17 videoklipe brenda një periudhe pothuajse dy vjeçare dhe le ta pranojmë ky është një rekord në tregun muzikor shqiptar. Ai është Bekim Ibrahimi dhe si mik i Intervista.al nuk do mungonte as në mbyllje të vitit më një intervistë të veçantë! “Shqipëri ma i bukuri emër” mbyll për këtë vit sagën e produksioneve të Bekimit duke u shprehur se nuk mund t’a linte publikun pa një këngë patriotike dhuratë për fundvit dhe me projekte të reja për 2022!
Bekim, vjen këtë muaj me projektin tënd të 17-të. Ç’do të thotë të publikosh 17 videoklipe?
Po, vij me këngën e 17-ë brenda në më pak se 2 vitesh, të cilën e realizova me sukses. 17 videokëngë do të thonë që kam pasur shumë angazhime çdo ditë. Kam punuar me orë të tëra për të arrirë në këto projekte, që nuk janë pak.
Ke frikë nga konsumimi i ekranit, apo sa më shumë publikime aq më mirë?
Unë çdo herë vij ndryshe, dhe nuk kam frikë nga konsumi. Pra, sa më shumë paraqitje me vlera, aq më mirë.
Kënga e re ka qasje patriotike. Ti je shumë i lidhur me Shqipërinë. Për çfarë të merr malli në Shqipëri?
Kënga e re dhe disa të tjera të promovuara në këtë fundvit janë këngë patriotike. Unë, përmes Shqipërisë mundohem që t’i përfshij të gjithë trojet shqiptare. Mall kemi për Shqipërinë, si secili për vendlindjen e vet.
Pse kjo zgjedhje muzikore?
Zgjedhja i përshtatet sezonit, pra fundvitit. Këngët patriotike janë më të dëshirueshme për shkak të festës kombëtare. S’mund t’a lija publikun pa një këngë dhuratë për fundvit!
Kush janë bashkëpunëtorët e këngës?
Gjej rastin edhe t’i falenderoj: Tekstshkruesen, Lindita Fida; Valltarët e Ansamblit “Hazis Ndreu” me në krye koreografin Avni Ndreu në Tiranë, për një interpretim të shkëlqyer; Si dhe studion Artfabe nga Gjilani për videoklipin.
Çfare duhet të presim nga Bekimi pas kësaj kënge?
Pas kësaj këngë do të sjell për publikun këngë të tjera me atmosferë e ritëm vallëzues.
Festat janë në prag… një urim për ndjekësit e tu?
Unë i falenderoj shumë ndjekësit e mi. Janë frymëzimi im për të vazhduar dhe për të realizuar këngë edhe më cilësore. Ju uroj të gjithëve vit të mbarë në 2022!