-Twin Gent, ti je një nga DJ-t më të njohur, pse quhesh Dj Twin, si fillim?
-Quhem Twin Gent sepse muzika qe bej ne Europe eshte mjaft e perferuar dhe ka shume DJ që luajnë stilin tim. Në Francë kur kam qenë në një shtëpi diskografike, ata më quajtën Twin nga stili i muzikës që luaja!
– Jeta e natës në Tiranë është shumë e frekuentuar, aq sa tashmë ajo nis që të mërkurën dhe jo në fundjavë. Kështu është më mirë për ju, por edhe më e lodhshme, besoj…
– Po, kohët e fundit, jeta e natës fillon që të mërkurave, por s’është e lodhshme, duke menduar që në verë do jetë çdo natë.(Buzëqesh) S’ka punë pa lodhje, por është edhe fitimprurëse.
– Ka patur ndonjë moment kur je penduar që ke zgjedhur këtë profesion?
– Vendi ynë nuk ka shumë hapësira për të ushtruar këtë lloj profesioni si vendet e tjera. Kjo është një ndër arsyet pse një DJ mund të pendohet që ka lindur në Shqipëri, por s’pendohem kurrë sepse kjo është puna që dashuroj.
– Edhe mënyra juaj e jetesës ndryshon nga e të tjerëve, ngaqë rrini zgjuar natën dhe flini ditën. Për çfarë të pengon më shumë kjo gjë?
– Jemi mësuar tani sepse edhe kur nuk jemi në punë, na zë gjumi në orën katër të mëngjesit. (Qesh) Kjo më pengon shumë që të shoh dritën e diellit. (Buzëqesh)
– Ju gjithashtu jeni edhe “dëshmitarë” të ngjarjeve dhe situatave të ndryshme që ndodhin në klabe; zënka, sherre, ndarje mes çiftesh, teprim me alkoolin…
– Këto janë gjërat më të zakonshme të jetës së natës. Teprimi me alkoolin ndodh çdo fundjavë, ndërsa zënkat dhe sherret, më rrallë.
– Çfarë u mungon klabeve shqiptare, krahasuar me ato europiane?
– Për mendimin tim, asgjë, sepse teknologjia ka përparuar goxha, madje mund të them se disa klabe ne Mal të Zi e Itali, lënë shumë për të dëshiruar, krahasuar me ato në Shqipëri
– Po klientëve shqiptarë, krahasuar me ata europianë?
– Shumë, duke nisur që nga preferencat e tyre muzikore. Klientët shqiptarë vijnë në klab për t’u dukur dhe jo për t’u argëtuar.
– Ka patur oferta të cilat i ke refuzuar për shkak të pagesës?
– Po, ka patur. Shumë, madje.
– Për ç’arsye tjetër do ta refuzoje një ofertë?
– Kushtet e punës dhe pajisjet elektronike të nevojshme për mbarëvajtjen e mbremjes apo eventit.
– A janë klabet një nga vendet ku VIP-at shqiptarë harxhojnë më shumë?
– Jo, s’janë klabet. Mendoj se VIP-at harxhojnë më shumë në shopping sesa në lokale.
– A janë këto të fundit edhe biznesi i preferuar që VIP-at kërkojnë të hapin?
– Ky biznes nuk është vetëm preferenca e tyre, por e çdokujt që dëshiron të ketë një biznes fitimprurës, por nuk është aq e lehtë sa mendohet sepse për të hapur një biznes të tillë, duhet të kesh eksperiencën dhe të dish mirë se si funksionojnë gjërat në këtë fushë.
– Është edhe në planet e tua diçka e tillë?
– Momentalisht, jo. Në të ardhmen, nuk i dihet. (Buzëqesh)