Letra në vijim, do t’i drejtohet zonjës Audrey Azoulay, Drejtore e Përgjithshme e UNESCO-s
Pse? Sepse, prej dy vjetësh, asnjë institucion shtetëror përgjegjës në Shqipëri nuk i është përgjigjur shqetësimit mbarëpopullor, si dhe të intelektualëve më në zë të Shqipërisë, të Kosovës dhe të trevave të tjera shqiptare, për disa interpretime antishqiptare, antihistorike dhe antishkencore, të afishuara në faqen zyrtare të UNESCO-s (linku albanian-folk-iso-polyphony-00155 dhe linku archives/multimedia/document-610).
Përmbajtja e letrës:
“E nderuar Drejtore e Përgjithëshme e UNESCO-s!
Duke çmuar lart misionin tuaj dhe të UNESCO-s, Agjensi e OKB-së, të mandatuar për identifikimin dhe promovimin e vlerave kulturore të popujve, si dhe të vërtetave shkencore e historike që lidhen ekskluzivisht vetëm me këto vlera, pranoni për konsiderim, ju lutem, një shqetësim mbarëpopullor, si dhe të elitës intelektuale shqiptare, lidhur me disa interpretime antishkencore dhe antihistorike, të afishuara në faqen zyrtare të UNESCO-s (linku albanian-folk-iso-polyphony-00155 dhe linku archives/multimedia/document-610).
Deklarimi ynë si më sipër, mbështetet në këto gjetje:
1. Në vitin 2005, UNESCO ka regjistruar të ashtuquajturën “Iso-Polifoni Shqiptare” në Listën Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jolëndore të Njerëzimit. Lutemi verifikoni se kredencialet për këtë qëllim nuk i kanë paraqitur institucionet shtetërore shqiptare përgjegjëse, por “RADIO TELEVIZIONI SHQIPTAR” – një media e shërbimit publik dhe “KËSHILLI MUZIKOR SHQIPTAR” – një fantazmë e paçertifikuar zyrtarisht. UNESCO është për mirënjohje që e ka vlerësuar edhe polifoninë shqiptare për ta regjistruar në Listën Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jolëndore të Njerëzimit, por është përgjegjëse përse nuk iu është referuar institucioneve shtetërore shqiptare për argumente.
2. Në faqen zyrtare të UNESO-s, vetëm polifonia shqiptare është regjistruar me emrin “Iso-Polifoni”, ndërkohë që mbi 20 shtete të tjerë i kanë regjistruar polifonitë e tyre kombëtare vetëm me emrin “Polifoni”, për arsyen e thjeshtë se “iso” është pjesë integrale e polifonisë. UNESCO ndoshta nuk është përgjegjëse të hulumtojë se çfarë fshihet pas çlëndëzimit që i është bërë polifonisë shqiptare, por është përgjegjëse të verifikojë se polifonia shqiptare, ashtu si të gjitha polifonitë e ngjashme të popujve të tjerë, nuk ka absolutisht asnjë arsye të çlëndëzohet duke e ndarë më vete “ison” nga polifonia.
3. Në faqen zyrtare të UNESCO-s, e ashtuquajtura “Iso-Polifoni Shqiptare” është interpretuar sikur “rrjedh nga muzika kishtare bizantine”! UNESCO ndoshta nuk është përgjegjëse të hulumtojë se çfarë fshihet pas këtij interpretimi antishkencor e antihistorik, por është përgjegjëse të verifikojë faktin verbues se asnjë nga polifonitë e ngjashme të popujve të tjerë nuk e pranon origjinën nga atribute fetare. UNESCO mund të verifikonte se edhe polifonia e ruajtur në zonën e Epirit në Greqinë veri-perëndimore, edhe polifonia e ruajtur në rajonin Shoplouk në Bullgarinë perëndimore, të dyja të regjistruara në Listën Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jolëndore të Njerëzimit, të dyja shumë më afër qendrës së Bizantit, me autoritet shkencor, me integritet dhe dinjitet kombëtar, e kanë çertifikuar origjinën te tradita historike e popullatës bartëse, jo te muzika kishtare bizantine. Është absurde që populli shqiptar, i cili shtrihet në skaje shumë më të largëta të ish Perandorisë së Bizantit, t’ia atribuonte kishës bizantine këngët e tij të djepit, të dasmës, të stinës, të eposit dhe të tërë korpusit të vet shpirtëror. Paraqitja në faqen zyrtare të UNESCO-s sikur polifonia rrjedh nga muzikë kishtare, është devijim tërësisht antihistorik jo vetëm ndaj popullit shqiptar, por ndaj çdo populli, teksa shkencërisht është vërtetuar se “Polifonia ka qenë pjesë e rëndësishme e sistemit mbrojtës të njerëzve të parë”.
4. “RADIO TELEVIZIONI SHQIPTAR” dhe “KËSHILLI MUZIKOR SHQIPTAR” ju kanë interpretuar (dhe UNESCO e ruan në faqen e saj zyrtare!) se e ashtuquajtura “Iso-Polifoni Shqiptare” e ka prejardhjen nga mitologjia joshqiptare e Sirenave! UNESCO ndoshta nuk është përgjegjëse të hulumtojë se çfarë mizërie mitologjish ziejnë në Ballkan, por UNESCO është, të paktën, përgjegjëse për të mos pranuar konkluzione antihistorike dhe antishkencore sikur mitologjitë krijojnë popuj! Përkundrazi. Janë popujt që krijojnë mitologji.
