Në një kohë kur arti dhe kultura shpesh mbeten peng i rutinës, Presheva ka zgjedhur ta përqafojë një emër që di t’i japë jetë skenës dhe emocione publikut: Sokol Guga. Por pse kaq dashuri për të? Pse një producent nga Tirana ka arritur të fitojë zemrat e një qyteti që di ta dallojë menjëherë kush punon me shpirt dhe kush veç kalon nëpër sallë, sepse Sokol Guga di ta dëgjojë publikun.
Sokol Guga nuk sjell thjesht një program, një repertor, apo disa artistë të radhës. Ai sjell frymë. Në çdo koncert, festival apo spektakël që mban firmën e tij, vërehet një kujdes i rrallë për çdo detaj nga zgjedhja e këngëtarëve, koreografia, skenografia, e deri te mënyra si ftohen dhe respektohen të gjithë. Ai nuk prodhon veç ngjarje, por ngre një urë emocionale mes skenës dhe publikut. Sepse Presheva ka nevojë për zëra që i bashkojnë. Në Luginën e Preshevës, kultura është një formë identiteti, një mënyrë për të treguar se kush jemi, edhe kur kufijtë duan të na ndajnë. Në këtë sfond, Guga ka ditur të kuptojë thelbin: arti nuk është dekor, por pasqyrë e shpirtit të një vendi. Në koncertet e tij, një valë, një këngë, një zë, bëhet shenjë bashkimi. Dhe kjo Preshevës i mungonte.


Jo më kot thuhet se Sokol Guga ka “shqisën” e gjashtë. Ai nuhat mundësinë, momentin, emocionin. Di të kuptojë çfarë do një sallë para se ta kërkojë me zë të lartë. Di të zgjedhë artistët e duhur, të krijojë atmosferën që ndez edhe më skeptikun. Dhe publiku e ndien menjëherë kur dikush e respekton.
Ai nuk ka frikë nga puna, as nga kritika. Të punosh me artistë të mëdhenj, të organizosh ngjarje që kanë peshë simbolike, të mbash gjithçka në këmbë pa pasur ndonjë mekanizëm shtetëror pas kjo kërkon guxim. Dhe guximi i Sokol Gugës nuk qëndron vetëm tek idetë e mëdha, por edhe tek këmbëngulja për t’i bërë ato realitet, pavarësisht pengesave, zërave që dyshojnë, apo vështirësive financiare. Ai di të lërë gjurmë. Shumë e provojnë të bëjnë një koncert, por pak arrijnë të lënë një kujtim që përsëritet në bisedat e njerëzve. Për Preshevën, Sokol Guga nuk është veç një emër i listës së bashkëpunëtorëve të rastësishëm. Ai është bërë një mik i qytetit, një zë që rikthehet herë pas here për të sjellë diçka të re, më të bukur, më të denjë për njerëzit që e duan artin.
Në fund të fundit, dashuria nuk është një shpërblim, por një reflektim.
Presheva e do Sokol Gugën sepse e sheh veten tek ai: të guximshëm, të palodhur, krenarë për rrënjët dhe të etur për të dëshmuar se kultura shqiptare, pavarësisht kufijve, di të qëndrojë në skenë e fortë dhe krenare.
Dhe aq kohë sa do të ketë art, do të ketë gjithmonë vend për dikë që di të ndezë dritat e skenës me të njëjtën dashuri që ndez sytë e publikut.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here