Luiza Gega bëri historinë e atletikës shqiptare në kampionatin europian që po zhvillohet në Mynih. Vendi i parë në garën e 3 mijë metrave me pengesa, është dëshmi e punës së saj të palodhshme.
Përtej normalitetit sportiv, ajo ka kaluar çdo parashikim dhe pritshmëri të një sportisteje që mbush 34 vjeç pas pak muajsh.
Mirëpo vitet mbi supe janë një element jo shqetësues për Luizën dhe trajnerin Taulant Stërmasi, i cili është edhe burri i saj dhe kanë punuar aq fort muajt dhe vitet e fundit, sa për të shkuar tek ky rezultat historik.
Vendi i pestë në botërorin e Oregonit, thyerja rekordeve kombëtare garë pas gare dhe tani vendi I parë në Europian janë dëshmi të një atleteje që nuk njeh limite, përtej mundësive dhe mbështetjes financiare.
E megjithatë të paktën sa i takon këtij rezultati fantastik në europianin e Mynihut ku ajo dominoi nga fillimi në fund garën kundrejt rivaleve gjermane Majer dhe britanikes Bwrd.
Gega do të ketë mundësi të përfitojë nga shpërblimet shtetërore për rezultatet e sportisteve elitare. Si mbretëresha e Europës në 3 mijë metra me pengesa, Luiza Gegës i takojnë 4 milionë leke të reja, që nuk barazohen kurrsesi me lodhjen dhe çmimin që i solli Shqipërisë në krenarinë e valëvitjes së flamurit kuqezi në Mynih.