Deljana Topulli është një nga emrat më të dashur të humorit shqiptar. Me natyrën e saj të drejtpërdrejtë dhe energjinë shpërthyese, ajo ka rrëmbyer zemrat e publikut në çdo projekt ku ka qenë pjesë, që nga “Familja Korçare”, te “Papare Night” e deri tek shfaqja e suksesshme “Komshinjtë”. Në këtë intervistë për Intervista.al, Deljana na flet për sezonin që po lëmë pas, rolin e humorit në jetën e saj dhe ëndrrat që i ka ende për të përmbushur. Dhe sigurisht, nuk mungon as këndi “Fun Corner” me të qeshura të sinqerta dhe batuta që vetëm ajo di t’i japë jetë.

“Papare Night” si e gjeti Deljanën këtë sezon dhe si po e mbyll?
Kur filloi sezoni isha pak e mërzitur nga ana emocionale për shkak të pauzës, por gjithmonë me buzëqeshjen dhe energjinë gati për ta nisur si një rrugëtim të ri. Ishte një sezon që kërkoi shumë kohë, durim dhe përkushtim, por më dha edhe më shumë. Më dha një publik që qeshte me zemër, një profesionist si Agron Llaka që na ndihmon të rritemi profesionalisht çdo ditë dhe një ekip që më bëri të ndihem si në shtëpi.

Ndërkohë shfaqja “Komshinjtë” bëri namin. Një batutë që të ka mbetur në mendje?
Është shumë e vështirë të veçosh një batutë kur teksti është shkruar nga Florjan Binaj dhe çdo rresht është një goditje! E vetmja gjë që mund të them është se që nga fillimi e deri në fund, të qeshurat nuk ndalen. Ftoj të gjithë ata që nuk e kanë parë ende, të mos e humbasin shfaqjen përmbyllëse më 13 qershor, rikthehemi sërish në shtator!

Çfarë ndryshimi të madh ke vënë re te publiku shqiptar, krahasuar me fillesat?
Publiku sot është më i ndjeshëm dhe më kërkues. Nuk mjafton të bësh për të qeshur, duhet edhe të japësh diçka që i mbetet. Dikur njerëzit qeshnin më lehtë; sot duan të ndihen të përfaqësuar, të kuptuar.

Për ty, cila është dhurata më e madhe që të sjell humori, si në jetë ashtu edhe në skenë?
E qeshura që shëron. Kur dikush më thotë: “E kisha ditën shumë të keqe, por sapo të pashë te Familja Korçare, u shkriva tu qesh”, për mua është më shumë se një duartrokitje. Është një lidhje njerëzore pa çmim.

Një ëndërr që ke për karrierën tënde, që ende nuk e ke treguar?
Të luaj një rol dramatik në një film që udhëton në festivale ndërkombëtare. Jo për famë, por për të treguar një Deljanë tjetër, që publiku nuk e njeh ende.

Nëse do të ndryshoje diçka te skena e humorit shqiptar, çfarë do të ishte?
Nuk mendoj se jam unë ajo që duhet të flas për këtë, edhe pse kam vite në këtë profesion. Ka mjeshtra që e meritojnë atë fjalë. Por mund të them që sot humori bëhet gjithkund, në TV, në gazeta, e sidomos në rrjetet sociale. Kjo, për mendimin tim, është një nga “dramat” e vërteta të humorit sot.

Këndi i humorit me… Deljanën

Nëse do të duhej të shpëtoje vetëm një batutë nga “Papare Night” dhe një nga “Komshinjtë”, cilat do të ishin?
Nga Papare Night: “Obobooo po ne se dinim…”
Nga Komshinjtë: “Blejini mi goces një makinë, se ka moshen. Sa vajti? 9 e gjys!”

Cila është ajo gjë e çuditshme që bën pas një performance të suksesshme?
Rri e pastroj grimin me shumë kujdes, si një ritual. Është si të pastrosh emocionin e natës nga fytyra, por për ta ruajtur brenda vetes. Pastaj… rolet e jetës: nënë, motër, bashkëshorte, shoqe! 🤣

Një rol që do të doje të luaje, që s’ka lidhje me humorin?
Dua të luaj shumë role në të gjitha zhanret. Është një sfidë që më frymëzon!

Komplimenti më i çuditshëm që ke marrë nga një ndjekës?
Njëherë më tha dikush: “Mamaja ime të adhuron më shumë se mua… dhe unë jam djali i saj!” 🤣

Nëse humori shqiptar do të ishte një pije, çfarë do të ishte dhe pse?
Një raki e fortë, që pihet me turshi e me lot. Të djeg, të bën të qeshësh, të sjell kujtime nga shtëpia.

Çfarë këshille do t’i jepje vetes 5 vite më parë?
Beso më shumë te vetja, edhe kur duket sikur askush nuk po sheh. Sepse momentet që të ndryshojnë jetën ndodhin pikërisht kur nuk i pret.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here