Rexhina Çuko është balerina e njohur e ekranit
e cila ka qenë pjesë e trupës së baletit në TV Klan
dhe ishte pikërisht kjo eksperiencë që e bëri të nisë një rrugëtim ndryshe.
Ajo çeli akademinë e saj të kërcimit ku edhe ka pasur shumë sukses. Realizoi një prej ëndrrave të saj më të mëdha por edhe u bë vendi i preferuar i të apasionuarve pas kërcimit. “Rexhina Dance academy” ka dyert e hapura për këdo që do kërcimin dhe do të zbulojë lidhjen e madhe mes artit të kërcimit dhe jetës e këto i rrëfen në një bisedë të sinqertë…!
-Një prezantim për lexuesit tanë, ti merresh me kërcim por prej sa kohësh?
-Po, baletin dhe dansin sportiv e kam nisur që në moshën 6 vjeçare, pra kam shumë vite që merrem me këtë fushë.
-Pse fillove të merreshe me këtë fushë arti?
– Sepse ky është pasioni dhe profesioni im që me jep jetë dhe më ushqen shpirtin.
-Kur të shkoi ndër mend të hapësh një akademi kërcimi?
-Gjithmonë kam pasur dëshirë që të kem një akademi timen por iniciativa u mor nga ana ime pas eksperiencës në trupën e baletit në TV Klan.
– Kam parë që fton emra të njohur në fushën e kërcimit si Albi Nako dhe Ilir Shaqiri, më trego pak çfarë bëhet në sallë kur janë këta balerinë aty?
– Salla mbushet me energji pozitive dhe dije pa fund për baletin, pasi secili prej tyre në atë sallë ka konceptin dhe interpreton zhanre të ndryshme, gjë e cila të pasuron në art.
-Në cilat disiplina zhvillohen kurset në Rexhina Dance Academy?
-Disiplinat që zhvillohet mësimi janë këto: klasike në bazat e saj, moderne, jazz, latine, teknikë kompetitive, popullore, musical, aktrim…
– A ka shumë kërkesa në Akademinë tënde?
– Po, kemi shumë kërkesa dhe regjistrimet bëhen sipas klasave përkatëse në bazë të moshës dhe nivelit teknik. Janë 8 klasa por që gjithmonë ka vend për të rinj që duan të bëhen njësh me artin e kërcimit.
– Zakonisht në çfarë ore e fillon punën?
– Mësimi fillon në orën 16:00 dhe mbaron në orën 20:00 çdo ditë
– Kë dikë që kujdeset për gjërat e tua përsa i përket kërcimit?
– Po, gjatë orës së mësimit kam dy vajza asistente që më ndihmojnë, por më e rëndësishmja është mamaja ime e cila merret edhe me menaxhimin e sallës.
– Përveç të kërcyerit bukur ka të bëjë dhe paraqitja e jashtme në këtë profesion, kostumet, detajet?
– Sigurisht, veshja është bukuria e syrit që qëndis dhe lidh bukur mesazhin e kërcimit.
– Keni dhënë shfaqje në Shqipëri ose jashtë saj? Në çfarë vendesh keni lëvizur për të dhënë shfaqje?
– Po, çdo vit kemi aktivitete. Mund të përmend aktivitetet e organizuara në Tiranë, në bashkinë Elbasan, Prizren dhe Itali ku fituam edhe dy çmime të para.
– Pas shumë vitesh në qoftëse do të kishe një vajzë, do doje që të bëhej kërcimtare si ty?
– Të ketë shëndet se balerinë e bën mami, (buzëqesh) nëse do zgjedhë një profesion të tillë sigurisht.
– A ke ndonjë këshillë për vajzat që kanë dëshirë të merren me këtë fushë arti?
– Këshilla ime do të shkonte më shumë për prindërit që t’i udhëheqin drejt ëndrrave të tyre, t’i mbështesin në ato që fëmijët kanë pasion. Ndërsa për vajzat që tashmë e kanë zgjedhur si profesion duhet shumë djersë, vullnet, durim dhe pasion. Sakrifiko dhe puno fort që të shpërblehesh!