Shëndeti i mirë
shpesh pasqyrohet në një pamje të jashtme
joshëse dhe rinore.
Ju mund t’ia hidhni fajin moshës dhe stresit për rudhat e fytyrës, thonjtë e prishur, ose humbjen e flokëve, kur në fakt këto mund të kenë shkaqe të brendshme, thonë specialistët. Këto simptoma fillojnë duke “pëshpëritur” dhe, nëse nuk ua vë veshin, do të fillojnë të “bërtasin e ulërasin” dhe në këtë moment fillon sëmundja. Ja 13 shenja fizike që tregojnë se problemet mund të fshihen nën lëkurë…
1. Rudhat
Megjithëse rudhat janë të paevitueshme, ato gjithashtu mund të jenë shenjë e osteoporozës. Mbase rudhat në ballë dhe rrotull gojës nxjerrin më në pah kockat? Disa studime të reja kanë treguar lidhjen mes rudhave dhe gjendjes së kockave tek gratë që e fillojnë shpejt menopauzën. Sa më të mëdha të jenë rudhat, aq më i madh është rreziku i densitetit të ulët të kockave. Shumca e rudhave janë rezultat i plakjes, por ekspozimi i tepruar ndaj tymit të cigares ose diellit mund ta përshpejtojë këtë proçes.
2. Këmbët e fryra
Këpucët të shtrëngojnë shumë? Shumë gjëra si ndrydhja, dëmtimet dhe infeksionet mund të shkaktojnë fryrjen e këmbëve dhe kyçit të këmbës. Gjithashtu të tjera, si shtatzania, obeziteti dhe marrja e disa ilaçeve, shkaktojnë mbajtjen e ujit në gjymtyrët e poshtme. Nëse vuani nga sëmundjet e zemrës, ju mund të keni mbajtje të lëngjeve për shkak të defekteve në veprimin e pompimit. Fryrja e këmbëve dhe kyçeve është një simptomë klasike e këtyre sëmundjeve.
3. Thonj të dëmtuar
Nëse eviton manikyristin sepse i ke thonjë e dëmtuar, mbase duhet të shkosh tek doktori. Thonjtë e dëmtuar, të gërryer ose të çngjyrosur (të verdhë-kafe), ose thonjtë që trashen dhe shkëputen nga mishi i thoit mund të jenë shenjë e shumë problemeve shëndetsore. Ndryshimet e thonjve janë të zakonshme tek njerëzit me psioriazë, një sëmundje kronike e lëkurës, nga artriti psoriatik, një sëmundje e ngjashme e kyçeve dhe “alopecia aerata”, një lloj humbje flokësh në një zonë të caktuar të kokës. Dëmtimi i thonjve është vënë re edhe tek pacientët me sindromën e Reiterit, një lloj artriti dhe “incontinentia pigment”, një sëmundje gjenetike e lëkurës.
4. Këmbë e duar të zmadhuara
Ju do të shqetësoheshit me të drejtë nëse tek ndonjë i afërmi juaj do të zhvillohej një nofull e dalë, një ballë i dalë, ose këmbë e duar shumë të mëdha. Të gjitha janë shenja klasike të “akromegalisë” (zmadhim jo normal i kockave), një çrregullim hormonal që ndodh tek të rriturit, kur gjendra e hipofizës prodhon shumë hormone rritjeje. Por, meqë është një sëmundje e rrallë dhe zmadhimi i kockave dhe indeve të buta ndodh ngadalë në kohë, shpesh kalon pa u vënë re.
5. Probleme me gojën
Dhëmbët dhe mishrat në gjendje të keqe nuk janë vetëm shenjë e një higjiene të keqe gojore. Goja mund të tregojë probleme të zemrës dhe kockave. Në vitin 2010, studiues skocezë zbuluan se larja e dhëmbëve ul rrezikun e sëmundjeve të zemrës. Njerëzit që i lanin dhëmbët rrallë, në krahasim me ata që i lanin dy herë në ditë rrezikonin në masën 70% më shumë të vuanin nga sëmundjet e zemrës. Edhe rënia e dhëmbëve mund të tregojë osteoporozën. Mungesa e dhëmbëve mund të tregojnë se densiteti i koskës së nofullës është kaq i ulët, sa nuk mund të mbajë gjithë dhëmbët në gojë.