5. “RADIO TELEVIZIONI SHQIPTAR” dhe “KËSHILLI MUZIKOR SHQIPTAR” ju kanë interpretuar se “Etnomuzikologjia, siç është verejtur që nga ekzistenca e Sirenave në mitologjinë e stërgjyshërve tanë…”! Me respekt, ju kujtojmë se UNESCO është e mandatuar nga OKB të çmojë vetëm vlerat e trashëgimisë kulturore të njerëzimit, jo të pranojë interpretime me prapavija nacionaliste. Dhe ky interpretim vijon të qëndrojë në faqen zyrtare të UNESCO-s!
6. “RADIO TELEVIZIONI SHQIPTAR” dhe “KËSHILLI MUZIKOR SHQIPTAR” ju kanë paraqitur (dhe UNESCO e ruan në faqen e saj zyrtare!) sikur e ashtuquajtura “Iso-Polifoni Shqiptare” është e lidhur me kompozitorin gjerman Bach dhe atë hungarez Ligeti. Sigurisht që këta ishin autorë të mëdhenj për kombet e tyre, por nuk kishin absolutisht asnjë lidhje me Polifoninë Shqiptare! Juria e UNESCO-s nuk kishte përse të pranonte që vlerat e polifonisë shqiptare të kërkohen te Koralet Luterane gjermane të Bach-ut.
7. “RADIO TELEVIZIONI SHQIPTAR” dhe “KËSHILLI MUZIKOR SHQIPTAR” ju kanë parashtruar (dhe UNESCO e ruan në faqen e saj zyrtare!) se e ashtuquajtura “Iso-Polifoni Shqiptare” zhvillohet vetëm në zonat shqiptare përreth qyteteve Përmet, Korçë, Leskovik, Vlorë dhe Delvinë. UNESCO është përgjegjëse dhe duhet të njohë institucionalisht se polifonia shqiptare shtrihet në një hartë tre-katër herë më të madhe nga harta që iu është paraqitur nga dy organizma të paautorizuar, ngase polifonia shqiptare këndohet po ashtu edhe në Pogradec, Gramsh, Berat, Skrapar, Fier, Strugë, Ohër, Dibër, Kosovë, (Opejë, Kaçanik), në fshatrat e Pologut prej rrethinave të Tetovës, Gostivarit e në rrethinat e Kërçovës, në Shkup në zonën e Dervenit, etj.
8. Në faqen zyrtare të UNESCO-s, si dhe në parashtresën që ju ka sjellë “RADIO TELEVIZIONI SHQIPTAR” dhe “KËSHILLI MUZIKOR SHQIPTAR”, përkundër misionit për të paraqitur vetëm hartë etnomuzikologjike, paraqiten ndarje krahinore fizike me terma që nuk i njeh zyrtarisht historiografia shqiptare dhe as shteti shqiptar. Lutemi t’ju kujtojmë se ka një përcaktim të pranuar botërisht për definicionin e etnomuzikologjisë: “Etnomuzikologjia mund të përshkruhet si një investigim gjithëpërfshirës i muzikës në kontekstet e saj kulturore”. Pra, jo në kontekste për qëllime të tjera jashtë kontekstit kulturor!
9. “RADIO TELEVIZIONI SHQIPTAR” dhe “KËSHILLI MUZIKOR SHQIPTAR”, në Formular-Dokumentarin që ju kanë paraqitur, kanë vizatuar një hartë politike të vendeve të Ballkanit të ngjashme me kohën otomane të luftrave ballkanike! UNESCO, Agjensi e OKB-së, ka përgjëgjësinë të mos lejojë që, në shekullin e 21-të të operohet me harta të fillimshekullit të 20-të. Dhe kjo hartë vijon të qëndrojë në faqen zyrtare të UNESCO-s!
10. UNESCO, me të drejtë ka alokuar fonde për mbajtjen gjallë të së ashtuquajturës “Iso-Polifoni Shqiptare”. Por ka dyshime të forta nëse këto fonde janë adresuar për qëllimin e mësipërm, çka është në detyrimin e UNESCO-s për t’i verifikuar.
E nderuar Drejtore e Përgjithshme e UNESCO-s!
Ju dhe stafi juaj i sotëm nuk jeni përgjegjës se përse në vitin 2005, pra rreth 20 vjet më parë, paraardhësit tuaj kanë pranuar të përziejnë vlera trashëgime kulturore me interpretime të pavërteta shkencore e historike. Por ju jeni përgjegjës se përse këto përzjerje vijojnë të qëndrojnë në faqet zyrtare të UNESCO-s, Agjensi e OKB-së.
Ne kemi besim të plotë te integriteti juaj dhe i organizmit të cilin ju jeni zgjedhur ta drejtoni, si dhe te angazhimi juaj institucional për t’i konsideruar shqetësimet si më sipër, për të pastruar antivlerat dhe të pavërtetat historike dhe shkencore nga faqja zyrtare e UNESCO-s.
Lutemi gjeni bashkëlidhur përbërjen dhe përfaqësimin e shoqatave dhe grupeve nga zonat, krahinat, qytetet dhe fshatrat e të gjitha trevave shqiptare ku ruhet e zhvillohet tradita e muzikës shumëzërëshe popullore shqiptare, e shprehur në një memo të intelektualëve më në zë shqiptarë drejtuar institucioneve shtetërore shqiptare. Ju faleminderit.”