Një pjesë të madhe të përgjegjësisë për trajtimin e disleksisë e kanë prindërit. Ashtu siç është thënë më herët dhe në kapitujt më lart, plani i ndërhyrjes për fëmijët me crregullime të të nxënit përfshin angazhimin aktiv të prindërve, duke qenë se krahas shkollës, ata janë shtylla tjetër kryesore për mbështetjen e fëmijëve të tyre.
Në këto raste, prindërit duhet t’i përgjigjen nevojave të fëmijës duke krijuar në shtëpi një mjedis që i përshtatet strategjive të ndërhyrjes, si dhe duhet të bashkëpunojnë ngushtë me mësuesit dhe psikologen e shkollës.
Në mënyrë konkrete, prindërit:
o Mund të ndihmojnë fëmijën të familjarizohet me librat dhe leximin, duke shkuar herë pas here në librari apo bibliotekë.
o Me anë të shembullit të tij personal, të edukojë fëmijën me të lexuarit për kënaqësi.
o T’i lexojë fëmijës tekste të ndryshme jashtëshkollore.
o Herë pas here të komunikojë me fëmijën dhe në forma të shkruara (letra apo mesazhe në telefon).
o Ta nxisë fëmijën të lexojë tekste që ai vetë ka shkruar, shënime apo pjesë të detyrave.
o Ta nxisë fëmijën të mbajë ditar.
o Ta nxisë fëmijën të lexojë në kompjuter.
o Të regjistrojë fëmijën kur lexon dhe më pas t’ja japë ta dëgjojë duke pasur përpara dhe tekstin që ka lexuar.
o Të kryejë me fëmijën lojëra dhe aktivitete të lidhura me fjalën (gjëegjëza, gjetja e fjalëve sipas kategorive përkatëse apo që nisin me një shkronjë të caktuar).
o Të nxisë njohjen vizuale të fjalëve, kërkimin dhe gjetjen e një fjale të caktuar në tekste, tabela, harta.
o Të motivojë fëmijën dhe të kultivojë tek ai besimin se mund t’ja dalë, duke vlerësuar përpjekjet dhe arritjet e tij.
Burimi: Humanum.al