6. Skuqja e fytyrës
Ju mund të dukeni e kuqe në fytyrë dhe këtu nuk ka asgjë për t’u ndjerë në siklet. Skuqja e fytyrës, e shoqëruar me akne janë simptomat e zakonshme të rosaceas, një sëmundje kronike të lëkurës. Megjithëse shkaku ekzakt ende nuk njohet, njerëzit që vuajnë nga rosacea duken të kuq në fytyrë, për shkak të zgjerimit të enëve të gjakut. Me kalimin e kohës në fytyrë mund të dalin gunga dhe puçrra dhe hunda të enjtet.
7. Njolla të errëta
Një rreth lëkure i nxirë në qafë mund të duket sikur ke harruar pa e larë, por në realitet ajo është e shenjë e një sëmundje të quajtur “acanthosis nigricans”, që shkakton trashjen dhe errësimin e lëkurës, bile nganjëherë e bën atë si të kadifenjtë dhe me rudha. Njerëzit që paraqesin rezistencë ndaj insulinës, diabetikët, obezët, ose në raste të rralla që vuajnë nga kanceri, paraqesin rrathë të tillë, megjithëse ato nuk janë një shenjë përfundimtare e diabetit. Kjo të shtyn të mendosh më shumë dhe të bësh dyfishin e fiskulturës që bën, thonë specialistët.
8. Qime me shumicë
Qimet që dalin atje ku s’i do sigurisht janë të bezdisshme, por ato mund të jenë shenjë sëmundjeje. Sindroma e vezoreve polikistike (PCOS), që ndodh tek gratë në moshën pjellore, mund të shkaktojë probleme me pjellorinë, ose perioda të çrregullta, ose mungesë të tyre. Më shumë se 70% e grave me PCOS kanë hirsutizëm, ose shtim të tepruar të qimeve, zakonisht në fytyrë, gjoks, stomak, kurriz, duar dhe këmbë.
9. Lëkurë e skuqur
Skuqja e lëkurës është si një flamur i kuq, është mënyra e trupit për të thënë se diçka nuk shkon mirë. Ka lloje të ndryshme skuqjesh, por njëra qëndron veç. Ajo shtrihet në të dyja faqet dhe ka formën e një fluture dhe duket sikur është djegur nga dielli. Kjo skuqje është simptoma klasike e lupusit, një çrregullimi të sistemit imunitar, që prek lëkurën, kyçet, gjakun dhe veshkat.
10. Rënia e flokëve
Janë të shumta shkaqet që shkaktojnë rënien e flokëve, e cila është problematike sidomos për gratë. Shtatzania, stresi, sëmundjet, ilaçet dhe ndryshimet hormonale mund të shkaktojnë rënien e flokëve. Ndërmjet grave në veçanti, flokët e hollë dhe të thatë mund të jenë shenjën e një tiroideje nën ose mbiaktive. Një analizë e thjeshtë gjaku mund të tregojë nëse trupi prodhon sasinë e duhur të hormonit të tiroides.
11. Buzë të plasaritura
Buzët mund të thonë shumë gjëra për shëndetin. Buzët shumë të plasaritura, të thata mund të shkaktohen nga një reagim ndaj një mjekimi, ose të jenë simptomë alergjie, infeksioni ose problemeve të tjera. Çarja e buëzve në cepa mund të simptoma të sindromës së Shougrensit, një çrregullimi të sistemit imunitar. Kjo sindromë shkakton tharjen e syve dhe gojës, si edhe dhimbje të kyçeve dhe lëkurë të thatë. Prej saj vuajnë më shumë gratë.
12. Nishanet
Nganjëherë një nishan është thjesht një rritje e padëmshme, disa të tjerë tregojnë praninë e një kanceri të lëkurës. Mbani nën kontroll rritjet që janë asimetrike, që kanë cepa të çrregullt, që ndryshojnë ngjyrë, që kanë një diametër më të madh se 6 mm, që janë duke ndryshuar, apo evoluar. Melanoma forma më vdekjeprurëse e kancerit të lëkurës mund të shfaqet me këto simptoma. Njerëzit duhet të shkojnë tek doktori kur kanë ndryshime të lëkurës, këshillojnë specialistët.
13. Sy të verdhë
Sytë janë dritarja e shëndetit, kështu që, kur sytë tuaj, sidomos e bardha, bëhet e verdhë, ka arësye të dyshoni për probleme. Tek të rriturit kjo mund të jetë shenjë e sëmundjes së mëlçisë, si hepatiti, apo cirroza. Kjo mund të tregojë se rrugët e mëlçisë dhe tëmthit janë të bllokuara. Të gjithë ata që kanë sy të verdhë duhet të vizitohen tek doktori për analiza të mëtejshme.