Duke u rritur në epokën digjitale,
ku qasja ndaj çdo gjëje është kaq e lehtë dhe automatike,
ndonjëherë më bën të mendoj si kanë qenë gjërat për moshatarët e mi në të shkuarën.
Një artikull mjaft interesant në revistën Seventeen shkruan që njerëzit dikur takoheshin me njëri-tjetrin për të ndarë të rejat më të fundit apo për të diskutuar rreth jetëve të tyre sociale. Sot, më duket sikur termi i fundit është zëvendësuar me jetët e rrjeteve sociale. Platforma të shumta ku njerëzit ndajnë mesazhe multimedia apo nëpërmjet tekstit kanë mbytur “artin” e bisedës. E quaj “art” sepse sot njerëzit kanë vështirësi të bëjnë një bisedë të denjë. I vetmi problem qëndron se nuk dinë se si! Të mësuar duke dërguar mesazhe të panumërta, ata kanë përvetësuar aftësinë për ta modifikuar veten dhe të kenë kohë për të menduar para se të thonë diçka.
Unë e deklaroj veten pjesë të kësaj kategorie. Një nga punëdhënëset e mia dikur më tha që arsyeja pse më punësoi ishte në sajë të aftësive të shkëlqyera të komunikimit që shfaqja në e-mailet e mia. Jo më herët se këtë javë, pata intervistën e parë parapërgatitore me këshilluesin e karrierës në kolegjin ku studioj. Nuk shkoi aspak mirë! Po përpiqesha me zor që t’iu përgjigjesha pyetjeve të tij saktësisht, sepse nuk e kisha celularin me vete, në të cilin jam mësuar të shkruaj ngadalë mendimet e mia, t’i rilexoj e më në fund t’i modifikoj. Kjo më bëri të kuptoj që celularët kanë një fuqi psikologjike që na ndryshon. Na pajisin me perfeksion virtual, por na ulin aftësitë në jetën reale.
Teknologjia dhe celularët kanë ndikuar dukshëm jetën sociale të çdo adoleshenti. Kurdo kam miq mysafirë për të fjetur nga unë, më kërkojnë të flenë nga ana ku ndodhet priza, sepse iu duhet celulari pranë tyre, edhe teksa karikohet, edhe teksa ata flenë! Ne e nisim dhe e mbyllim ditën me celularët tanë, saqë deri diku jemi bërë më të vetmuar. Ne përjetojmë lumturi duke dërguar “puthje” apo “përqafime” virtuale nëpërmjet mesazheve, kur kënaqësia e vërtetë gjendet në kontaktin fizik. “Dopamina që çlirohet gjatë një puthjeje stimulon një bosht të trurit që aktivizohet vetëm nëpërmjet heroinës dhe kokainës.” – shkruan Emel Maguire për British Council. Nëse seksi është pika kulminante e ndjenjave të përbashkëta midis dy njerëzve, sot adoleshentët preferojnë “sexting”, ku shkëmbejnë foto nudo me njëri-tjetrin dhe shpjegojnë se çfarë “do donin t’i bënin njëri-tjetrit”, sesa thjesht të takohen dhe të bëjnë atë që duan!
Një tjetër artikull në The Independent zbulon një lidhje midis uljes në numër të adoleshentëve që përdorin drogë dhe rritjes së aktivitetit në celularë. Adoleshentët e kanë kthyer vëmendjen nga celularët sepse marrin të njëjtën adrenalinë dhe kënaqësi si me drogën. Kjo tregon që të dyja janë fiksuese, por harxhimi për celularë vlen, dhe zgjat më tepër. Gjithsesi, ky përfundim është i limituar, sepse adoleshentët sot ende mblidhen në festa shtëpish, me celularët dhe drogën bashkë. Ndonjëherë, këtë të fundit e publikojnë edhe në Instagram për një audiencë të limituar (p.sh. miqtë e afërt).
Unë besoj se celularët na kanë bërë më pak të aftë dhe më të vetmuar në jetën e vërtetë. Celularët kanë ndryshuar sjelljen e adoleshentëve duke nisur që nga bërthama e komunikimit, që është mënyra e duhur e drejtshkrimit dhe përdorimit të gjuhës. Po i shkurtojmë fjalët në mesazhe ashtu siç shkurtojmë ndërveprimin me njëri-tjetrin, duke harruar që teknologjia nuk i njeh ndjenjat. Njerëzit që dikur përdornin drogë gjithashtu kishin probleme socializimi. Varësia ndaj celularëve dhe drogës është e njëjta. Zgjatja e dorës për të marrë celularin tani është bërë një instinkt, një tik nervor që duhet kuruar përpara se ta lëshojmë veten e të bëhemi një me një copë teknologjike pa ndjenja.
Nga Klajd Heta
You can also read this article in English in the author’s blog:
https://hetaklajd.wixsite.com/communication/post/i-don-t-want-to-smoke-i-want-a-charger