Kështu u shpreh pak ditë më parë aleati më i ngushtë politik i Berishës, kryetari në letër i Partisë Republikane. Për ringjallje flitet kohët e fundit edhe brenda PD-së. Dikush e cilëson ringritje, një tjetër si ripërtritje, të tjerë si kthim i fuqishëm i PD-së në pushtet, etj. Por guximin ta quante ringjallje me emrin dhe mbiemrin e Jezu Krishtit e pati vetëm Mediu. Jo rrallë herë edhe Sali Berisha. Nga të gjitha cilësimet e mësipërme ka një të vërtetë: kuptimi se ringjallja vjen pas vdekjes. PD-ja dhe aleatët e saj kanë kohë që po përjetojnë vdekjen politike.
Fronti opozitar shqiptar ndodhet në një krizë idesh, filozofie, morali dhe dinjiteti politik. Kjo krizë reflektohet edhe në fushën mendore, etike, morale, qëndrimin ndaj demokracisë, në marrëdhëniet brenda PD-së e kudo. Ata kanë arritur në gjendjen ku, të bardhën e quajnë të zezë; të moralshmen si imoralitet; heroiken si tradhëti; korrupsionin si mekanizëm zhvillimi; bllokimin e rrugës europiane të Shqipërisë si akt patriotik. Humbjen për 13 vite radhazi të zgjedhjeve e quajnë si fitore madhështore; shkërrmoqjen çdo ditë të PD-së e vlerësojnë si sukses në spastrimin e celulës së partisë që ka mbetur nga kundërshtarët e berishizmit. Po kështu, furrnizimin e ushtrisë serbe në Luftën e Kosovës duke thyer embargon ndërkombëtare, e quajnë si humanizëm e internacionalizëm, ndërsa infiltrimin e fazlliçëve në sigurinë kombëtare e vleresojnë si shkrirje akujsh, si bashkëekzistencë e dashuri me armikun shekullor të shqiptarëve.
Sikur të mos mjaftonin deformime të tilla, sa mendore, aq edhe politike, i janë vërsulur edhe tjetërsimit të eposeve, baladave, kanunit, legjendave e kodeve zakonore.
Asnjë nga detajet, qoftë edhe më të skajshme të legjendës së ringjalljes së Krishtit nuk ka lidhje me tragji-komiken e ringjalljes së berishizmit e të kasnecëve të tipit Mediu.
Jezu Krishti u sakrifikua për vazhdimësinë e jetës njerëzore, ndërsa Berisha, Mediu dhe stani i tyre, kur ishin në pushtet, me korrupsion kanë marë jetë njerëzish dhe jo pak, por me mijra. Krishti predikonte drejtësi shoqërore, ndaj edhe pushteti politik i Judesë, përfaqësuar nga guvernatori Pontius Pilatus, me miratim nga Roma, e kryqëzoi.
Ndërsa Pontius Pilatus-at shqiptarë, që kërkojnë ringjallje, janë zhytur në padrejtësi shoqërore, në imoralitet politik e ligjor. Edhe Juda (si një nga 12 dishepujt e Krishtit), u pendua që shpifi për Jezusin, madje i dorëzoi edhe 30 monedhat e argjëndit që i dha si shpërblim Këshilli i Priftërinjëve të Judeas. Ai, pas pendimit, pohoi se Jezusi kishte thënë të vërtetën se ishte biri i atit të shënjtë, se nuk kishte qëllime rebelimi ndaj Çezarit dhe se nuk e kishte shpallur veten mbret i Judesë. Ndërsa Judët shqiptare, jo vetëm që nuk janë penduar për krimet e kryera, por i mbrojnë ato, madje kanë kaluar edhe në sulm ndaj drejtësisë.
Me 30 monedhat e kthyera nga Juda pas pendimit, Këshilli i priftërinjëve vendosi të blihet një tokë që u quajt “Ara e gjakut”, ndërsa Judët shqiptarë me paratë e gjakut dhe të korrupsionit kanë ngritur një industri marramendëse në sytë e shtetit dhe me bekimin e tij, duke i shërbyer ringjalljes së tyre ekonomike. Madje thuhet se, që nga viti 2013 e deri tani, pasuria e këtyre që kërkojnë ringjallje politike është trefishuar, ndërkohë që ara e popullit shqiptar është mbytur nga lumenj gjaku dhe një det i tërë krimesh, nga mënyra se si u nda pasuria kombëtare.
