Lorandi Jazexhi ose siç njihet në muzikë
si Land Korçari apo Elvis Presley
i serenatave vjen me një bashkëpunim me një emër të madh në muzikën shqiptare, Sabri Fejzullahun.
Një bashkëpunim i veçantë ky duke sjellë dy zëra kaq të dashur për publikun në një këngë klasike. Për më shumë flasim me vetë këngëtarin…!
-Land Korçari, si gjithmonë vjen me surpriza, një bashkëpunim me këngëtarin Sabri Fejzullahu, çfarë ju bëri bashkë? Si është të bashkëpunosh me një kollos të muzikës shqiptare?
–Ne jemi dy shqiptarë, njëri nga Devolli i Korçës dhe tjetri nga Prishtina. Pse jo kemi edhe këmbë të mbarë për një bashkim Kosovë-Shqipëri. Gjithmonë e kam pasur në mendje një bashkëpunim dhe kështu ftova të madhin Sabri Fejzullahu sepse me këngët e tij jam rritur dhe i kam kënduar duke qenë se jam edhe afër vokalisht. Dy zëra baritonë menduam që të realizonim diçka të bukur që të ngelet kujtim, për familjarët, miqtë dhe ndjekësit tanë. Sabriu pasi dëgjoi këngët e mia në youtube, pranoi ftesën dhe nisëm projektin e radhës. Këngën ia besuam Adi Hilës ndërsa klipin Max Production. Të them të vërtetën Sabri Fejzullahu ka qenë idhulli im që në fëmijëri. Nëse më parë e vlerësoja si këngëtar të madh, tani e vlerësoj edhe si njeri me zemër shumë të madhe. Ai është artist në kuptimin e plotë të fjalës. Pse do thoni ju? Sepse zakonisht kur i bën ftesën një artisti për bashkëpunim paguan ai që fton për gjithçka duhet dhe ajo që më habiti tek Sabriu ishte fakti kur i thashë që do paguaja unë për gjithçka, u step paksa dhe tha, “nuk e bëj për lekë por sepse kam dëshirë dhe çdo gjë do e paguajmë përgjysmë”. Aty më bëri të kuptoj që ende ka artista me zemër të madhe.
Kujt i dedikohet kjo këngë?
-Do sjell gjithmonë për publikun këngë që ushqejnë shpirtin, mendjen dhe trupin. Kjo këngë me titull “Kam merak” i dedikohet dashurisë, një djali që nuk u lodh kurrë se grisuri këpucë dhe pa ndërruar mendje për atë që e deshi. Madje një strofë thotë:
“Ku hedh hapat e tua, do ta puth çdo gur, e kam mendjen top, O tani o kurrë”
-Me sa kemi dëgjuar të quajnë edhe Elvis Presley i serenatave, si ndihesh kur të quajnë kështu?
-Me thënë të drejtën jam mësuar me këto emra. Emrin e vërtetë e kam Lorandi Jazexhi por në moshën e rinisë dhe duke kënduar serenata në Elbasan shoqëria më thoshte Land Korçari. Për emërtimin si Elvis Presley i serenatave ndihem shumë i vlerësuar por mendoj se është i tepërt për mua sepse unë jam një njeri i thjeshtë që veçohem për mënyrën time të të kënduarit.
-Jeton në Kanada por nuk harron të vizitosh Shqipërinë? Për çfarë ke mall nga vendlindja?
-Po pas 1997, pas trazirave në Shqipëri, emigruam familjarisht në Kanada. Fillimi ka qenë shumë i vështirë me shumë sfida sepse ishim në një vend me kulturë ndryshe me tonën por me kalimin e kohës, me punë dhe me mbështetjen e gjithë familjes arritëm në ditën që i jemi mirënjohës Kanadasë për mundësinë që na ka dhënë për të ecur përpara. Nga vendlindja më mungon gjithçka, që nga fjala atdhe, shtëpia ku linda në Ponçarë, Devoll, rrugicat, gurët, shokët e fëmijërisë, kitara e parë me tela telefoni. Edhe ajri më duket ndryshe në vendlindje.
