– Edmond përshëndetje! Kënga e fundit që ke publikuar “Mos je lule” nje këngë popullore kjo ashtu si zhanri yt. Po ecën mirë në tregun muzikor?
-Këngët popullore nuk ka mundësi që mos kenë suksese sepse janë këngë të vërteta dhe që ngelin gjatë më mendjen e publikut. Muzika dhe orkestrimi Armando Dhimitri klipi Angel Pro Blerim Malaj!Ka patur mjaft sukses kjo kenge sepse kam marrë mjaft vlerësime nga miq, kolegë, njerëz që më takojnë dhe më urojnë. Më vjen mirë që u pëlqye kaq shumë.
– Çfarë pretendimesh ke për këtë kenge, sepse nga klikimet duket që janë pëlqime reale?
– Nga kjo këngë dhe nga çdo këngë tjetër dua që të pëlqehet nga publiku. Që kur ai ta dëgjojë, ta kuptojë sepse unë e bëj për përfitim shpirtëror, nuk pres fitime nga klikimet.
-Edhe komentet në youtube janë të gjitha vlerësime…
-Falenderime të gjithëve për vlerësimet, janë suport i madh për artistin.
– Sipas teje, cila është rruga më e sigurtë drejt suksesit?
– Duhet të jesh i aftë vokalisht, të bësh edhe një menaxhim të mirë sepse të jep një dorë të madhe në sukses.
– E konsideron muzikën të gjithë jetën tënde?
– Muzika është dashuri, e kam dashur, e kam përjetuar, e përjetoj dhe e dua. Të më heqësh muzikën është si të më heqësh një pjesë të shpirtit. (Buzëqesh)
– Mendon se ky është momenti yt?
– Gjithmonë është momenti! Unë kam pasur shumë momente që jam ndjerë shumë mirë. Kam qenë gjithnjë aktiv në muzikë, edhe pse ndonjëherë nuk kam publikuar këngë dhe klipe. E kam marrë gjithnjë seriozisht angazhimin me muzikën sepse e dua atë.
– Në ç’gjendje të fut kënga kur e interpreton?
–Kënga është magji më vete, kështu që vetëm kush këndon me shpirt dhe e ndjen muzikën mund të më kuptojë dhe të dijë vërtet se çfarë ndihet kur interpreton një këngë.
– Kush mendon se e dëgjon muzikën tënde?
– Të gjithë ata që dinë ta duan muzikën.
– Ty vetë, çfarë të frymëzon?
– I përshtatem gjendjes shpirtërore të publikut tim, e kuptoj dhe e ndjej atë që ai do. Me shpirt, ia servir.
– A të është dashur të sakrifikosh për diçka në karrierën tënde?
– Çdo artist, për të arritur nivel në karrierën e tij, bën shumë sakrifica. Edhe unë kam sakrifikuar, por rëndësi ka që ia kanë vlejtur.
– Kujt ke patur dëshirë t’i ngjash kur ishe i vogël?
– Kur isha i vogël, kisha shumë dëshira, por spikaste dashuria dhe dëshira e madhe që kisha për muzikën. Muzika e gjeti rrugën e vet.
– Sipas teje, çfarë ka më shumë rëndësi në jetë?
– Të jesh gjithmonë pranë njerëzve që të duan dhe i do, miqve, familjarëve, atyre me të cilët ndihesh më mirë, pa harruar artin.
– Çfarë relatash ke me këngëtarët e tjerë?
– I kam të mira me të gjithë sepse jam njeri që mundohem të shikoj gjërat e mia dhe të jap maksimumin tim, pa u krahasuar me njeri. Kam shumë bashkëpunime live me këngëtarë të tjerë. Më pëlqen të këndojmë bashkë në skenë këngë të tyre dhe të miat. Kënaqem kur këndoj me ta.
– Cila është e veçanta e asaj që bën ti?
– Këndoj me zemër dhe jam origjinal, nuk i idealizoj gjërat. Jam ky që jam!
– Si ndihesh pas çdo vlerësimi në koncerte apo mbrëmje të ndryshme ku je i ftuar?
– Ndihem mirë me veten dhe me publikun, sepse nëse publiku më duartroket ose këndon gjatë kohës që unë jam në skenë, do të thotë se e pëlqen atë që interpretoj unë.
– Nëse përballë do të kishe veten, cilën pyetje do t’i bëje të parën dhe cilën nuk do t’ia bëje kurrë?
– Nuk e di, të them të drejtën, nuk e kam menduar ndonjëherë… (Buzëqesh)
– Në fund, do të shtosh ndonjë gjë që na ngeli pa thënë?
– Shpresoj që të gjithëve t’u shkojë gjithçka mirë dhe do takohemi sërish për të sjellë këngë edhe më të bukura në të ardhmen.