Rudina Papajani ka hyrë në botën e poezisë qysh kur ishte fëmijë dhe poezitë i shkruante në copa letre. Më vonë tematika e poezive të saj është zgjaruar, duke u përpjekur që ta pasqyrojë jetën përmes vargjeve të saj. Me poezitë e saj Rudina është bërë pjesë e gazetave dhe revistave të ndryshme. Ajo ka marrë pjesë në konkurse poetike, duke u vlerësuar shpesh herë me çmime. Krijimtaria letrare e Rudinës është pritur mirë nga shumë lexues, duke e vlerësuar dhe nxitur që të shkruajë ende më shumë. Në kanalin e saj të YouTube ajo ka publikuar mjaft interpretime artistike të veprave të autorëve të njohur shqiptarë dhe të huaj. Në një intervistë për Radio Ejani Rudina Papajani tregon për pasionin e saj për letërsinë, artin dhe psikologjinë si dhe botimet që ka sjellë për lexuesit.
CMG: Si lindi pasioni për letërsinë dhe nga se frymëzoheni më shumë kur shkruani poezi?
Rudina Papajani: Pasioni për letërsinë më lindi që fëmijë, kur lexoja shumë libra dhe harrohesha pas tyre derisa më zinte gjumi me libër hapur. Në shkollën e mesme shquhesha për hartime që sot quhen ese dhe në vitin e parë të gjimnazit hidha hapat e para në poezi. Frymëzimi im për të shkruar poezi është marrë nga jeta e përditëshme, nga ajo që prek dhe jep, duke krijuar një ndjesi të bukur.
CMG: Çfarë keni trajtuar më shumë në krijimtarinë tuaj letrare?
Rudina Papajani: Hapësira ime te poezia janë sidomos poezitë për femrën, e parë kjo në të gjitha aspektet dhe kontekset e saj, bukuria e natyrës si një perceptim ku abstraktja jep ndjesi diellore. Pra çdo gjë e bukur që prek, që jep dhe merr, çdo lloj ndjesie, dhe kjo më ka bërë që unë ta paraqis atë në krijimet e mia letrare.
CMG: Cilat kanë qenë botimet që keni sjellë për lexuesit dhe përshtypjet e lexuesve?
Rudina Papajani: Përsa i përket botimeve shikoj rëndomtë mund ta them, sepse botojnë shumë poetë libra pafund, mirëpo unë jam tek ajo pjesa që më mirë pak dhe saktë. Unë kam shkruar shumë poezi, por i kam reduktuar në dy vëllime poetike, “Algat e shpirtit” dhe “Violinat e shiut”. Ndërkohë që shkruaj sepse kam dhe një pasion tjetër psikologjinë dhe kam shkruar tema të ndryshme psikologjike, të cilat janë botuar në revistën “Psikologjia”.
Kam botuar tema të caktuara shoqërore si stresi, ankthi i njerëzve dhe këto shkrime janë pasqyruar në vijimsinë e kësaj reviste.
CMG: Pra ju jepni edhe këshilla si psikologe?
Rudina Papajani: Patjetër, sepse e kam pasion përveç pjesës që shkruaj.
CMG: Një tjetër pasion i juaji janë dhe interpretimet artistike ku keni publikuar mjaft prej tyre në kanalin YouTube.
Rudina Papajani: Që e vogël ndërkohë që lexonim pjesë të ndryshme, u vu re nga mësuesit e asaj kohe duke më thënë se kisha një zë shumë të veçantë për të lexuar. Pastaj në gjimnaz fillova të merresha me grupet teatrale të shkollës ku jam vlerësuar dhe me çmime. Në kohën që unë doja të realizoja ëndrrën time për aktore nuk arrita ta realizoja këtë pasion dhe ka mbetur ëndërr në sirtar. Megjithatë unë mundohem që këto interpretime t’i paraqes në faqen time të YouTube, ku kam lexuar vepra nga autorë të njohur shqiptarë dhe autorë klasikë të huaj sepse ata preferoj më shumë. Këto interpretime artistike janë pëlqyer nga njerëzit që më ndjekin.
