Një ditë frika i ra derës. Guximi u ngrit dhe shkoi për ta hapur derën por pa se nuk ishte askush! ( Martin Luther King ).
Crregullimeve të ankthit, ju shkon shumë mirë përshtat një shprehje e tillë. Kjo për faktin se individët që vuajnë nga ankthi, janë vazhdimisht të zhytur në tak-tak-takun e një dere që troket së koti, dhe prapa saj nuk është askush!
Mirë po puna është se këta persona që vuajnë nga ankthi, e kanë shumë të vështirë të besojnë se askush nuk e trokiti derën, edhe pse pas kontrollit të derës nuk gjejnë njeri, ose edhe kur e kuptojnë se kjo trokitje ishte fallco, prapë do ti tremben trokitjes së rradhës…
Frika është irracionale, por edhe pse mund ta dimë këtë, në shumicën e rasteve nuk mund ti mos bindemi asaj. Në momente qetësie, nëse do të shohim të shkuarën nën një analizë të thellë reflektuese, me siguri do të vemë re se shumica e frikërave tona, nuk kanë ndodhur kurrë. Pavarësisht kësaj, mendja jonë, fiziologjikisht e proçeson frikën njësoj, si kur ndodh ashtu edhe kur nuk ndodh ajo të cilën patëm frike! Në këto kushte, dëmet që shkakton ankthi tek ne, janë të mëdha edhe kur luftojmë mendërisht me asgjënë. Frika më shumë se gjithçka tjetër, është përgjigje fiziologjike, dhe si pasojë, shpesh nuk është i mjaftueshëm vetëm arsyetimi për të bindur trupin të mos reagojë pa nevojë apo më shumë seç duhet me frikë. Gjatë stimulimit të frikës, procesi ndijor i shqisave që vjen nga mjedisi apo kurthe të brendshme, aktivizojnë një strukture në mendjen tone të quajtur Amygdala. Amygdalën, mund ta përkufizojmë si një sensor instiktiv me llogjikë foshnjërore, që vazhdimisht rrin në gadishmëri me një vëmendje të admirueshme, dhe që nuk karakterizohet aspak nga rracionaliteti. Kjo strukturë e mendjes sonë, është vendimarrësja e reagimit të frikës, të njohur me ik ose lufto. Ky reagim, në shumë raste jo vetëm që nuk e përshtat proporcionin e reagimit me ngjarjen, por në ato momente, nuk i lejon kohë as arsyes të rracionalizojë atë që po ndodh, duke e marrë vendimin vetë, shpejt dhe pa analiza të mëdha. Sigurisht që frika është projektuar si mekanizmi më i mirë për të na mbrojtur nga rreziqet që na kanosen, por lehtësisht me kulminacionin dhe kohëzgjatjen e saj, mund të bëhet edhe një nga kërcënuesit më të rrezikshëm të mirëqënjes sonë psiko/emocionale. Në këto rrethana, kur vemë re se frika nga mbrojtëse u kthye në kërcënim, duhet të gjejmë forca dhe mënyra për të balancuar sërish situatën. Nuk është e mundur e as e shëndetshme të mos kemi frikë, por mbetet e domosdoshme ti menaxhojmë frikërat tona pa arritur të na pushtojnë. Shumë njerëz vetëm për shkak të frikërave të tyre, lejnë fjalë të pathëna, ide të parealizuara, dëshira të pashprehura, ëndrra të paplotësuara, potenciale të pashfrytëzuara duke u zhytur në pafuqishmërinë e përshtypjes së gabuar të tyre. Këta persona në brendësi, janë plot potencial dhe energji të pashfrytëzuar, mjafton të zhvishen nga frikërat dhe të jetojnë të lirë. Punoi Psikologu: Besmir Guri