-Elsa Skëndaj, një emër jo pak i njohur në arenën muzikore shqiptare, por çfarë ka mbetur pa thënë për muzikën tënde?
-Misioni im si artiste, është i dyfishtë, kështu e kam konceptuar gjithmonë, përderisa unë nuk sjell vetëm tinguj muzikorë tek bashkëvendasit e mi, kudo ku dëgjojnë muzikën time. Njëkohësisht, unë u çoj atyre pranë edhe gjuhën…u çoj atyre me këngët tona edhe traditat dhe një pjesë të kulturës të lëna larg!
-A është menaxhim i mirë dalja jo me tepri në ekrane? Nga ana tjetër dalja e shpeshtë duket si konsumim apo jo?!
-Shiko, nuk diskutohet që menaxhimi është kyç ne çdo profesion. Mendoj se dalja e tepërt siç e the edhe ti kthehet në konsumim. Secili ka mënyrën e tij të paraqituri në publik dhe në këtë rast kjo është zgjedhja ime.
-Cili është çelësi i suksesit të Elsës, ndoshta mosrënia në përsëritje?
-(Buzëqesh) Duhet pyetur publiku mendoj për këtë gjë…! Nuk jam nga ata njerëz që vishen me superlativa për veten por them se deri diku ia kam arritur të mos bëhem monotone duke qenë sa me afër shijeve të publikut, atyre që pelqejnë muzikën popullore shqiptare, sidomos atë që i gëzon shpirtin andej nga vijnë publiku për të cilin këndoj.
-Suksesi është i dashur, i kërkuar dhe sakrifikohet për të, por a të ka sjellë ty ky sukses edhe pakënaqësi?
-Pyetje e bukur, me vend por për mua kjo është një pyetje që nuk kam ndonjë dëshirë të madhe për të folur. Nuk më pëlqen negativiteti dhe nuk dua as ta diskutoj.Njeriu ecën në jetë me atë që di të bëjë, me talentin që ia ka dhuruar Zoti dhe përkushtimin.
-Si është jeta mes Shqipërisë dhe udhëtimeve të punës? Cilat vende ku ke kënduar të kanë lënë përshtypjet më të mira?
-Aktualisht jam në Londër, me disa miq e kolegë ku performojmë çdo mbrëmje për shqiptarët tanë këtu. Kam kënduar në Greqi, Itali, Zvicër, Francë, USA dhe pothuajse në gjithë Europën. Nga të gjitha vendet jam kthyer me një përshtypje fantastike për shqiptarët, mikpritjen dhe respektin ndaj meje. I falënderoj pamasë dhe jam mirenjohëse ndaj respektit e mikpritjes së tyre.
-Paraqitja jote në skënë është mjaft dinjitoze, dialogu yt artistik me publikun duket se ka një lidhje të fortë, dhe këtë nuk e them vetëm unë po kushdo që të ka dëgjuar dhe parë qoftë një herë dukë kënduar në evente apo gëzime familjare. Ti personalisht, si ndihesh nga ky vlerësim?
-Faleminderit dhe jam e lumtur që këto fjalë i dëgjoj shpesh, tani dhe nga ju. E dua publikun tim dhe ndjej se dhe ai më do. Unë kam qenë dhe jam gjithmonë në kërkim për më të mirën për ta shpalosur në skenë, ndoshta kjo është edhe arsyeja që unë kam këtë lidhje të fortë me ata që pëlqejnë muzikën time dhe e duartrokasin.
-Emocionet që të krijon të kënduarit për shqiptarët jashtë Shqipërisë?
-Emocionet pa dyshim janë të bukura, të këndosh mes shqiptarëve që u mungon kaq shumë Shqipëria, të afërmit, kujtimet e tyre. Ndoshta kjo është pikërisht kjo arsyeja, që kërkesat e tyre të vazhdueshme dhe që preferohen më shumë për tu dëgjuar, janë këngët që i sjellin afër një copëz Shqipërie.
-Cila është kënga që të ka sjellë suksesin?
-Kënga “Loti i harruar” e cila ka lënë një shije shumë të mirë tek publiku.
-Cilën rrymë do e këndoje gjithmonë dhe cilën asnjëherë?
-Në repertorin tim bëjnë pjesë kryesisht këngë nga krahina jugore, këngë nga Shqipëria e Mesme gjithashtu, të cilat i dua shumë…këngë çame..këngë shkodrane…këngë nga të gjitha krahinat…!😊
-Është më mirë të ndihesh e bukur fizikisht apo shpirtërisht?
-Jam njeri që shpirtin dhe brendinë e vlerësoj pa fund dhe nësë ti je njeri i bukur në shpirt padyshim që do përcillet edhe në pamjen e jashtme.
-Në sirtarin e ëndrrave të tua, çfarë ka mbetur pa u realizuar?
-Njeriu deri në momentet e fundit të jetës endërron, kështu që, me ndihmën e Zotit me shumë pune, përkushtim, e mund por edhe me pak fat (buzëqesh) do përpiqem t’i realizoj, të paktën ato që janë më afër zemrës.
-Për t’ia dalë mbanë, ku mbështetesh?
– Tek Zoti që më krijon rrugën me fat, tek puna dhe familja, këto janë tre elementë kyç në jetën time. Familja ka ndikim të jashtëzakonshëm në arritjet e mia.
-Me çfarë e shoqëron jetën tënde?
-Me moton që më ka shoqëruar gjithë jetën time…☺️Këtë gjë do më pëlqente ta shpjegoja pak gjatë dhe ta lidh me muzikën, për të dalë tek përgjigja e saktë dhe e kompletuar. Është bukur të këndosh dhe të prekesh, të mallëngjehesh, te ndjesh madje edhe dhimbje.Dhimbja është ndjenja që tregon shpirtin tim dhe aspak buzëqeshja ime, sepse kur ndjen dhimbje, njeriu ndjen që jeton, që është gjalle, ka shpirt të madh, humanizem, mbi të gjitha është “Njeri”. Ndaj motoja ”Të jesh njeri” gjithmonë më ka shoqëruar në jetë.
-Nëse nuk ishe këngëtare, për çfarë do ishim duke folur sot?
-Ah, sa e bukur kji pyetje. Unë kam kryer një shkollë për asistent-dentiste. Më pëlqen ky profesion dhe ndihem mirë e veshur me përparësen e bardhë, gjithmonë në jetë ka diçka për të mësuar, ndaj nëse nuk do të isha këngëtare, mundem ta imagjinoj veten dhe besoj, që do të isha një dentiste e mirë…!
-Çfarë projektesh ka më mendjen tënde? Lamë diçka pa thënë?
-Plane kam shumë dhe shpresoj të më realizohen shumë shpejt…Shpresoj të paktën dhe besoj! Ato që lamë pa thënë do t’i themi herën tjetër, pse të gjitha njëherësh do thuhen?! (Buzëqesh)