Nga leximi i përgjigjeve të kryeministrit dhënë të revoltuarve ndaj vendimit të gjykatës së shkallës së dytë për ndjekje të lirë të guvernatorit të bankës, të them të drejtën mu shfaq në optikën time, një Edi Rama, ndryshe nga ai që njihja më parë; i dyzuar, ku brenda tij mu duk se kishte nisur një erozion qëndrimesh, idesh, pozicionesh politike, një gjuhë plot figura që më tepër se sqaronte problemet, i ngatërronte ato. Pra thjeshtë për të mos u zgjatur pashë një kryeministër në mbrojtje e jo në sulm, jo shumë të hapur me publikun por të fshehur pas hipotezave, lojës së fjalëve, nënkuptimeve, jo një opozitar me vetveten, pasi kjo do të ishte një gjë e mirë, por një kundërshtar të vetvetes mes atyre çka kishte thënë në fushatën e zgjedhjeve dhe atyre çka po bën në praktikë. Ndaj edhe pyetja që përbën dhe titullin e shkrimit, ka të bëjë me nevojën për të parë realisht se cili është identiteti i kryeministrit. Ndoshta është hera e parë që më ndodh të jem kaq kundërshtues me idetë dhe qëndrimet e Ramës, madje edhe me formën e të shprehurit, krahasimet, leksikun e përdorur.
Me një lloj autoritarizmi të pazakontë në daljet e tij publike, ai ju drejtua të revoltuarve me një thënie të përdorur në fëmijërinë e tij, por edhe tonën, “fjalët mbrapsht” për ata që flisnin me një fjalor të pakëndshëm, pasi kështu laheshim pa u bërë pis thotë kryeministri. Ashtu është por jo çdo ndodhi e fëmijërisë duhet kthyer në një aksiomë politike, në një kod sjellje, në një argument bindës për kohën e sotme. Vetë toni urdhërues “fjalët mbrapsht” nuk është gjetja më e mirë ndaj atyre që përdorin një fjalor të padenjë, ofendues, pa kulturë, aq më tepër kur e thotë atë një kryeministër. Që liria e shprehjes te ne kuptohet si liri sharjesh, ofendimesh, diskriminimi deri sa përbëjnë edhe precedent ligjor, ky është një problem që duhet parë nga vetë mjetet e masmedias. Por le të kthehemi te përmbajtja e problemit, te pohimet publike të kryeministrit, se ai nuk është as prokuror dhe as gjykatës, se adresa e Kryeministrisë nuk është adresa e gjykatës, se ka vdekur koha kur kryeministri apo qeveria ishin trupa prokurorie dhe gjykatash popullore. Lavdi zotit,- thotë kryeministri, ka vdekur bashkë me diktaturën e proletariatit, dhe se kush përpiqet ta ringjalli atë, ka thyer kokën. Një lojë fjalësh të panevojshme, plot sentenca filozofike me natyrë deklarative disi kontradiktore, me një retorikë të lodhshme por me një dinakëri ku përmes toneve të ashpra dhe referencave parimore kushtetuese, duket se kërkonte ti shmangej problemit thelbësorë. Kush e ka kërkuar që kryeministri apo qeveria të bëjnë rolin e kryeprokurorit apo të kryegjyqtarit? Askush, madje nëse ata do të kërkonin votat për poste të tilla, ndoshta populli edhe mund të mos ua jepte. Por edhe nëse publiku do të shikonte se qeveria do të uzurponte pushtetet e pavarura ku ato do të bëheshin një trupë prokurorie dhe gjykate, prapë nuk do ti kishin punët mirë. Ata do të përballeshin me revoltën popullore. Duket se me këtë lojë fjalësh kërkohej të fshihej thelbi i problemit, reforma e munguar në drejtësi, e cila ishte në të vërtetë, përmbajtja e të gjitha shqetësimeve të qytetarëve. Dhe nëse debati mes tyre mori trajta të ashpra dhe shpesh të pakëndshme, kjo zoti kryeministër, lidhet me pohimet tuaja kontradiktore para dhe pas fushatës së zgjedhjeve, për çështjen e reformës në drejtësi. Më i qartë ishit në fushatën e zgjedhjeve kur pohuat se rilindja, me marrjen e pushtetit do ta vendoste drejtësinë në vendin e duhur, se kriminelët e vrasjeve në Gërdec, të 21 Janarit, vjedhësit e shekullit etj., do ti ndëshkonit rëndë. Dhe për këtë populli i etur për drejtësinë e munguar ju besoi qeverisjen. Ndërsa sot, pas më shumë se një vit, populli dëgjon të tjera gjëra nga ç’kishte dëgjuar në fushatën e zgjedhjeve; se qeveria nuk është zyrë prokurorësh apo gjykatësish, se kryeministri nuk është kryeprokuror apo kryegjyqtar, se organet e drejtësisë janë të pavarura dhe pse në sytë e popullit dhe nën hundët e qeverisë ato, në vend të drejtësisë japin padrejtësi, dhunojnë liritë dhe të drejtat e njeriut, se ato janë vënë në shërbim të korrupsionit dhe krimit. Terma të tilla i përdori në mënyrën më të paskrupullt edhe paraardhësi juaj duke e shndërruar drejtësinë si një industri të rëndë të korrupsionit në vend.