Në fund, për mëkatin e kryer, Judë Iskarioti vrau veten, ndërsa judët shqiptarë majmen çdo ditë, sepse zotërojnë pasuri përrallore, madje emërohen edhe deputetë me lista të mbyllura. Dhe tani, pas ringjalljes ekonomike, kërkojnë edhe ringjalljen politike, duke synuar pushtetin. Larg qoftë që judët shqiptarë të vrasin veten, siç bëri Juda Iskarioti! Në fakt, këta ngjajnë me historinë dhe karakteristikat e Barabës, personazhi i kundërt me atë të Krishtit. Baraba akuzohej si kriminel ordiner, vrasës dhe hajdut. Në votimin e publikut se cili duhet të dilte nga burgu, Jezusi apo Baraba dhe se kush prej tyre duhej të kryqëzohej, ndodhi ajo që nuk pritej: shpëtoi krimineli Baraba dhe u kryqëzua Jezusi! Ndërsa sot, vëllezërit shqiptarë të Judës nuk janë kriminelë ordinerë si Baraba, por kriminelë të veshur me pushtet. Vrasjet, krimet dhe korrupsionin i kanë bërë duke qenë në pushtet. Baraba fitoi lirinë, ndërsa Jezusi u kryqëzua. Sot, përfaqësuesit e Judës shqiptare vazhdojnë të kryqëzojnë popullin, lirinë dhe demokracinë; shkelin në mënyrën më flagrante të drejtat e njeriut, atë të pronës, barazinë para ligjit; ushtrojnë madje edhe antishqiptarizëm pa u trembur nga askush.
Për këtë ringjallje politike duket se janë mbledhur politikanë, fallxhorë, shikuesit e flixhanëve, zbërthyesit e endërrave, folësit me shënjat dhe yjet në qiell, gjahtarët e fantazmave, etj. Të gjithë përpiqen të ndihmojnë në ringjalljen e tyre. Por, ai që duket më aktivi në këtë proçes edhe pse të pamundur, është kandidati për Kryetar Bashkie i Tiranës, Florjan Binaj. Herë në rolin e kllounit dhe herë si një yllkë e berishizmit, ai është angazhuar që edhe po nuk e ringjalli atë politikisht, të paktën ta mbajë gjallë edhe për ca kohë filozofinë dhe gjëmat e tij. Po nuk ringjalli politikisht Berishën, Mediun e të tjerë, të paktën, të mbajë gjallë berishizmin. Dhe, këtë mision, pionieri i Saliut po e kryen mirë. Me Berishën si kufomë, apo me hijen e tij në krah të Florjanit, pak rëndësi ka. Zgjedhësit e shikojnë çdo ditë se aktori klloun është një vegël e berishizmit. Ai që vendos strategjinë dhe çdo lëvizje në fushatë është Berisha. Ndaj edhe kur flet Flori në shfaqjet e tij publike, duket sikur ligjëron Berisha. E njëjta terminologji, i njëjti pathos, e njëjta urrejtje dhe hipokrizi, të njëjtat shpifje dhe mashtrime ndaj kundërsharit politik. Edhe pse termat patronzhistë, narkoshtet, Ramaduro, zgjedhje të dhunuara, betonizim, etj., ka më tepër se 13 vjet që përdoren nga Berisha në fushata zgjedhore, me të njëjtin zell ato po i përdor edhe biri i tij politik, Binaj.
Por përdorimi i termave të tilla ka një djallëzi edhe më të madhe. Binaj, i strukur në brekushet e Saliut, e përdor zhargonin e fjalëve të mësipërme për t’iu fshehur qëndrimeve antishqiptare të ustait të tij, siç është qëndrimi ndaj rrugës europiane të Shqipërisë, ai i qëndrimit ndaj UÇK-së dhe luftës heroike të popullit shqiptar të Kosovës, etj. Kur Berisha deklaronte me gjuhë gjarpëri se Shqipëria veç pozitës strategjike nuk ka asgjë për t’u pranuar në bashkësinë Europiane, nuk pamë që Binaj ta kundërshtonte këtë tezë antishqiptare. E njëjta gjë ndodhi edhe në mitingun në mbështetje të luftës së UÇK-së dhe komandantëve të tyre. Kryetari klloun, me sa duket, ishte fshehur në bodrumet e errëta të Berishës për t’iu shmangur çdo llojë prononcimi që mund të binte ndesh me direktivat e ustait të tij.
Ringjallje për djajtë nuk ka. Kështu thonë edhe Bibla, edhe Kurani, edhe doktrinat filozofike, edhe praktika njerëzore 21-shekullore. “Djalli” – thotë Bibla “nuk ringjallet, por shkatërrohet dhe hidhet në ‘Liqenin e Zjarrit’, si një dënim i përjetshëm. Të njëjtin qëndrim ka për djallin edhe Kurani, veçse nuk i thotë djalli, por shejtani. Ky është fundi i të gjithë djajve, apo shejtanëve. Për ta nuk ka ringjallje.