Si në shtëpinë tonë u ndjemë sot në ambasadën shqiptare në Londër, të ftuar nga ambasadori i saj zoti Qirjako Qirko. Nuk ishte hera e parë që Ambasada i hapte dyert e saj në shërbim të komunitetit dhe mësimit të gjuhës shqipe, sidomos në këto tre vitet e fundit. Të rrethuar me ngrohtësinë e mirëseardhjes dhe tryezës plot me libra për nxënësit e shkollës “Ardhmëria”, kjo pasdite ishte vërtetë magjike, aq sa na shkurtoi pa e kuptuar edhe distancën që COVID-19 të impononte. Ndaj, ndoshta i thyem rregullat pak nga entuziazmi. Sot ata u pajisën me të gjitha materialet e nevojshme për këtë vit shkollor. Vërtetë do të vazhdohet me mësimin online, kështu është situata e krijuar, por një mësim pa libra mbetet gjithmonë si një dritë e zbehtë. Në këtë ceremoni ishin të pranishëm një pjesë e stafit mësimdhënës të shoqatës “Ardhmëria” dhe drejtori i saj zoti Lutfi Vata të cilët e falenderojnë shtëpinë botuese për Diasporën nën drejtimin e zonjës Mimoza Hysa, për angazhimin fisnik duke na ofruar kopje te shumta librash shkollorë falas.
Për 30 minuta fëmijët e përzgjedhur, të cilët përfaqësuan të gjithë nxënësit e shkollës tonë, do t’u mbetet në memorie kjo pasdite, kur u ulën me librat shqip ndër duar në sallën e pritjes të Ambasadës Shqiptare në Londër si në shtëpinë e tyre. Ishte një eksperiencë e bukur që do t’i stimulojë, në vazhdimin pa ndërprerje, për ta njohur më mirë gjuhën e nënës. Ata , pa dyshim, do ta rendisin këtë si ndër ditët më të veçanta të fëmijërisë së tyre .
Nga Londra Anila Kadija
Advertisement