Dhjetor, fundvit, etapë e re në ardhje, të gjitha këto në një intervistë me personazhin që bëri të kërcejnë të gjithë shqiptarët e jo vetëm me “Luj Luj”. E nuk mbaron me kaq, sepse 2023-shi vjen me një tjetër bashkëpunim që do bombardojë diskotekat. Gerona Hyska një emër që ktheu në simpatizantë të zërit këdo e dëgjoi vjen me një rrëfim të ngrohtë dhe simpatik, në numrin e fundit të “Intervista.al” për vitin 2022! Lexim të këndshëm!
-Gerona, kemi hyrë në stinën e dimrit, të të ftohtit, të veshjeve të trasha, ushqimeve të ngrohta, këngëve të reja e të bukura dhe me sa di je gati për të publikuar këngën e re…ç’ndjesi të jep kjo gjendje?
-Një ndjesi të jashtëzakonshme. Jam e “çmendur” pas mirënjohjes dhe i falendëroj të gjithë që më kanë mbështetur që në fillimet e mia. Kënga e re është gati dhe do jetë super këngë. Pas këngës “Luj Luj” me Bes Kallakun dhe Klodian Kodrën, le të themi me modesti hitin e 2022-shit (buzëqesh) një bashkëpunim i ri me dy emra të njohur të estradës shqiptare të cilët do i zbulojmë pak më vonë. Jam mirënjohëse për të gjithë ata që kam punuar gjatë viteve dhe gjatë këtij viti në veçanti. Mirënjohëse dhe falendëruese…!
– Çfarë vjen për Geronën pas kësaj lodhjeje por edhe kënaqësie shpirtërore?
– Me qejf pak qetësi por nuk e besoj dhe shumë, sepse kam aktivitet të ngjeshur me koncertet si fundvit që është një turne në USA, aromë festash, aromë këngësh.
– Thonë që nuk i ke qejf intervistat, ndërsa unë mund të them që me mua ke qenë gjithmonë e gatshme sa herë të kam ftuar. Pse është krijuar kjo ide për ty?
– Nuk më pëlqen kur më bëhen pothuajse të njëjtat pyetje, pasi një personazh ka shumë për të thënë nëse i bëhen pyetjet e duhura.
– Në ç’mënyrë do të përpiqeshe t’i jepje ngjyrat e duhura një mëngjesi të ftohtë, gri?
– Këto ditë, meqenëse jemi edhe në prag festash dhe sido që të jetë koha jashtë, brenda në shtëpi mbizotëron një atmosferë e këndshme. Sigurisht që zbukurimi i shtëpisë për festa nuk mungon, por ai që mendoj se i jep vërtet ngjyra një kohe gri është një filxhan i ngrohtë me çokollatë dhe një këngë e bukur në sfond.
– Gjëja më e rëndësishme për Geronën?
– Familja, muzika, dashuria, shoqëria…kam disa!
– Gabon shpesh?
– Sigurisht që gaboj. Unë nuk jam e përsosur, jam njeri.
– Beson në Zot apo në fat?
– Besoj në Zot që më jep fatin.
– Me çfarë spikat dimri te ti? Sa vend zë ai në natyrën tënde?
– Unë jam nga Korça ku pothuaj çdo vit, në dimër, bie dëborë, ndaj unë e dua shumë borën, më pëlqen bardhësia që vesh gjithë qytetin, ajri bëhet i pastër dhe çdo gjë shndrin edhe natën, ndaj mendoj se ajo që më karakterizon në dimër është bardhësia. USA më shkon veshur mirë sidomos në këtë periudhë!
-Dimri është edhe periudha e festave të shumëpritura. Shijon më shumë festimin e tyre apo ditët në pritje?
-Ditët në pritje, pasi për festa jam gjithmonë në punë. Kjo nuk do të thotë që edhe në punë nuk i festoj, pasi për fatin tim të mirë bëj një punë që më mundëson edhe të festuarin dhe argëtimin.
-Jam kurioze të di, ç’përfytyrim kishe për Babagjyshin kur ishe e vogël?
-Po atë që ka patur çdo fëmijë; një plak i moçëm, i veshur me të kuqe, që shpërndante dhurata. (Buzëqesh)
-Dhuratat që mezi prisje t’i gjeje poshtë pemës…
-Sigurisht që një kukull të bukur.
-Kur bie të flesh, për çfarë të ndodh të mendosh?
-Ndonjëherë mendoj sa shpejt kaloi dita, muaji, viti, si pa kuptuar.
-Ku do të të gjejë Viti i Ri këtë herë?
-Pranë publikut tim në USA, duke kënduar dhe duke festuar me ta, natën e ndërrimit të viteve.
-Ke mall për kohën kur urimet për festa dërgoheshin të shkruara në kartolina dhe jo në mesazhe në celular apo në e-mail? Ti e ke ruajtur traditën me rrethin tënd të ngushtë?
– Jo, fatkeqësisht nuk e kam ruajtur traditën… Edhe mua më ka marrë monotonia e mesazheve në celular dhe rrjete sociale, por disa ditë më parë, kam parë disa kartolina shumë të bukura dhe mendoj se këtë vit do ta thyej patjetër monotoninë e mesazheve që ndonjëherë dërgohen shabllon, për të gjithë numrat e celularit.
-Cili është urimi që do të doje ta ndaje me shqiptarët që të duan dhe të vlerësojnë për Geronën këngëtare dhe atë njeri?
-Së pari, duke qene se jemi në prag festash, u uroj me gjithë zemër Gëzuar Krishtlindjen dhe Vitin e Ri. Së dyti, dua t’i falenderoj nga zemra të gjithë ata që më kanë vlerësuar duke pëlqyer këngët e mia në vite dhe nuk kanë reshtur duke më përkrahur kudo ku kam qenë. Dhe për ta mbyllur, u them të gjthë lexuesve të Gazetës “Intervista”: Kalofshi sa më bukur festat e fundvitit, paçi një vit të mbarë dhe Zoti ju bekoftë të gjithëve!