CMG: Tashmë jetoni prej disa vitesh në Gjermani. Ka qenë i vështirë për ju largimi nga vendlindja dhe integrimi në një vend të huaj?
Rudina Papajani: Unë kam qenë herë pas here në Gjermani dhe tani përfundimisht kam një vit që jam bërë me dokumenta këtu. Kështu që kam ardhur vazhdimisht në Shqipëri. Ndërsa integrimi ishte pak i vështirë për mua, gjuha më duket shumë e vështirë. Ndoshta gjermanët janë njerëz punëtorë dhe të mirë, por kanë ftohtësi, kurse ne jemi popull i ngrohtë dhe falim shumë dashuri. Këtë përshtypje kam krijuar dhe duke qenë tip i ndjeshëm, e vuaj që këta njerëz janë pak të ftohtë.
CMG: Çfarë ju mungon më shumë nga vendi juaj tani që jeni larg?
Rudina Papajani: Unë në Vlorë kam qenë zv/kryetare e Lidhjes së Shkrimtarëve të Vlorës dhe kemi pasur aktivitete pafund atje, por interpretoja dhe në teatër herë pas here pjesë të autorëve të njohur. Pra kam qenë gjithomnë me aktivitet në Shqipëri dhe më mungon kjo pjesë. Gjithashtu më mungon shumë shoqëria mes njerëzve të dashur për mua, nuk ka si vendi jot.
CMG: Si i mbani kontaktet me njerëzit dhe lexuesit tuaj?
Rudina Papajani: Duke shkruar vazhdimisht, duke u botuar sepse unë shkruaj tregime dhe prozë gjithashtu, por bëj dhe reçensione të librave të autorëve të ndryshëm. Kontaktet me njerëzit i mbaj me anë të të shkruarit dhe duke botuar vazhdimisht apo dhe me anë të rrjeteve sociale.
CMG: Mendoni se rrjetet sociale janë një promovim i mirë i krijimtarisë suaj letrare dhe artistike?
Rudina Papajani: Patjetër që po, sepse aty shikohet një lloj diferencimi i gjërave. Sado që ka nga ata shkruajnë pafund dhe ata që japin esencialen e gjërave, bëhet një dallim të paktën për dëgjuesin e zgjuar që i kap gjërat.
CMG: Përveç letërsisë dhe leximeve artistike a keni të tjera pasione në jetë?
Rudina Papajani: Dega e psikologjisë më ka pëlqyer shumë, më pëlqen shumë muzika dhe sidomos muzika klasike. Unë mbushem kur dëgjoj veprat e kompozitorëve të mëdhenj dhe i kam inspirim për të shkruar, pra dëgjoj muzikë klasike dhe shkruaj. Gjithashtu pasion kam violinën dhe pianon si pjesë të muzikës.
CMG: Luani në piano apo ndonjë instrument tjetër muzikor?
Rudina Papajani: Unë kam bërë pesë vjet shkollë muzike për violinë dhe luaj pak në këtë instrument.
CMG: Cilat janë planet tuaja në vazhdim në lidhje me krijimtarinë letrare?
Rudina Papajani: Mendoj që të nxjerr një vëllim tjetër poetik, të shkruaj sa më shumë prozë apo tregime sepse më pëlqen shumë tregimi abstrakt ose filozofik.
CMG: Keni menduar që t’i promovoni në atdhe këto botime letrare?
Rudina Papajani: Patjetër që po, por do të merrem shumë dhe me interpretimet artistike sepse kam edhe ndihmën e partnerit tim që më ndihmon shumë në mënyrën e të lexuarit të poezive.
CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit tanë dhe miqtë tuaj?
Rudina Papajani: Ju falenderoj për mundësinë e kësaj interviste dhe përshëndes gjithë miqtë tanë, duke ju uruar në radhë të parë një shëndet të mirë, lumturi dhe gëzim.
Intervistoi: Gazmend Agaj