“Një yll në skenën e teatrit shqiptar” vetëm kështu mund ta përshkruajmë aktoren e njohur Mimoza Marjanaku, sepse rolet e luajtura prej saj kanë lënë përshtypje të jashtëzakonshme tek publiku, gati-gati qiellore. Mimoza, ashtu si dhe emri i saj, është e veshur me art, art të cilin e përcjell tek ne, aty në skenë, aty ky ajo sjell gjithmonë pak edhe nga vetja!
-Mimoza, çfarë të tërhoqi fillimisht për të ndjekur një karrierë në aktrim dhe si u përfshive në skenën e teatrit shqiptar?
-Kur isha e vogël më pëlqente të eksperimentoja. Shtëpia e pionierit, sot ‘ Q.K.F” ka qenë shumë funksionale. Ndiqja rrethin e recitimit, ndiqja rrethin e këngës,më pas provova edhe rrethin e qëndisjes. Me sa duket subkoshienca ime më përgatiste mua drejt një edukimi artistik. Fillova të aktivizohem në teatrin “Bylis” që e vogël deri sa u maturova dhe konkurova në degën e Aktrimit. U emërova si aktore profesioniste në Teatrin “Aleksandër Moisiu” dhe nuk u ndava asnjë ditë nga skena e këtij teatri të cilin e dua siç dua dhe jetën.
-A mund të ndash me ne një përvojë të paharrueshme nga një prej shfaqjeve ku ke qenë pjesë e cila ka pasur një ndikim të rëndësishëm tek ty si artiste?
-Për çdo aktor, besoj se është shumë e rëndësishme eksperienca e parë. Ishte shumë e bukur të isha në një skenë me Yllka Mujon, Guljelm Radoja dhe aktorët e tjerë të trupës së Durrësit. Ishte një dramë e shkruar nga Roberto Bracco e titulluar ” Të jesh nënë” me regji të Driada Dervishit. Atëherë kuptova që unë tashmë isha kolege e aktorevë më të mirë shqiptarë.
-Si një aktore e njohur e skenës shqiptare, njohur për talentin dhe aftësitë në skenë, si i qasesh përgatitjes për një rol të ri në një shfaqje teatrale apo artistike le të themi?
-Një shfaqje artistike zakonisht zgjat një periudhe kohore prej një muaji e gjysëm në mënyrë intensive dhe vemendja ,gjithë qenia është e fokusuar vetëm te roli dhe shpesh e kap veten në rrugë duke thënë me vete tekstin në mënyrë të pavullnetshme . “E folura me veten” përfundon vetëm kur përfundon shfaqja.
-Çfarë të duket më sfiduese dhe shpërblyese për portretizimin e personazheve komplekse dhe rebele në skenë?
-Kjo pyetje e ka vetë përgjigjen brenda. Çdo personazh i sjellë në jetë,qoftë i rëndësishëm ose jo, protagonist ose jo protagonist, shpërblimin e merr nga publiku. Ai është gjykatësi! Ai e jep verdiktin!
-A mund të na flasësh për një shfaqje apo rol të veçantë që ka vënë vulën në karrierën tënde?
– Në momentin që të duhet të përzgjedhësh se cili rol është më i veçanti, është vërtetë shumë e vështirë sepse të gjitha rolet kanë të njëjtin grup gjaku me mua. Po veçoj, jo një rol të veçantë, por një eksperiencë të veçantë. Ishte drama
“Kush e solli Doruntinën” me regji te Laerti Vasilit,shfaqje që bëri bashkë kollosët e teatrit e te filmit shqiptar, Margarita Xhepa, Viktor Zhusti dhe i paharruari Bujar Lako.
-Si e sheh gjendjen aktuale të skenës teatrore shqiptare dhe çfarë ndryshimesh apo përmirësimesh do të dëshiroje të shihje në këtë fushë artistike?
-Teatri ndoshta nuk është në ditët e tij më të mira. Ka trupa në rrethe që nuk ekzistojnë fare ose kanë një ose dy aktore. Përveç Tiranës funksionon në mënyrë gati-gati sfiduese teatri i Durrësit, Korçës dhe Shkodrës. Mendoj se duhet investuar më shumë për teatrin dhe për ne teatrot e rretheve duhet të llogaritet një buxhet më i madh në mënyrë të tillë që edhe shfaqjet të jenë më produktive dhe të bëhet i mundur bashkëpunimi edhe me regjisore të huaj e vendas.
-Në çfarë mënyrash i përfshin përvojat dhe emocionet tuaja personale në shfaqje dhe si lidhesh me personazhet e tua në një nivel më të thellë gjatë një interpretimi?
-Në pothuajse gjithë rolet shfrytëzoj eksperiencat e mia jetësore. Dua të veçoj personazhin e Klitemnestrës në tragjedinë “Elektra” të Sofokliut, personazhin e nënës në dramën ” Te korrat e gjelbërta” të Bruno Shllakut dhe rolin e nënës në filmin “Guxim” ‘ të Drilon Hoxhës, role tejet dramatike dhe aty kam shfrytëzuar instiktet e mia si nënë dhe ja kam dalë më së miri.
-Me përvojën tënde, çfarë këshille do t’u jepje aktorëve të rinj aspirantë që kërkojnë të bëjnë emër në botën e artit, e konkretisht në aktrim?
-Punë, punë, punë ,punë, punë!