-Ju muzikën e keni pasion apo jetoni në sajë të muzikës?
-Jo, unë muzikën e kam pasion sepse jetoj në sajë të biznesit tim familjar që kam në Kanada, një restorant mjaft të këndshën.
-Keni ndonjë surprisë me ndonjë këngë solo?
-Po, kam edhe tre këngë të përfunduara nga tre kompozitorë të ndryshëm. Një baladë nga Hermes Albania që jeton në Usa, një tjetër nga Shkëlqim Dule dhe një tjetër nga Sokol Koci. Të treja këto këngë do ti shoqëroj me klip.
– Pse vendoset të vini për publikun me një këngë klasike kur publiku ju njeh si këngëtar serenatash?
-Po, ishte një vendim i marrë nga të tre, nga Adi Hila, nga Sabriu dhe nga unë duke parë tregun muzikor i tejkaluar nga të gjitha rrymat muzikore, menduam se tek publiku mund të ketë munguar një këngë e tillë. Sa do pëlqehet e vendos vetëm publiku.
-A mendoni se kënga vlerësohet nga numri i klikimeve që merr?
-Jo për mua kjo nuk funksionon. Mendojeni, kur dihet saktë sa jemi numri i dëgjuesve shqiptarë dhe një këngë shkon për një javë 30 milion i bie ta ketë dëgjuar e gjithë India dhe ndoshta edhe Kina apo jo? (Qesh) Unë jam mirënjohës edhe nëse kënga të ketë 1 mijë shikime po të jenë real, njerëz që e duan muzikën dhe këngën time. Për mua kënga ka arritur suksesin kur këndohet nga të gjithë.
-Cila është formula juaj për suksesin?
-Unë mendoj se në çdo fushë ka mundësi për të ecur përpara por duhet gjetur çelësi për të hapur derën e duhur. Është motoja e tre musketierevë, “Një për të gjithë, të gjithë për një” dhe kjo ka funksionuar për mua dhe familjen time.
– Si e gjeni kohën për muzikën duke qenë se jeni i angazhuar edhe me biznesin tuaj?
-Edhe pse jam shumë i zënë me punë, kohën për muzikën dhe për të luajtur në kitarë e kam gjetur gjithmonë. Këtu në Kanada e kam gjetur kohën për koncerte dhe evenimente të ndryshme. Deri tani kam realizuar tre albume: “Horoskopi”, “U thinjëm por mend nuk vumë” dhe “Havale” Shumë shpejt do nxjerr edhe albumin e katërt.
-Si e vlerëson rëndësinë e komunitetit për muzikën shqiptare?
-Shqiptarët i duan këngët dhe vallet e tyre. Unë mendoj se përmes grupeve muzikore dhe albumeve i jepet një kontribut komunitetit dhe bezave të ardhshëm që janë lindur dhe rritur këtu. Ata kanë të drejtën dhe mendoj se duhet të njihen të gjithë më muzikën e bukur të të gjithë krahinave të Shqipërisë dhe Kosovës. Është një pasuri që duhet ta trashëgojnë pasardhësit tanë me patjetër.
-Ndonjë merak që nuk u tha gjatë intervistës…!
– Dua të falënderoj familjen time që gjithmonë më përkrahin, miqësinë time, ndjekësit e mi që më japin forcë që të mos ndaloj asnjëherë, edhe pse unë jam shumë kërkues ndaj vetes që të mos e zhgënjej asnjëherë publikun për çdo këngë të re që nxjerr. Kam një mesazh për të gjithë ata që ndjekin muzikën time, nuk do ti zhgënjej asnjëherë sepse do sjell këngë që secili të gjejë veten aty, të gjejë dashuri. Unë vetë jam njeri që përcjell pozitivitet kudo dhe këtë dua ta transmetoj edhe tek publiku im.