Gesti, përshëndetje! Para se të flasim për ty si kuzhinier, na trego diçka për veten…
Përshëndetje, Intervista! Ju falenderoj për konsideratën. Unë quhem Gesti, jam 30 vjeç dhe vij nga një fshat i Tiranës. Prej moshës 16-vjeçare kam nisur punën si ndihmës-kuzhinier, pozicion që e ushtrova dhe perfeksionova për 14 vite derisa i mundësova vetes titullin “Shef kuzhine.”
Dimë që me kuzhinën je shumë i lidhur. Çfarë gatove sot?
Kuzhina për mua është art, dhe me të jam vërtet shumë i lidhur. Këtë lloj arti, e kthej në gatim. Sa për sot, kam gatuar aq shumë sa nuk i mbaj mend (qesh).
Ka qenë i hershëm pasioni yt për gatimin?
Po, ka nisur që në moshën 14-vjeçare. Kam përfunduar një kurs lidhur me këtë profesion, dhe siç e përmenda dhe në pyetjen paraardhëse, u futa menjëherë në punë.
Cilat janë cilësitë që duhet të ketë një kuzhinier profesionist?
Një kuzhinier/e profesionist/e duhet së pari ta dojë punën e tij/saj. E përmend këtë, pasi është një profesion që herë-herë bëhet edhe i lodhshëm. Vëmendje i duhet kushtuar edhe higjienës. Gjithashtu, luan rol të rëndësishëm dhe krijimtaria me ushqimin. Siç e përmenda edhe më sipër, ky profesion është art. Gatimi bëhet me zemër dhe me dëshirë, por patjetër ndonjëherë u duhet t’u “bindemi” edhe shijeve të klientëve.
Recetat e ndryshme që gatuan janë nga fantazia jote, apo i ke lexuar diku?
Recetat që gatuaj i kam lexuar dhe praktikuar vetë në shtëpi, pastaj në punë. Ka dhe receta të cilat i kam krijuar vetë dhe që me pasion i kam arritur t’i kthej në pjata të mrekullueshme!
E ardhmja jote ku e ka dritën jeshile?
Shpresoj që të ketë një dritë jeshile sa më shpejt (qesh), pastaj vendndodhja kudo ku ka deshire te mire per te shijuar receta fantastike te realizuara nga une!
Ku të gjejmë aktualisht me gatimet e tua?
Unë punoj çdo ditë në kuzhinë megjithatë në planin vizual, gatimet e mia i gjeni në llogarinë time të Instagram @llucagesti.
https://instagram.com/llucagesti?utm_medium=copy_link
Lamë diçka pa thënë?
Besoj se fola për aq sa kam punuar. Shpresoj që viti 2022 të jetë viti i suksesit për mua dhe për të gjithë ata që kanë shpresë se një ditë do e arrijnë atë. Suksesi im i deritanishëm i kushtohet bashkëshortes sime dhe djalit tim Suhejl, që më çlodh me dashurinë që më fal, sa herë kthehem nga puna.