Nga Fabjola Kuburi
Ai është besnik i muzikës së tij dhe i ka qëndruar gjithmonë me shumë fanatizëm shijeve të publikut. Aurel Thëllimi, sjell në kohë pandemie një këngë e cila si për të mbushur boshllekun që ka lënë kjo situatë e vështirë, ka gjetur një strehëz të bukur në zemrat e publikut, me titull “Valle e dashurisë”. Le të flasim pak më gjerë me Aurelin…!
-Aurel, pandemia na goditi të gjithëve, por muzikën duket se e ka paralizuar. Ku e gjete forcën për të sjellë produkt në një kohë si kjo?
-Është një situatë që ka ndikuar në çdo aspekt të jetës së çdokujt, por duke e ndjerë se njeriu në çdo moment gjen kohën e duhur dhe mendimet e duhura për të përballuar çdo të keqe, vendosa të sjell aq energji sa mundem për të dhënë sinjal, që në çdo vështirësi jeta vazhdon. Unë kaq kam mundësi, të sjell një këngë e t’i fal vetëm pak momente të bukura në këto momente në qoftë se do të kisha mundësi do bëja çdo gjë për të dal nga kjë situatë…
-“Valle e dashurisë” mund të konsiderohet vallja që kaq shumë mungon tani. Si u prodhua deri në momentin që u bë publike?
-Shumë vlerësime sa jam befasuar duke e vënë veten në një pozicion, që pse nuk e kam sjell më përpara këtë projekt duke e ditur të gjithë që unë këndoj në ambiente festash apo dasme!
-More vlerësime, kritika që do doje ti ndaje me ne?
-Unë kam jetuar me artin që 5 vjeç, kam lëvruar dhe realizuar dhe personazhe në opera kështu që çdo arritje është një plus në ditët apo vitet e mija si artist! Të eksplorosh atë mundësi, që ke si qenie mendoj se vlen të quhet arritje.
-A është Aureli i lumtur me arritjet deri tani?
-E ardhmja, e tashmja, e shkuara bëjnë vetë klasifikimin artistik. Unë dua të qëndroj stabël në artin tim kjo është ajo që do të doja të bëja, ajo që di të bëj.
-Çfarë pret nga e ardhmja muzikore? Çfarë duhet të presim ne nga Aureli në të ardhmen?
-Mundësitë e një artisti në Shqipëri nuk janë aq sa meritojnë, kështu që në të ardhmen s’e di se si do të jetë mundësia, por e ardhmja gjithmonë sjell risi dhe unë e bëj këtë në çdo kohë. (qesh)
-Cili është mesazhi yt në fund?
-Pranojeni jetën ashtu siç ju vjen dhe mos sfidoni kohën, por i jepni energji dhe vetëm mendime pozitive sepse në çdo moment ne bëjmë jetën!