një pyetje shumë e bukur, për një emër që vetë e përmban përgjigjen, Edmira, që nënkupton “të mirat”. Unë dua që njerëzit të më vlerësojnë për atë që jap për ta, si kur janë mirë me shëndet, ashtu edhe kur kanë nevoja shëndetësore.
Dua që të ndiejnë mirësinë kur më takojnë në rrugë e kudo, të marr një “faleminderit”, një “mirënjohje” dhe një “respekt”. Kjo më bën të jem vetvetja, gjithnjë në familje e shoqëri. Jeta është një shëtitje e vogël… dhe kur mendon, konsumatori më i madh nuk janë vitet e saj, por koha. Le ta shfrytëzojmë këtë kohë në maksimum, për t’i dhënë vetes një histori të bukur, të shkruar për të.