Atëherë, kujt mendimi e qëndrimi i përmbaheni zoti kryeministër, atij përpara apo pas fushatës, se kë quani reformë në drejtësi, atë që të mos u thoni prokurorëve dhe gjyqtarëve si paraardhësi juaj, lavire e horra bulevardi, se pajtoheni me sistemin gjyqësor të korruptuar në emër të pavarësisë institucionale edhe kur krimet po infektojnë gjithë vendin. Se reformën në drejtësi mendoni ta realizoni me klithma e ulërima, me mallkime nga zyrat e Kryeministrisë, me kërcënime apo duke treguar anekdota. Pse aleanca qeverisëse nuk po ndërmerr operacione të thella qoftë edhe me kosto të lartë politike në drejtësi? Populli ka të drejtë tu kërkojë llogari se pse deri tani në këtë fushë nuk është bërë asgjë. Ku qëndron shkaku, ku çalon aleanca qeverisëse, pse vullneti i mirë i shprehur në fushatën e zgjedhjeve nuk shoqërohet me masa konkrete, se a pengojnë njëzetë e ca deputetët e të gjitha krahëve ku gojët e këqija i quajnë “Grupi Parlamentar Fullani”. Me sa duket ju reformën në drejtësi e mendoni si një redaktim sipërfaqësor të sistemit aktual, lëvizjen e disa kuadrove dhe zëvendësimin e tyre me disa të tjerë, dhe vetëm kaq. Përgjigja e këtyre pyetjeve nga ana juaj do të kishte më shumë rëndësi se justifikimet e leksionet pa vlerë se qeveria nuk është grup hetimi e gjykimi. Veç të tjerave këto pohime ngjallin te njerëzit, frikë, pasiguri dhe pesimizëm pasi krimi i kultivuar nga gjykatat qenka më i fortë se shteti, shoqëria dhe demokracia ndaj atij duhet nënshtruar pa as edhe një kusht. Çdo vonesë e reformës në drejtësi rrit faturën e krimeve, ku mbi krimet e vjetra të padënuara shtohen krimet e reja, duke bërë që shoqëria të lundrojë mbi krimin. Edhe diçka tjetër nga kundërshtitë tuaja, pohimi se bashkë me diktaturën e proletariatit ka vdekur një herë e mirë edhe koha kur kryeministri dhe qeveria bënin rolin e trupit gjykues. Është e drejtë se populli e rrëzoi për të mos u ngritur më sistemin e diktaturës së proletariatit, si sistem dhune dhe terrori që shkelte në mënyrë flagrante të drejtat dhe liritë e njeriut. Por, pyetja është se me rrëzimin e atij sistemi, a u zhduk diktatura ndaj popullit dhe kërcënimi ndaj të drejtave dhe lirive të njeriut? Vendimet e turpshme të drejtësisë shqiptare në emër të autokracisë së re, klikave dhe monopoleve të pushtetit, të oligarkisë uzurpatore financiare, të pushtetit agresiv të parave, të mafies së trafiqeve, dhe në dëm të njeriut të ekspozuar përpara krimit, janë një diktaturë po kaq e rrezikshme sa edhe diktatura e proletariatit. Përpjekja për tu fshehur pas së shkuarës është paaftësi për të përballuar të ardhmen, reformat, ndërtimin e shtetit të vërtetë ligjor. Cilin Edi Rama duhet të mbajmë në kujtesë, atë që në prag të zgjedhjeve në qendër të Athinës, në Zapio përpara mijra emigrantëve shpalosi programin e rilindjes së vendit dhe në veçanti atë të drejtësisë, apo Edin e sotëm se ai, nuk është as prokuror dhe as gjyqtar që të dënojë krimin dhe kriminelët. Edin e atëhershëm plot optimizëm dhe shpresa, apo këtë të sotmin justifikues, kontradiktor dhe të fshehur pas karriges së kryeministrit? Edin reformator apo Edin konformist? Le të shpresojmë se do të shohim Edin reformator, kurajoz dhe premtim mbajtës. Ne shpresojmë, koha do të gjykojë.
BOTUAR NE SOT.COM.AL 20 SHTATOR 2014