Aktivistja Xheni Karaj ishte sot e ftuar në ABC-në e pasdites për të folur për debatin: A mund të ndryshohet orientimi seksual!
Karaj ndau eksperiencën e vet dhe tregoi vuajtjet e saj kur mësoi se i pëlqenin femrat. Ajo tregoi se ka qenë një periudhë shumë e vështirë në jetën e saj, pasi ishte adoleshente dhe nuk kishte parë asnjë vajzë tjetër që ta kishte pranuar publikisht këtë gjë.
“Në periudhën e adoleshencës sime ne nuk kishim modele, kishin bërë dalje publike shumë pak. Kjo periudhë për mua ishte shumë depresive, mendoja çdo ditë si të vdisja, sepse mendoja që nuk kishte vend në këtë botë për njerëz si puna ime,”– tha Xheni ndër të tjera.
Madje ajo tregoi edhe kur pa një lesbike në një film me aktoren e njohur Angelina Jolie, dhe çdo natë priste të njëjtin orar për të parë dikë si vetja.
Tashmë ajo e ka pranuar publikisht dhe bashkëjeton me partneren e saj.
Pak kohë më parë, Xheni tregoi se së bashku me partneren dëshirojnë të bëhen prindër për herë të parë përmes inseminimit artificial.
Madje, ajo shtoi se një mundësi dhuruesi është miku i saj, Kristi Pinderi, por që ky opsion ende po diskutohet.