Rikthimi i Dallëndyshes Ermonelë… i asaj që ndonëse për pak ja shkërmoqën ëndrrat në rininë e parë, nuk e ngatërroi asnjëherë vendin me individët. Për shumë yje të 20 e kusur viteve më parë, Ermonela Jaho ndoshta do të ishte ende në kor sot e kësaj dite, e megjithatë për vendin nuk pëshpëriti asnjëherë një fjalë të keqe, prandaj puthja e dyshemesë së skenës së TKOB-së, na emocionon. Pikërisht se buron nga e vërteta dhe jo nga hipokrizia.
Ermonela pa botokse dhe fillera, pa fryrje e shfryrje sipas oreksit, prandaj është më e bukura në botë: sepse asaj i lexohet çdo buzëqeshje, çdo emocion, çdo përlotje.
Nuk mund ta fsheh entuziazmin kur mora propozimin nga TKOB për të bashkëprodhuar koncertin e saj, me Prepost, agjencinë që drejtoj prej disa kohësh, sepse do gënjeja paturpësisht nëse s’do pranoja që ambicia për të punuar për një emër si i saji, ishte e para që ngriti krye. Mandej, gjatë procesit, me kalimin e ditëve, zbulova tek ajo edhe njeriun e madh.
Shumë kërkesë për të qenë pjesë e koncertit të saj, por edhe dallavere aty-këtu: për shembull, diku lexova: “Koncerti i organizuar nga shteti dje pushteti…..”. Ka dy të vërteta të mëdha:
1- Artistëve në stadin e Ermonela Jahos nuk i duhet asnjë shtet dhe pushtet në botë për t’i organizuar shfaqje se ndërkohë i janë publikuar datat të paktën deri në fund të 2025-ës. Nëse nuk do e kishte marrë iniciativën një Teatër Opere, kush duhej ta merrte? Një furrë buke?
2- Edhe nëse do ja kishte organizuar shteti e pushteti, për artistët si Ermonela, e ka për detyrë. Artistë si Ermonela dhe vetë ajo, janë nderuar nga shtete dhe pushtete shumë më të mëdhenj se tanët; sepse e meritojnë dhe jo se i kanë borxhe të palara sho-shoqit.
Pati ca ankesa për çmimet e vendosura për biletat dhe kjo jo nga spektatorët që i thanë biletat e saj për 10 ditë, sepse ata e dinë sa kushton një shfaqje e tillë. (Mjafton të kontrolloni agjendën edhe tani që lexoni këtë shënim). Vijnë për të gëzuar shpirtin e tyre, jo për të bërë video për rrjete sociale. Kurse vipat që janë mësuar t’i shohin shfaqjet qyl në këtë vend u tronditën shumë që nuk morën një ftesë për të parakaluar në tapetin e kuq. Ah, edhe për këtë pashë që kishte pakënaqësi, se disave u kishte kujtuar rradhat e qumështit dhe vajgurit në kohën e diktaturës. Pa merak, herës tjetër, do t’i japim mundësinë njerëzve të goditen me grushte e gota qelqi; do të legjitimojmë thyerjen e xhamave, vetëm që ndonjërit të mos i kthehen kujtimet e këqija të viteve të errëta të diktaturës.
Njerëz, ajo është Ermonela Jaho, është Violeta e “La traviata”-s, Mimi i “La Bohema”-s, Michaela e “Carmen”-it, Angelica e “Suor Angelica”-s, është YLLI i “Madame Butterfly”.
Ermonela Jaho është ajo që shkeli me role skenat e Royal Operas në Londër, Metropolitan Opera, Teatro Real Madrid, Berlin Staatsoper, Opera National De Paris, Vienë, Australi, Barcelonë, Buenos Aires, La Scala, Marsejë, Arena e Veronës etj etj, por puthi jo një, por disa herë skenën e Teatrit Shqiptar të Operës dhe Baletit, aty ku spektatorët nuk thonë: Thank you, Grazie, Danke, Gracias, Obrigado, Ευχαριστώ, por FALEMINDERIT!